Referuar organizatës “Our World in Data”, Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut janë të fundit përkatësisht me rezultatet 0.15 dhe 0.11 vaksinime, ndërsa Shqipëria ka ecur në të njëjtat ritme si BE me vaksinimet ditore për 100 banorë
Evis HALILI
Shkup, 8 maj – Organizata e statistikave “Our World in Data”, në raportin më të fundit rendit Shqipërinë të parën ndër vendet e rajonit dhe Evropës në ritmet e vaksinimit ditor. Tabela me të dhënat e datës 5 maj tregon se Shqipëria ka ecur në të njëjtat ritme si BE me vaksinimet ditore për 100 banorë. Shqipëria dhe BE janë në krye me 0.61 vaksinime duke lënë pas vende si Belgjika me një rezultat prej 0.6, vaksinime, Suedia 0.6, Franca dhe Austria 0.59 si dhe vende të tjera më poshtë. Ndërkohë referuar organizatës “Our World in Data”, Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut janë të fundit përkatësisht me rezultatet 0.15 dhe 0.11 vaksinime. Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë raportoi se në total janë vaksinuar 556.584 qytetarë, prej të cilave mbi 451.189 vaksinime janë për persona mbi 60 vjeç. Deri më tani në Shqipëri kanë mbërritur 747.700 mijë vaksina si Pfizer, AstraZeneca, Sputnik e Sinovac. Këtyre dozave u shtohen më vonë edhe 145 mijë doza Pfizer dhuratë nga BE, siç njoftoi komisioneri Varhelyi një ditë më parë nga Rinasi.
Në ndërkohë, në Ministrinë e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut thonë se Interesimi për vaksinim po rritet çdo ditë, ndërsa aktualisht të regjistruar përmes ueb-platformës vakcinacija.mk janë mbi 256.346 qytetarë, kumtoi Ministria e Shëndetësisë. Në pikat e vaksinimit në vend përfundimisht me ditën e djeshme janë vaksinuar gjithsej 84.312 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e kanë marrë 10.135 qytetarë, ndërsa janë vaksinuar gjithsej 12.606 qytetarë. Në vend, gjithsej janë vaksinuar dhe rivaksinuar 104.962 qytetarë, ndërsa dy doza kanë marrë 20.650 qytetarë. Sipas shifrave të fundit, 28 për qind e popullsisë mbi moshën 70 vjeçare kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. Vaksinimi, siç njofton kabineti i ministrit Venko Filipçe, zhvillohet në disa qytete të vendit, edhe atë në A1 QS “Boris Trajkovski” në Shkup, në sallat sportive në Kavadar, Kumanovë, Tetovë, Shtip, Manastir dhe Ohër. (koha.mk)