Komiteti evropian për parandalimin e torturës, thotë se mbajta e kontakteve me botën e jashtme paraqet një rëndësi të madhe për të burgosuri, posaçërisht për familjet dhe miqtë e afërt dhe se duhet të krijohet një fleksibilitet mes vizitave dhe bisedave telefonike, në veçanti të rasteve kur familja e të burgosurit nuk jeton në afërsi
Omer XHAFERI
Shkup, 29 shtator – Institucionet ndëshkuese përmirësuese të Maqedonisë vazhdojnë të jenë larg standardeve europiane sa i përket trajtimit të personave të burgosur. Ndonëse në fillim të këtij viti me vendim të Parlamentit një numër i konsiderueshëm i personave të burgosur fituan amnisti dhe ulje të dënimeve, situata në burgjet e vendit edhe matej nuk ka ndryshuar, shkruan gazeta KOHA.
Vërejtjet e fundit për gjendjen në burgjet e vendit vijnë nga Komiteti i Helsinkit, sipas të cilëve hapësirat ku të burgosurit i vuajnë dënimet e tyre nuk disponojnë me kushtet minimale për jetesë. “Një person i dënuar i cili qëndron në burgun e Shtipit gjatë vizitës që bëmë atje nga njoftoi se është vendosur në një qeli, të dedikuar për ekzekutimin e masës disiplinore ‘izolim’. Autoritet e këtij burgu këtë të burgosur e kishin vendosur në këtë qeli për shkak të mungesës në sektorin e hapur. Fakti më shqetësues qëndron se në këtë qeli-izolimi nuk ka as ujë për pije. Njëherit gjendja e këtij të burgosuri ishte e rënduar. Ankesat tij kishin të bëjnë se nuk dërgohet për kontroll mjekësor, pavarësisht se urinon gjak”, raportojnë nga Komiteti i Helsinkit.
Dispozitat e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve, kur flasin për “izolimin” e një të burgosuri thonë se ky vendim merret në rast se i dënuari e prish rendin dhe disiplinën e Institucionit Ndëshkues Përmirësues. Ndërkohë në bazë të parimeve të Komitetit evropian për parandalimin e torturës, nënçmimit dhe trajtimit jo njerëzore “vendosja e të burgosurve në izolim në mënyrë shtesë i kufizon edhe ato pak të drejta që i gëzojnë personat e dënuar”. “Vlerësojmë se është e papranuar që personat e burgosur që vuajnë dënimin me burgjet e vendit, në mungesë të hapësirave të përshtatshme të dërgohen në izolim”, theksojnë nga Komiteti i Helsinkit. Një qëndrim të tillë të Komitetit të Helsinkit, kategorikisht e ka demantuar drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Jovica Stojanoviç, i cili për gazetën KOHA, tha se nuk është e vërtet se në mungesë të hapësirës së përshtatshme të burgosurit në burgun e Shtipit dërgohen në “izolim”.
“Ne si drejtori dhe autoritet e burgut të Shtipit në masë të madhe jemi të angazhuar që masa disiplinore e ‘izolimit’ të zbatohet në minimum. Ashtu është rasti edhe në burgun e theksuar. Mediat dhe cilido qoftë i interesuar mund të dorëzoj kërkesë për vizitë të burgjeve. Kësisoj nga vendi i ngjarjes do të vërtetohen se situata nuk është siç thuhet”, deklaroi Stojanoviç. Përveç vizitës së INP-Shtip, përfaqësues të Komitetit të Helsinkit, gjatë periudhës së kaluar kanë qëndruar edhe në burgun e Idrizovës, më konkretisht në Sektorin e femrave. Nga biseda e zhvilluar me një pjesë të të burgosurave është konstatuar se ato nuk kanë qasje deri te telefoni përmes të cilit do ti mbanin kontaktet me familjet e tyre. Në përshkrimin e parimeve që duhet zbatuar burgjet, Komiteti evropian për parandalimin e torturës, thotë se mbajta e kontakteve me botën e jashtme paraqet një rëndësi të madhe për të burgosuri, posaçërisht për familjet dhe miqtë e afërt.
Mes tjerash nga KEPT, thonë se duhet të krijohet një fleksibilitet mes vizitave dhe bisedave telefonike, në veçanti të rasteve kur familja e të burgosurit nuk jeton në afërsi. Një prej vërejtjeve kryesor që KEPT-ja ia drejtoi Maqedonisë në raportin e vitit 2016, është pikërisht qasje e kufizuar e telefonatave në burgje. Ndryshe, duke u bazuar në gjendjen aktuale nga Komiteti i Helsinkit apelojnë që të respektohen standardet ndërkombëtare dhe kushteve në të cilët personat e burgosur vuajnë dënimin me burg. Përmbushja e këtyre kushteve siç theksojnë nga ky Komitet duhet të mundësohen me qëllim zbatimin e procesit të risocializimit, i cili paraqet funksionin bazë sepse janë formuar INP. (koha.mk)