Prishtinë, 3 janar – Numri i aksidenteve rrugore me pasoja fatale në Kosovë në vitin 2017 është rritur për 19 më shumë se në vitin 2016 duke arritur në 119 persona, raportojnë nga Policia e Kosovës.
Sipas shifrave numri i aksidenteve rrugore me vdekje është rritur 20 për qind, përkundër asaj se ka pasur ulje prej 5 për qind të numrit total të tyre, krahasuar me vitin 2016.
Sipas zëdhënësit të Policisë të Kosovës, Baki Kelani, deri në muajin nëntor kanë ndodhur 16 mijë e 122 aksidente, krahasuar me 30 mijë e 970 në vitin 2016.
“Kjo shifër është shumë shqetësuese për Policinë e Kosovës dhe për këtë arsye jemi angazhuar me të gjitha kapacitete që kemi, duke krijuar edhe task-forcë të veçantë për të përmirësuar situatën në komunikacionin rrugor, ku është arritur që numri total i aksidenteve të ulet për 5 për qind. Pra kryesisht janë ulur aksidentet në total si shifër dhe aksidentet që kanë të bëjnë me dëme materiale për diku rreth 9.18 përqind. Mirëpo është ende shqetësues fakti që numri i personave të cilët kanë humbur jetën në komunikacion është tepër i lartë”, tha Kelani për “Kosovapress”
Sipas tij shkaktarët kryesorë të aksidenteve me fatalitet janë tejkalimi i shpejtësisë si dhe mosvënia e rripit të sigurisë. Prishtina kryeson me numrin më të madh të aksidenteve si rezultat i frekuentimit të madh.