Me rishikimin e Buxhetit i cili është në procedurë parlamentare shkurtohen mjete për investime kapitale, ndërsa në llogari të kësaj do të ketë rroga më të mëdha për administratën, subvencione, punësime të reja etj. Opozita këto propozime të shumicës i shohin si masa populiste dhe përgatitje për zgjedhje, ndërsa partitë shqiptare parlamentare kanë dorëzuar vetëm 32 amendamente
Destan JONUZI
Shkup, 26 shtator – Qeveria vazhdon me avazin e masave populiste, ndërsa propozimet e saj për rishikimin e Buxhetit shërbejnë për blerje votash, thonë partitë opozitare, duke komentuar masat e propozuara të ekzekutivit për rishikim të buxhetin, shkruan gazeta KOHA. Debati parlamentar nëpër komisione është në vijmë dhe kanë ngelur edhe pesë ditë nga dita kur ai do të gjendet para deputetëve për tu votuar në seancë plenare. Partitë politike shqiptare, BDI, ASH dhe Lëvizja BESA kanë dorëzuar gjithsej 32 amendamente, nga 391.
“Aleanca për Shqiptarët ka dorëzuar 20 amendamente të cilët kanë të bëjnë me çështje të ndryshme, që nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Ne si parti këto shqetësimi i kemi ngritur edhe gjatë miratimit të Buxhetit. Ky është rishikim dhe nuk ka kohë që të përmirësohet ajo që nuk është realizuar për 8 muajit e kaluar, megjithatë ne përsëri po i rikujtojmë dhe aktualizojmë disa prej tyre. Siç janë shkollat në Reçicë, Bllacë, sanimi i rrugës deri në Qafë Thanë, vazhdimi i autostradës së korridorit 8 deri në Qaf Thanë, termoelektrana e Osllomeit që ndotë atje ajrin dhe shumë çështje tjera të pazgjidhura, sidomos në vendbanimet shqiptare”, deklaroi për KOHA, deputeti i ASH-së Syrija Rashidi. Sipas tij, Qeveria Zaev në të gjitha buxhetet theks e vë në politikat sociale dhe masat populiste, të cilat janë në dëm të investimeve kapitale.
“Investimet kapitale në vend kanë rënie të madhe dhe kur mungojnë ato nuk mund të flitet për zhvillim. Ato janë dëshmia më e mirë për zhvillimin e një vendi”, nënvizoi Rashidi.
Lëvizja BESA e Bilall Kasamit ka dorëzuar 7 amendamente, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë, rrugë, ujësjellës, kanalizime etj.
“Sipas planifikimeve me rishikim të Buxhetit dhe me masa populiste, Qeveria më së shumti duket se po përgatitet për zgjedhje. Fokusi i Qeverisë më së shumti është në punësimet e reja, por edhe atje ku pritet të ketë ndonjë investim të vogël krijohet atmosfera që të sjell më shumë pikë politike për pushtetin. Esenca e ndryshimeve shihet, ndërsa investimet kapitale janë në nivel shumë të ulët. Qeveria ndoshta gjente arsye në vitin 2017, 2018, por tani në vitin 2019 nuk ka asnjë arsye që investimet kapitale të jenë kaq të ulëta”, deklaroi për KOHA, Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes BESA.
Edhe partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka dorëzuar vetëm 5 amendamente, të cilat grupit parlamentare i janë sugjeruar nga krerët komunal të kësaj partie. “Në bazë të kërkesave që kemi marrë nga kryetarët e komunave, kemi përpiluar edhe amendamentet tona. Grupi parlamentar i BDI-së, ka dorëzuar 5 amendamente, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me projekte infrastrukturore në disa fshatra dhe komuna më të mëdha shqiptare”, deklaroi Rexhail Ismaili, deputet i BDI-së.
Ndërkohë që vetëm grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar 340 amendamente, apo 90 për qind të totalit të atyre që janë dorëzuara.
“Vlerësojmë se ky rishikim është skajshmërish qesharak, pasi që po shkurtohen mjetet nga investimet kapitale, ndërsa shtohen në shpenzime joproduktive, gjegjësisht në nepotizëm dhe populizëm. Arsyeja e kësaj është gjendja e rëndë ekonomike në shtet, fundosja e ekonomisë, rritja e ngadaltë e investimeve kapitale, ndërsa sipas projeksioneve tona pas këtij rishikimi investimet kapitale do të jenë edhe më të ulëta. Në momentet kur LSDM-ja ka skajshmërish rejting të dobët për shkak të një varg skandalesh korruptuese, është e qartë se po tenton që të tregton me besimin e qytetarëve nëpërmjet masave populiste të cilat nuk janë afatgjate”, deklaroi për KOHA, Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Nga kjo parti njoftojnë se amendamentet e tyre kanë të bëjnë me arsimin, shëndetësinë, ambientin jetësor, por edhe për sfera tjera të jetës për të cilat kjo parti ka vlerësuar se janë në gjendje kaotike.
ÇKA SHKURTOHET DHE ÇKA SHTOHET?
Me rishikimin e Buxhetit parashihet rritje e pagave në adminitsratë, shëndetësi, arsim, polici, kulturë, mbrojtje. Më shumë mjete do të ketë edhe për Fondin Pensional. Janë paraparë mjete edhe për subvencionim të pagave më të mëdha, masave për stimulimin e punësimit, ilaçe për sëmundje të rralla, para për kthimin e TVSH-së, si dhe rritje të subvencioneve për bujqësi. Ndërsa, më shumë para do të ketë edhe për mëditje në gjyqësor dhe prokurori.
Nga ana tjetër, do të shkurtohen mjetet për investime kapital. Qeveria ka planifikuar që të shkurtohen 53 milionë euro, gjegjësisht 420 milionë euro të parapara ti ulë në 370 milionë euro. Po ashtu, shkurtohen edhe mjete të parapara për hekurudhat, shkollat, çerdheve, konviktet studentore dhe nga zhvillimi rural. Me këtë rishikim të Buxheti ndahen mjete për rritjen e pagave deri në 6 mijë denarë në sektorin privat.
Qeveria për çdo rritje të pagës do ta mbuloj pagesën për sigurim pensional. Vetëm për subvencionimin e rrogave janë planifikuar 400 milionë denarë, gjegjësisht 7 milionë euro, ndërsa 3.5 milionë euro janë paraparë për masa për stimul të punësimit. (koha.mk)