Përkundër qasjeve të kundërta, iniciativa për rishkrimin e historisë, duhet të çohet gjer në fund. A do të mjaftojnë dy vjet, sa është paraparë, që të rishkruhet historia 2500-vjeçare? A duhet paragjykuar pa e parë “produktin”? A duhet për shkak të historisë më të re, të hidhet poshtë e gjithë përpjekja për të sjellë diçka të re? Por, ka dhe një çështje edhe më thelbësore: a duhet historinë shqiptare ta rishkruajë vetëm njëra akademi?
Nga Daut DAUTI
Para dy vitesh në Shqipëri u sollën eshtrat e Mit’hatFrashërit, kreut të Ballit Kombëtar. Një veprim i arsyeshëm i një qeverie socialiste për një veprimtar nacionalist të Luftës së Dytë Botërore…Kontekst mjaft interesant, sepse partia e Edi Ramës është trashëgimtare e po asaj lëvizje që kishte qenë në anën e kundërt të nishanit me Mit’hatFrashërin… Shumëkush i vuri bisht dhe shtroi shumë pyetje “të papërshtatshme”. Sikundër që në 100-vjetorin e pavarësisë, qeveria e Sali Berishës më shumë i kushtonte rëndësi Ahmet Zogut se IsmailQemalit, edhe pse ky i dyti kishte qenë aktori kryesor i shpallës së pavarësisë…Pavarësisë si akt largpamës, i ishte vënë “konkurrencë” shtetndërtimi i Zogut… Çështje për t’u debatuar se ç’ishte më me rëndësi… Ose ndoshta dhe jo, vetëm politika mund t’i peshojë gjërat që s’duhet peshuar, sepse çdo ngjarje e ka vendin e vet, si gurët e murit të një kalaje.
Polemikat që para dy vitesh ishin hapur rreth figurës së pinjollit të Frashëllinjve të famshëm, duket se nuk e mbyllën kapitullin e interpretimeve për të, sepse disa tema duket se asnjëherë nuk kanë përfundimin fatlum. Në “plagën” e vjetër, përherë mund të hidhet kripë dhe të përskeqet. Pikërisht këto ditë u hapën debate rreth Mit’hatFrashërit, por në një kontekst të ri, sepse Akademia e Shkencave dhe Arteve e Shqipërisë, ka bërë një grup punues që do të rishkruajë historinë 2500 vjeçare të shqiptarëve ne dy-tri vëllime, me pretendime edhe të rishikimit të të vërtetave që janë bërë klishe për shkak të këndvështrimeve ideologjike të deritashme. Pëllumb Xhufi, udhëheqës i ekipit për hartimin e historisë së re thotë se është “një tekst ndryshe, një vepër sintetike në 3 vëllime, një tekst reference për albanologet e huaj” si dhe “do të sillen shumë dokumente të reja për mesjetën nga arkivat e Vatikanit, Venecias dhe Spanjës”… sepse “historia nuk nis me Skënderbeun…”
Ka shumë ngjarje e figura që do t’i joshin historianët për t’i parë në dritë të re(historisë shqiptare i mungojnë shumë material faktorgrafik për këtë) dhe më të plotë, nëse do të ishte e mundur. Edhe se çfarë termash do të përdoren? Çfarë ka qenë pushtimi osman? A ka gjë të re për Skënderbeun? Çfarë ka qenë Ali Pashë Tepelena, despot oriental që ka pasur synim pushtetin personal, apo vizionar që ka dashur të krijojë shtet shqiptar?… Dhe tema më e diskutuar në vazhdimësi, LNÇ-ja, luftë qytetare apo çlirimtare, roli i lëvizjeve tjera si Balli, Legaliteti etj. kundrejt okupatorëve italianë dhe gjermanë, regjimi komunist dhe Enver Hoxha…Të mirat e të këqijat, të mirët dhe të këqijtë…
Një mision tepër i vështirë për ta marrë aq lehtësisht dhe pa paragjykime.
Më të vështirë e bëjnë misionin pikërisht këndvështrimet nga skaji në skaj i deritashëm. Sepse, përderisa glorifikimet joshkencore janë bërë për çështje ideologjike, edhe përbaltja e mëpastajmee tyre është bërë në ekstrem: në emër të rehabilitimit ose rishkrimit, janë glorifikuar figurat e reja që kanë qenë në anën e kundërt.
Këtu hynë rasti i Mit’hat Frashërit, ndoshta për ta problematizuar punën e Akademisë që në fillim, duke i vënë në pikëpyetje qëllimet por dhe autorët që do të merren. Epsponentë të “frymës së re” të rishkrimit, siç është historiani Uran Butka, do t’i shpallë luftë njërit nga historianëve të akademisë, Paskal Milos, i cili kohë më parë kishte nxjerrë një burim historik në të cilin bëhet fjalë për një marrëveshje të këtij nacionalisti shqiptar me një nacionalist-shovinist grek, Napolon Zervën, të cilit historia i adresohet për gjenocidin ndaj çamëve! Siç shpjegoi edhe Pëllmb Xhufi, i cili mori anën e Paskal Milos, dokumenti është ai që është dhe flet për një marrëveshje për konfederatë midis Greqisë dhe Shqipërisë, por shton se fati që greku ka pas pretendime më të mëdha(gjer në Shkumbin) dhe nuk është pajtuar me kufijtë e Shqipërisë së 1913-tës dhe kështu projekti ka dështuar!
Pse iu desh Paskal Milos ende pa filluar vërtet puna e grupit të Akademisë për rishkrimin e historisë për t’i bërë “atentat” M. Frashërit dhe a është pikërisht ashtu si e prezantoi “të renë” në faktografinë historike? Pikërisht atë që Uran Butka ia hedh poshtë duke thënë se tashmë është shkruar për një takim të nacionalistëve shqiptarë dhe atyre grekë, porse kjo ka ndodhur para se të dëbohen çamët nga trojet e tyre dhe se takime të ngjashme kanë pasur edhe komunistët e Enver Hoxhës jo vetëm me komunistët jugosllavë por dhe me ata grekë? Madje dhe me gjermanët.
Tash ka këtu një problem serioz në parim që shkakton keqkuptime. A nënkupton rishkrimi i historisë“heqjen” nga skena ata që i ka vënë ideologjia dhe të zëvendësohen të tjerët, apo Akademia shqiptare mëton të pozicionojë edhe më fortë ata që janë glorifikuar deri tash? Pikërisht kryetarit të Akademisë, Skënder Gjinushit, ia zënë për të madhe që ka pohuar se nuk ka pasur luftë qytetare në Luftën e Dytë Botërore, me çka ai i pozicionon edhe më fortë komunistët?
Por, duket se edhe ithtarët e rishkrimeve jo oficiale, sikur janë përjashtues apriori, sepse duan t’i hedhin në plehun e historisë një garniturë figurash si të këqij, antikombëtarë, jo demokratë dhe t’i zëvendësojnë me të tjera figura, duke pretenduar një pastërti ideale të tyre? Te shembulli i Mit’hat Frashërit, Enver Hoxhës, komunistëve e nacionalistëve, biem ndesh me kriteret e vlerësimit, futja e shkencës së historisë në fushën e interpretimeve ideologjike, e cila para së gjithash e ka kriter “gomën” me të cilën fshihen të parët për t’i vënë të tjerët në vend të tyre! Dhe këta të tjerët, për t’i paraqitur me pastërti hyjnore, të pa njollosur, kombëtarë shembullorë të cilët nuk kanë bërë kurrfarë kompromisesh apo gabimesh…Ndaj dhe apriori hedhin poshtë çdo mundësi “njollosjeje” të favoritëve të tyre historikë, sikur ata të mos kenë gabuar.
Kurse të vërtetat janë ato që janë, ato që edhe pa histori të ideologjizuar, mbeten fakte. Për luftën e dytë botërore është fakt se në krahun e aleancës antifashiste ishin komunistët dhe pikërisht kjo nuk mund t’u hiqet si meritë. Ramiz Alia pat thënë, sigurisht që me të pajtohet shumëkush, se pa atë lëvizje antifashiste kushedi çka do të ndodhte me Shqipërinë nëpër Jalta e gjetiu ku ndaheshin sferat e interesit dhe viheshin edhe kufij të ri. Tash argumentit se komunistët shqiptarë kanë qenë servilë të komunistëve jugosllavë, më saktë disa emisarëve të dërguar nga Tito, me çka atyre ua përlyejnë edhe meritat e luftës antifashiste, i kundërvihet një dokument edhe për nacionalistin e madh Mit’hat Frashërin, i cili ndryshe nga komunistët që kanë bashkëpunuar me Dushan Mugosha e Milladin Popoviqa, të ketë bashkëpunuar me, hiq më pak, Napolon Zervën…
Situatë e pakëndshme…E keni parasysh se ku është debati? Domethënë, nëse del e saktë se Mid’hat Frashëri ka pasur për qëllim që me Napolon Zervën të bëjë konfederatë greko-shqiptare, atëherë, nacionalistëve që kaherë kanë dashur ta rishkruajnë historinë, s’u mbetet më argument për ta mbrojtur pasivitetin(nëse kjo nuk është një nga klishetë e deritashme) e lëvizjeve nacionaliste në luftën e dytë botërore kundrejt okupatorit, se ja, edhe ata, njësoj si Enveri që ka dashur Shqipërinë ta bëjë republikë të shtatë të Jugosllavisë, M. Frashëri paska dashur të njëjtën, por me grekët!
Këto debate flasin se ku mund të çojë shkrimi bardh e zi i historisë, ku rolet ndahen në mënyrë strikte si nëpër filmat partizanë që i kemi parë e jemi ngopur ku partizanët janë të mirët, kuptohet, e ballistët dhe të tjerët, kolaboracionistë. Gjithsesi, ka shumë arsye e shkase për të shkruar kështu ose ashtu, edhe për kolaboracionizmin, por flakja e bardh-e-zisë nga këndvështrimi, të çon te nuancat, të cilat as njëra as pala tjetër e historianëve, ndoshta nuk i shikojnë në plotëni, prandaj dhe nevojitet kontekstualizimi.
Dhe sigurisht se kjo do ta bëjë të vështirë rishkruarjen e historisë së re të paideologjizuar, sepse nëse në projekt do të kyçet vetëm historianë të një provinience (të afërt me “të majtët”,) siç mund të duket, ose nëse edhe kyçen edhe të tjerët(të afërt me “të djathtën”), prapë mund të komplikohen gjërat. Në rastin e parë do të kemi një latim të butë të asaj që është ditur e shkruar gjer tani, e në rastin e dytë mund të mos ketë harmonizim, nëse insistohet në mënyrë absolute në qasjet e kundërta tyre.
Nuk është vetëm Uran Butka, historiani që zbuloi se në masakrën e Tivarit kanë gisht edhe partizanët shqiptarë, i dëshpëruar me nismën e Akademisë. Kështu, historiani tjetër, Ermal Frashëri, i diplomuar në Universitetin e Harvardit dhe pedagog në këtë universitet, do të thotë se projekti i Akademisë së Shkencave për Historinë e re, “është i tejkaluar, një model zyrtar tashmë i dështuar”. Sepse “ideimin, konceptimin, udhëheqjen, financimin, botimin, si edhe përzgjedhjen e historianëve pjesëmarrës në komisionin hartues, e ka bërë vetë Akademia sipas preferencave të saj, pa projekte konkurruese”, duke e quajtur madje këtë shumë të ngjashëm si më parë, sepse“të gjitha botimet zyrtare të “Historisë së Shqipërisë” kanë qenë tejet të politizuara dhe të deformuara historikisht”.
Përkundër këtyre qasjeve të kundërta, çështja duhet të çohet gjer në fund. A do të mjaftojnë dy vjet, sa është paraparë, që të rishkruhet historia 2500-vjeçare? A duhet paragjykuar pa e parë “produktin”? A duhet për shkak të historisë më të re(athua çështja e luftës së dytë botërore dhe e komunizmit është çështja ku duhet të kontestohen historianët tanë?!), të hidhet poshtë e gjithë përpjekja për të sjellë diçka të re?
Mendoj se shqiptarët duhet ta rishkruajnë historinë me sa më pak ideologjizim dhe glorifikim, e me sa më shumë objektivitet. Për vete, e jo ta rishkruajnë sipas kushtëzimeve që mund t’ua venë fqinjët, siç po ndodh me relacionet bullgaro-maqedonase, ose madje edhe nga kërkesa e njëanshme e ndonjë aleati shqiptar, i cili vetë nuk e bën atë që e kërkon prej nesh.
Por, një gjë nuk u tha në këto debate rreth iniciativës është diçka më thelbësore se gjithçka: në ekipin e Pëllumb Xhufit dhe Neritan Cekës (si koordinatorë apo udhëheqës) a mjaftojnë vetëm dy historianë nga Kosova, por edhe më esenciale se kjo: a duhet që historinë shqiptare ta rishkruajë vetëm Akademia Shqiptare?
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)