Ylli i kinematografisë, Riz Ahmed, ka thënë se ndihet krenar për faktin se është i pari mysliman i nominuar për “Oscar” në kategorinë “Aktori më i mirë”. Aktori 38-vjeçar është nominuar për rolin e protagonistit në filmin “Sound of Metal”, i cili flet për atë se si një krizë shëndetësore mund të të shkëpus nga jeta dhe më të dashurit tuaj, dhe ju detyron të rriteni në mënyrë të papritur. Ahmed e portretizon bateristin Ruben Stone, i cili pas disa vjetëve të interpretimit si pjesë e një rok bendi, dalëngadalë fillon humbë dëgjimin.
“Ajo që ka rëndësi për mua është që sa më shumë njerëz të kenë mundësi ta gjejnë veten në këtë moment, historinë që e trajton filmi, por edhe në performancën time. Shumë njerëz janë lidhur me filmin për shkak të faktit se unë jam myslimani i parë i nominuar në kategorinë kryesore për aktrim. Kjo është vërtetë një gjë e bukur dhe e mbështes plotësisht. Nëse disa njerëz tjerë do të gëzohen për faktin se ky projekt fokusohet në përfaqësimin e personave shurdhmemec, temë kjo që mungon dukshëm në kinematografi, atëherë edhe kjo do të jetë një gjë shumë e bukur dhe pozitive për filmin”, ka deklaruar aktori. Riz Ahmed beson se njohja e tij historike e bërë nga Akademia është rezultat i shoqërisë që është duke ecur përpara, pasi ceremonia e sivjetme “Oscar” përmban grupin më të larmishëm të të nominuarve deri më tani.