Mëngjeset e hershme nga puna apo prej në shtëpi derisa konsumojmë kafenë sigurisht që nuk mund të na ikin pa ndjek dhe emisionet në televizion, e kur hapim atë – patjetër që na shfaqet Rita, vajza nga Tetova e cila krahas aktiviteteve të shumta që bën, na e zbukuron dhe ekranin me tema të ndryshme dhe të ftuar mjaft interesant. Ndonëse e njohim qoftë nga ekrani i Alsat-M dhe përditshmëria, këtë herë në InfraRed të gazetës KOHA e sjellim atë në një bisedë më ndryshe… Njihuni me anën tjetër të Rita Behadinit
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Na i përshkruani fillimet e para në gazetari. Cilat ishin arsyet që ju zgjodhët këtë profesion?
E kam parë gjithmonë gazetarinë si një mënyrë për të kontribuar për shoqërinë dhe për të ndryshuar gjërat që kam parë se duhen ndryshuar. Kam filluar të punoj fillimisht në Portalb, gjatë kohës që isha edhe studente. Patjetër që edhe gazetaria, si çdo profesion tjetër, këtu në Maqedoni ka sfidat e veta, por me kalimin e kohës adaptohesh edhe me kushtet e punës.
KOHA: Çfarë tema trajtoni në emisionin e mëngjesit?
Tema sociale të shumtën e rasteve, por nuk është se e kemi përcaktuar saktë se çfarë lloj temash do të trajtojmë. Varet edhe nga ngjarjet në vend, përshtatemi. Fokusi është te të rinjtë, duam të përkrahim talentet e reja dhe t’u japim një mundësi për t’u njohur me publikun.
KOHA: A është vështirë për ju si moderator të menaxhoni këtë emision?
Nuk ka punë të lehtë në qoftë se do ta bësh si duhet. Është e vështirë ngaqë është drejtpërdrejtë dhe punët janë të lidhura zinxhirë. Problemi më i madh është koha që duhet ta përshtatësh edhe me vonesat e mysafirëve ndonjëherë.
KOHA: A ndodh që të ftuarit për në emision të “tradhtojnë” në momentin e fundit dhe çfarë bëni atëherë?
Ndodh, madje edhe në ora 6 të mëngjesit ta anulojnë. Por gjejmë zgjidhje disi për ta mbuluar kohën e parashikuar për to. Zakonisht ne punojmë edhe në terren, kështu që kemi materiale të gatshme rezervë.
KOHA: A jeni në përgatitje të emisioneve të reja krahas këtij të mëngjesit, na thoni çfarë do të jenë dhe kur do të fillojnë, nëse po bëni?
Tani për tani e gjithë energjia jonë është e përkushtuar te emisioni i mëngjesit. Më tutje, shohim e bëjmë.
KOHA: Keni shembuj që i ndiqni në gazetari?
Nuk do kisha cekur dikë në veçanti, por gjithmonë ka njerëz nga të cilët inspirohemi.
KOHA: Si e menaxhoni kohën tuaj jashtë ekranit, keni ndonjë hobi të veçantë?
Realisht puna në televizion nuk është se të lë shumë hapësirë që të jesh larg ekranit, meqë shpesh jemi edhe në terren apo ndjekim ngjarje të ndryshme, por mua më pëlqen të lexoj gjatë kohës së lirë, novela, romane. E kam pasur hobi që fëmijë.
KOHA: Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga televizioni dhe nëse po, çfarë do bënit?
Unë televizionin e kam pasur një ëndërr që ka jetuar brenda meje pa qenë e vetëdijshme as unë vetë. Edhe nëse në periudha të caktuara mund të jem jashtë ekranit, di që do rikthehem gjithmonë.
KOHA: Duke qenë tashmë të njohur në ekran, a keni marrë ndonjë ofertë për të qenë imazh i ndonjë kompanie apo reklame të ngjashme?
Deri tani jo. Në të ardhmen edhe ndoshta do ndodh.
KOHA: Cilat janë gjërat që nuk keni mundur t’i realizoni asnjëherë në jetë?
Nuk ka diçka deri tani që nuk kam mundur të realizoj. Kam punuar shumë për ëndrrat e mia dhe gati çdoherë më janë realizuar. Nëse nuk është realizuar diçka, është sepse mund të kem hequr dorë gjatë rrugës ose e kam parë se nuk e dua me të vërtetë që të realizohet.
KOHA: Po si u gjendët apo si erdhët në emisionin e mëngjesit?
Realisht erdhi shumë papritur. Kur mu ofrua një punë e tillë, e dija se ajo ëndrra që ja kam fshehur edhe vetes po realizohej. Ndoshta pa plan, por arrita në emisionin e mëngjesit dhe më bëhet shumë qejfi që jam këtu.
KOHA: Ishte një sfidë deri diku…?
Patjetër që po, ishte hera e parë e imja si moderatore në televizion, edhe pse punën e gazetares e kam bërë edhe më herët. Më ka ndihmuar shumë prezenca e Ardit edhe përvoja e tij. Që ditën e parë më ka bërë të ndjehem shumë rehat dhe të adaptohem me kamerat.
KOHA: Gjëja e parë që menduat pasi ju ofrua kjo punë?
Isha shumë e lumtur që më jepej një mundësi e tillë, shumë shumë e lumtur. Normalisht që kisha dyshimet e mia, sepse më erdhi papritur dhe kisha në kokë edhe plane tjera, por gjithsesi e kam pranuar me shumë dashuri.
KOHA: Si ishte prova dhe ku konsistonte?
Periudha kohore prej dy orësh, sepse nuk e dija a do mund ta mbulojmë tërë atë kohë televizive dhe a do kemi mjaftueshëm për të folur. Normalisht pastaj edhe pjesa e mysafirëve, nuk e di a do të dish ta menaxhosh situatën nëse del dikush që ndoshta nuk është mësuar me kamerat.
KOHA: Vijmë te momenti i parë, kur u shfaqe për herë të parë drejtpërdrejt në këtë emision…
Kisha emocione pa fund, sepse nuk e dija si do të dalë. Po kisha kolegët prapa kamerave, që ditën e parë kanë qëndruar gjatë gjithë kohës aty. Di që në çdo shkëputje më jepnin nga një “super, shumë mirë po ja del” dhe më jepnin kurajo.
KOHA: Sa net pa gjumë, për merakun apo shqetësimet e punës?
Shumë net pa gjumë. Pjesa më stresuese është ajo e të ftuarve, sepse nuk e di kurrë se si do të dalë deri në momentin e fundit. Madje meqë kemi pasur raste që na kanë anuluar edhe në mëngjes, fle gjithmonë me rezerva. Po gjithsesi, me kalimin e kohës mësohesh ta menaxhosh situatën.
KOHA: Këto temat më të prekshme për ju, i përjetoni gjatë momentit të transmetimit?
Shumë, madje më lindin pyetje vazhdimisht dhe përfshihem plotësisht në bisedë.
KOHA: Jeni kritikë të vetes qoftë dhe në gabimet që bëni?
Patjetër që po. Që në fillim madje kur kemi gabuar diçka, e kemi përmirësuar njëri-tjetrin me Ardin aty në momentin kur ka pasur diçka gabim, edhe gjatë transmetimit. Jemi njerëz dhe është shumë normale të gabojmë. Por po, jam shumë kritike ndaj vetes dhe mundohem të përmirësohem dhe të marr në konsideratë edhe sugjerimet e tjerëve.
KOHA: Ka akoma punë për të bërë për t’u përmirësuar ende?
Gjithmonë ka hapësirë për t’u përmirësuar, gjithmonë ka hapësirë të bëhet edhe më mirë.
KOHA: Ke një vetëbesim të madh në qenien tënde, si ke ardhur deri në këtë pikë?
Me shumë punë ka ardhur edhe vetëbesimi. Kur bën diçka që e do vërtetë, punon shumë për të dhe e di se ku ke arritur dhe si. Edhe vlerësimi i njerëzve përreth të ndihmon shumë të kuptosh se sa e mirë je në diçka që bën.
KOHA: Emisioni i mëngjesit ju merr kohë, impenjim, përkushtim, vëmendje. Si arrini të koordinoheni mes familjes dhe punës?
Ka qenë sfidë në vete në fillim. Jetoj mes Shkupit dhe Tetovës, me mendje te njëra me zemër te tjetra. Por arrin t’i balancosh pas një periudhe.
KOHA: Ndiheni e kompletuar si prezantuese?
Ka gjithmonë hapësirë për përmirësim dhe për t’u bërë edhe më mirë. Njeriu mëson çdo ditë diçka të re.
KOHA: Energjikë, të zgjuar, me një profesion që e bëni më së miri… po marrëdhënie juaj me gatimin?
Unë e kam pasion, hobi gatimin. E kam pasur që fëmijë dhe vazhdon ta ketë atë efektin relaksues te unë
KOHA: Kur është kjo ditë, kur ju edhe gatuani?
Unë gatuaj gati çdo ditë, varësisht prej angazhimeve ditore. Është relaks pas një dite pune.
KOHA: E thatë që një nga ëndrrat dhe pasionet e tuaja ishte të ishit prezantues? Dhe nuk jeni penduar kurrë për këtë…
Jo dhe nuk besoj që do të pendohem ndonjëherë. Ashtu siç e kam thënë edhe më lartë, besoj që edhe po u largova për periudha të caktuara kohore, di që do dua t’i rikthehem gjithmonë ekranit dhe këtij profesioni.