Rita ndezi Prishtinën. Këngëtarja me famë botërore ka filluar performancën e saj në koncertin e organizuar për nder të pavarësisë me këngën ‘Never Let You Down’, raporton Gazeta Metro. E veshur kuq e zi, Rita e ka filluar koncertin para orës 22:00, kohë që ishte paralajmëruar fillimisht për fillimin e performancës së saj. Mijëra qytetarë të ekzaltuar me ardhjen e saj në Kosovë kanë kënduar bashkë me Ritën në një super-show që do të mbahet në mend, ashtu siç do të kujtohet ditëlindja e 10’të e shtetit tonë. “Prishtinë, Kosova, kjo është për ju”, tha Rita para se të këndonte ‘Shine Ya Light’, klipin e së cilës e kishte filmuar në Kosovë. Para se të dilte në skenë, edhe Kryeministri Ramush Haradinaj uroi qytetarët për këtë përvjetor. “Urime 10 vjetorin kosovarë, Rita është me ju”, tha ai.