Jo, ai nuk do jetë sulmuesi i ri i ekipit të Luis Enrique kështu që MSN nuk ka pse shqetësohet, por tashmë është zyrtare që ish-ylli ka nënshkruar me Barcelonan gjatë merkatos së dimrit. Rivaldo vizitoi Barcelona-n dhe shkoi në “Camp Nou” për të konfirmuar se është gati të jetë pjesë e projektit të FCB Legends, ekipi i ish-lojtarëve që kryejnë ndeshje miqësore rreth e qark botën për të zgjeruar markën e Barça-s.
Rivaldo vizitoi ambientet e klubit bashkë me presidentin Josep Maria Bartomeu, zv.presidentin Jordi Mestre dhe menaxherët Silvio Elias dhe Pau Vilanova duke analizuar të tashmen e Barcelona-s. “Jam shumë i lumtur, kam bërë historinë me këtë klub, është një ekip që nuk ka për t’u larguar nga zemra ime. Ndihem shumë mirë, stërvitem çdo ditë për ato ndeshje që barcelona bën në të gjithë globin dhe do të jem i gatshëm të luaj,” shprehet braziliani për faqen zyrtare të klubit.