Zejnulla VESELI
Shkup, 7 qershor – Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, si pasojë e krizë së gjatë politike, Ministria e Financave ka shumë pak hapësirë për të manovruar më të hyrat në buxhet, prandaj hapi i parë që duhet të bëj ministri i Financave, është të përgatisë rishikim të buxhetit dhe i njëjti sa ma shpejtë të gjendet para deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë për shqyrtim dhe miratim. Kështu vlerësojnë për gazetën KOHA ekspertët ekonomik pas paralajmërimit të kryeministrit Zoran Zaev, se në vjeshtë patjetër do të duhet të miratohet rishikimi i buxhetit. Sipas tyre, rishikimi duhet të ndodhë tani, në 100 ditët e parë të qeverisjes. Është me rëndësi që qeveria patjetër të bëjë një rishikim të buxhetit, para se gjithash për shkak të të hyrave të ulëta në buxhet gjatë 5 muajve të parë si dhe për shkak të mos realizimit të investimeve kapitale.
Bllagica Petreska, eksperte ekonomike, thotë se rishikimi i buxhetit mund të bëhet edhe gjatë verës, mirëpo duhet bërë kujdes që të mos shpejtohet me miratimin e rishikimit të buxhetit. “E para, është më se e domosdoshme të bëhet një skanim i buxhetit, e më pas të sillet vendimi për rishikim potencial të buxhetit”, thotë Peterski. Sipas saj, është më se i nevojshëm rishikimi i buxhetit si dhe emetimi i eurobligacionit dhe kjo varet kryesisht nga dy faktorë kyç, nga situate momentale me borxhin publik dhe e dyta nga masat që duhet të merren gjatë periudhës së ardhshme, gjegjësisht sa është vlera e detyrimeve të papaguara ndaj institucioneve të huaja financiare.
“Në njërën anë ekzistojnë masa që janë paralajmëruar të realizohen, siç është rritja e rrogës minimale, përkrahja financiare e kompanive vendore si dhe një sërë masash aktive që nuk mund të anulohen, të cilat i bëjnë shtypje buxhetit sa i përket shpenzimeve buxhetore. Në anën tjetër, ekziston plan për vendosjen e shkallës tatimore progresive, që do të ndikonin drejtpërdrejtë në mbushjen e buxhetit. Nisur nga kjo, implikimet fiskale nga këto masa si dhe vlerësimet për borxhin publik, do të jepnin informacionin e saktë se rishikimi i buxhetit do të behet verës apo në vjeshtë dhe cilat do të jenë mënyrat për financim të buxhetit. Si rezultat i gjithë kësaj, nuk është e rekomandueshme që të miratohet sa më shpejtë rishikimi i buxhetit”, thotë Bllagica Peterska, eksperte ekonomike.
Për akademikun Abdylmenaf Bexheti, rishikimi i buxheti në shtator është i vonshëm dhe kjo duhet ndodhë sa ma shpejtë dhe jo pas katër muajve.
“Nëse mbetet përcaktimi i kësaj qeverie që rishikimi i buxhetit të bëhet në shtator, atëherë ndoshta mund të jetë çështje e vonuar. Paramendoni t’i lejoni edhe katër muaj kohë shfrytëzuesve buxhetor të harxhojnë para sipas masave të planifikuar nga qeveria teknike apo qeveria e mëparshme. Çfarë mjete mund të racionalizohen apo të shkurtohen për vitin fiskal të tre mujorit të parë. Pothuajse asgjë, përveç investimeve kapitale të parealizuara. Ajo që për momentin është e patjetërsueshme, është rishikimi i buxhetit. Siç duket, disa ende nuk e kanë të qartë se taksimetri ka filluar të punojë që nga 11 dhjetori i vitit të kaluar dhe tani jemi në muajin qershor të këtij viti”, thotë Bexheti.
Sipas Bexhetit e para gjë që duhet të bëjë kjo qeveri, është të zbatojë disa vendime të shpejta në sektorin e politikave financiare. Pas tre muajve në shtator mund të bëhet rishikimi i dytë i buxhetit. ”E para, qeveria duhet t’i bëjë një ekspertizë të thellë dhe në detaje buxhetit aktual dhe në bazë të analizave që do të dalin nga kjo ekspertizë, menjëherë të kërkojë rishikim të buxhetit dhe aët mundësisht jo më vonë se një muaj. Si hap i dytë, të ndryshojë sistemin e dizajnimit të inxhineringut fiska,l pra së pari politikat fiskale e më pas buxheti si instrument apo anasjelltas. E treta zbatimi i rregullit së artë fiskale, që do të thotë asnjë huazim të ri për harxhimet rrjedhëse të buxhetit, përveç investimeve kapitale “, thotë akademiku Abdylmenaf Bexheti. Ndërkohë, edhe Petreski edhe Bexheti kërkojnë nga qeveria që transparenca fiskale të jetë imperativ kryesor, sepse qytetarët kanë të drejtë absolute të dinë se si harxhohen paratë e tyre dhe se Ministri i Financave shumë shpejtë do të del dhe do të bëjë publike të gjitha harxhimet më të gjitha detajet se si Qeveria e mëparshme ka harxhuar çdo denarë të qytetarëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara