Shkup, 19 dhjetor – Opera dhe Baleti Kombëtar me grant japonez prej 663.000 euro, që u zyrtarizua javën e kaluar, do të pajiset me instrumente të reja për orkestrën e saj prej 75 anëtarëve. Të hënën do ta paraqesë operën e parë shqiptare “Skënderbeu”, që është porositur për 550 vjetorin e vdekjes së këtij personaliteti historik dhe duhet të realizohet vitin e kaluar. Para 20 ditëve gjatë paraqitjes në Sarajevë me “Karmina Burana”, nga ana tjetër, OBK-ja e përmbysi rekordin thuajse 50 vjeçar të ndjeshmërisë së një shfaqjeje muzikore-skenike në “Skenderija” dhe mori ftesë për të shkuar edhe në Stamboll, transmeton gazeta KOHA.
Këto janë disa shkase për intervistën e Vaso Ristovit, i cili 15 muaj është drejtor i përgjithshëm i OBK-së, ndërsa në institucionin që e drejton tani punonte 25 vjet si trumbetuesi e parë solist deri në vitin 2010 kur u bë profesor i Fakultetit të Artit Muzikor në degën trumbetë. Është edhe seleksionues i programit muzikor të “Verës së Ohrit” në dy dekadat e fundit të këtij festivali.
Ristovi për MIA-n shprehet se udhëtimet dhe paraqitjet jashtë vendit mund t’ia lejojnë vetes vetëm në rastet kur financat janë në kurriz të nikoqirit, siç ishin gostitë në BeH muajin e kaluar dhe në Bullgari vitin e kaluar, për shkak se ende nuk mund të lirohen nga borxhet e grumbulluara ndaj kreditorëve dhe përballen me përmbarues dhe padi. Prej borxhit të trashëguar prej 800.000 eurove, janë kthyer 200.000.
Përpiqen, siç shprehet, që kjo të mos ndikojë në punën dhe në repertorin e OBK-së. Është i kënaqur nga shitja e rritur e biletave dhe nga prania e publikut, e cila ishte në numër të madh edhe të shtunën në koncertin gala të baletit të shoqëruar me ekspozitë për 70 vjetorin e ekzistimit të Baletit të Maqedonisë. Për mbështetje nga Ministria e Kulturës në vitin 2020 aplikojnë për premiera të dy shfaqjeve të operës dhe dy shfaqje të baletit.
Me grantin prej 663.000 eurove nga Japonia, OBK-ja do të marrë pajisje për zërim dhe ndriçim dhe për herë të parë instrumente të reja dhe të ndryshme. A ka filluar furnizimi, cilat instrumente do t’i marrin muzikantët dhe kur priten ato?
Jemi në marrëveshje me Agjencinë japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar (Xhajka) për listën zyrtare. Do të kemi thuajse komplet instrumente e perkusionit që nuk i kemi të kompletuara meqë janë shumë dhe vazhdimisht i huazojmë nga Filarmonia, FAM-o dhe nga Orkestra ushtarake. Me këtë donacion do ta zgjidhim këtë problem. E dimë se nuk do të kemi marimbë meqë është shumë e shtrenjtë, por do të marrim harfën të cilën nuk e kemi, e që gjithashtu është shumë e shtrenjtë. Do të marrin kontrabasë dhe instrumente të tjera.
Gjashtëdhjetë vende aplikuan dhe institucioni ynë hyri në rrethin më të ngushtë në mesin e pesë vendeve të zgjedhura për grantin nga Japonia. Kur aplikova në SÇE (Sekretariatin për Çështje Evropiane), qëllimi im ishte që të marrim komplet të instrumenteve për orkestrën, por siç filluam të kontaktojmë dhe të vijnë këtu grupe konsultuese dhe drejtorë ekzekutiv nga “Xhajka”, na propozuan të mos furnizojmë për gjithë orkestrën komplete të instrumenteve – frymore, harkore, perkusion, prej metali. Shëtitën nëpër sallë dhe e panë ndriçimin tonë, zërimin i cili është kurrfarë, karriget në të cilat ulen artistët dhe në çfarë pulte interpretojnë dhe na dhanë këshillë se ndoshta është më mirë të furnizohen karrige profesionale dhe të interpretojnë në pulte profesionale.
Kur aplikova, ideja ime ishte që instrumentet të jetë të gjitha nga “Jamaha” japoneze, por me propozim të tyre do të ketë edhe prej dy kompanive mjaftë cilësore nga Franca dhe SHBA-ja. Ndërsa pajisja për zërimin do të jetë tërësisht nga Japonia. Instrumentet do t’i marrin shumë më shpejt sesa ajo që na e thanë. Informacioni i parë ishte në vitin 2021/2022, por në takimin e fundit drejtori ekzekutiv i “Xhajka”-s më tha se do t’i marrim më së voni deri në dhjetor të vitit 2020.
Përtëritje të këtillë të instrumenteve nuk kemi pasur në OBK. Kolegët deri tani interpretonin në instrumente të tyre, ashtu siç kam interpretuar edhe unë. Në vitin 2005/2006 kur isha drejtor artistik i Operës, e atëherë drejtor i përgjithshëm ishte Mirko Stefanovski, ia dolëm që përmes Ambasadës gjermane të marrim alt-trombon dhe dy trumbeta, në vitin 2006 përmes Ambasadës së Austrisë morëm katër horne. Dirigjenti Toshiu Janagisava nga Japonia, i cili ishte angazhuar te ne, personalisht dhuroi klarinet që kushton mbi 3.000 euro. Kjo është e tëra që paraprakisht e kemi marrë nga donacionet.
Me premierën e “Skënderbeut” më 23 dhjetor e përfundoni vitin 2019-të. Kjo do të jetë opera e parë shqiptare në OBK. Është paralajmëruar tashmë dy vjet dhe duhej të ndodhte vitin e kaluar. Pse vonon dhe nëse janë ndarë mjete plotësuese për skenën?
„Skënderbeu” është porositur nga blloku shqiptar dhe filloi të përgatitet në vitin 2018. Ish ushtruesi paraprak i detyrës së drejtorit ka aplikuar në Ministrinë e Kulturës për të hyrë në Programin vjetor, por meqë atëherë nuk ka pasur dokumentacion të plotë për “Skënderbeun”, nuk u morën mjete. Ideja ishte për vitin e kaluar, por opera nuk ishte shkruar dhe ajo u prolongua për vitin 2019.
Sivjet u morëm vesh me autorët, aplikuam dhe morëm buxhet prej 3,5 milionë denarëve për “Skënderbeun”. Deri tani ky është buxheti i vetëm për këtë premierë. Nëse do të kërkojmë ende – me siguri do të kërkojmë, meqë 3,5 milionë janë pak mjete për cilëndo premierë. Është rritur shifra nga buxheti fillimisht i planifikuar për valltarë të baletit, për koristë, për nevojat në skenografi. Kur paraqiten ide të tjera, kjo i rritë çmimet.
“Skënderbeu” si premierë do të interpretohet më 23 dhjetor në orën 20. Opera është në dy akte pa pauzë dhe zgjatë një orë e 15 minuta. Kjo është opera e parë prej autorëve shqiptarë në Operën dhe Baletin Kombëtar. Këndohet në gjuhën shqipe, solistët në kastingun janë të gjithë shqiptarë – nga Shqipëria, Kosova, nga vendi ynë. Kompozitor është Fatos Lumani, dirigjenti është me prejardhje nga Tirana, ndërsa jeton në Britani të Madhe. Artistët janë të dëshmuar dhe të famshëm. Ishte planifikuar edhe Inva Mula, por për shkaqe shëndetësore anuloi.
Sa keni arritur të shlyeni borxhin e grumbulluar dhe a ndikon i njëjti në punën dhe reportorin e OBK-së?
Trashëgova borxh prej rreth 800.000 euro të bërë në dekadën e fundit. Me siguri të gjithë drejtorët paraprak kur janë bërë premiera, përtëritje të shfaqjeve, kanë marrë materiale nga kreditorët që më pas nuk i kanë paguar dhe kështu borxhi është rritur tërë kohën.
Është borxh i madh 800.000 euro dhe tani kemi presion prej atyre kreditorëve. Lëshojnë padi meqë nëse ju skadojnë tre vite, u dështojnë paratë. Është fakt se marrim vendime ekzekutive, padi, paraparadi. Përmbaruesit na trokasin në derë. Qëkur kam ardhur, arrita të kthej rreth 200.000 euro. Ndoshta edhe më tepër, do të tregojë raporti në fund të vitit.
Mora një informacion të mirë se Ministria e Kulturës do të ndihmojë me 15 milionë denarë me buxhetin për vitin 2020, në mënyrë që të mund t’i mbulojmë vendimet ekzekutive. Ministria e Kulturës i mbulon shpenzimet e rrymës, ngrohjes, ujit për objektin tonë i cili ka mbi 30.000 metra katrorë, ndërsa me mjete personale punojmë aktualisht dhe për gjithçka që duhet të blihet si material shpenzues.
Shpenzimet janë barazuar me minimumin, ndërsa rezultat i kthimit të borxhit për këto 15 muaj janë punësimet që na i aprovoi Qeveria. Punësuam 74 honoraristë dhe kemi 25 avancime në të gjashtë sektorët në OBK.
Më 30 nëntor në Sarajevë me “Karmina Burana” OBK-ja tërhoqi publik prej disa mija vetave dhe, siç u njoftua, keni përmbysur rekordin e ndjeshmërisë së një shfaqjeje që në palestrën në qendrën “Skenderija” deri atëherë e ka pasur paraqitja e Baletit shtetëror nga Kina në vitin 1971. Si arritët të shkoni me 200 njerëz si mysafirë dhe a janë të mundshme turne me një borxh aq të madh?
Nikoqir i gostisë sonë ishte Fondacioni “Amadeus” nga Sarajeva i Emir Nuhanoviq, profesor dhe ish-drejtor i Filarmonisë së Sarajevës. Në qershor ishin së bashku në një juri për garë ndërkombëtare për instrumente frymore në “Margaritarët e Ohrit” dhe ai më propozoi të shkojmë si mysafirë në Sarajevë. E zgjodhi “Karmina Burana” që e kemi rregullisht në repertorin.
Ata si nikoqirë me sponsorë të përgjithshëm na e mbuluan pjesëmarrjen meqë është e pamundshme me shpenzimin tonë, nuk kemi para për të bërë turne. Morëm pjesë me rreth 200 njerëz, edhe atë kemi shkurtuar. Ministri i Kulturës na premtoi se me 10.000 euro do të na ndihmojë ta paguajmë transportin, katër autobusë dhe sigurim për artistët. Gjithçka tjetër – akomodim në hotel me kafjall dhe nga tre mëditje për artistët na paguan nikoqirët. U treguan nikoqirë të shkëlqyeshëm, ndërsa artistët tanë ishin të kënaqur.
Në televizionet e tyre deklaroja se do të kemi rreth 2 500 publikë. Kur u nisëm para vetë ngjarjes, një varg njerëzish pritnin të hyjnë në sallën “Mirza Delibashiq” në “Skenderija”. Kishte më shumë se 6 000 njerëz. Atje ishte i gjithë kori diplomatik dhe jam i befasuar nga publiku shumë i kulturuar.
Kur mbaroi shfaqja, nga sponsori i përgjithshëm nga Stambolli morëm ftesë që të marrin pjesë atje me “Karmina Burana”. Duhet të gjejmë termin në përputhje me obligimet tona. Ndoshta do të jetë në shtator të vitit 2020 dhe do të jemi mysafirë edhe në Stamboll.
Vitin e kaluar në dhjetor me “Berberin e Seviljes” ishin në festival në Stara Zagora dhe, gjithashtu, gjithçka na paguan nikoqirët në Bullgari. Meqë me një borxh kaq të madh dhe me aq shumë artistë pjesëmarrës është e pamundur të shkojmë diku. Prandaj edhe i kërkoj ato lidhje, miqësi me kolegët e mi, kudo që të shkojmë, ata të na i mbulojnë shpenzimet.
Çfarë planifikoni për vitin 2020, për sa projekte keni aplikuar në Ministrinë e Kulturës dhe a jeni të kënaqur nga mbështetja për vitin që po e lëmë pas?
Aplikuam në qershor me dy premiera të operës dhe dy të baletit për vitin 2020. Njëra prej operave është planifikuar për hapje të Mbrëmjeve të operës të majit. Kanë qenë më parë, por disa vite nuk janë në repertorin rrjedhës. Janë harxhuar si skenografi dhe nuk janë më dhe prandaj vendosëm të bëjmë premiera të reja që më pas do të jenë në repertorin.
Jemi të kënaqur nga mbështetja dhe me punë ekonomike përfunduam gjithçka që ishte planifikuar për sivjet – dy opera dhe dy balete. Për vitin 2019 kishim buxhet prej rreth 31 milionë denarëve. Edhe për sivjet, gjithashtu, do të duhej të marrim këtë buxhet, 31 milionë me Mbrëmjet e Operës së Majit dhe plus mjetet që paralajmërohen për borxhin.
Me ndihmën e Ministrisë së Kulturës nga e cila morëm rreth 3,9 milionë denarë arritëm t’i përmirësojmë edhe ulëset që nuk ishin rregulluar mirë, filluan të lëkunden dhe të bien. Tani janë rregulluar të gjitha karriget, nga e para deri te e fundit.
Shitja e biletave është e shkëlqyeshme dhe është rritur për 57 për qind qëkur kam ardhur. Bileta kërkohen edhe nga çelja e sezonit në shtator deri tani, thuajse të gjitha shfaqjet na janë shitur, edhe atë shumë më herët.