Prishtinë, 24 shkurt – TheFashionSpot, ka renditur 27 blogeret më të mira e të cilat duhet me patjetër të ndiqen këtë vit, ndër të cilat renditet edhe blogerja nga Prishtina, Rita Saraqi. Kjo faqe ka postuar disa fotografi të Ritës si dhe ka shkruar një biografi të shkurtër për të, si një prej vajzave të reja të cilat e kanë blogun personal dhe ku tregojnë modën e fundit dhe kombinimet për veshje. Rita Saraqi, një 22 vjeçare e cila jeton momentalisht jashtë Kosovës, ka hapur faqen e saj si blogere vetëm dy vite më parë, që është një kohë e shkurtër në krahasim me blogeret e tjera të Ballkanit, shkruan KultPlus. Stili i saj i arritshëm, ka bërë që ajo të bashkëpunojë me markat vendore dhe ndërkombëtare si Mango dhe Benetton.