Kompanitë vendore të industrisë së tekstilit duhet të riorientohen në atë lloj të prodhimtarisë ku do të jenë konkurrues në tregjet e jashtme duke prodhuar. Një pjesë e kompanive nga ky sektor, duke mos përballuar harxhimet, po fillojnë të merren edhe me hotelieri, po investojnë në kapacitete për prodhimin e energjisë diellore , madje edhe po mbyllen
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 shkurt – Çështja kryesore e zhvillimit ekonomike të vendit dhe punës së efektive të industrisë në përgjithësi si shtyllës kryesore ekonomike në shtet, mbetet mungesa e fuqisë punëtore. Në industrinë e tekstilit që aktualisht punojnë mbi 30 mijë të punësuar, kjo çështje është edhe më e theksuar, andaj një pjesë e kompanive nga ky sektor, duke mos përballuar harxhimet po fillojnë të merren edhe me hotelieri, po investojnë në kapacitete për prodhimin e energjisë diellore , apo edhe po mbyllen. Të dhënat statistikore tregojnë se në vitin 2012 kanë punuar 1096 kompani në këtë sektor, ndërsa në vitin 2017 në këtë veprimtari kanë punuar 953 kompani. Gjithashtu në vitin 2019 ky sektor po shënon ulje të eksportit për 38 milionë euro në raport me vitin 2018, apo nga 581 në 543 milionë euro.
Por jo vetëm mungesa e fuqisë punëtorë që po ik në Gjermani , por edhe produktiviteti i ulët, kriza aktuale me korona virusin në Itali, vështirësitë që në të ardhmen të zëvendësohen edhe punëtorët që do të pensionohen, pagat minimale që po rriten më shpejt se produktiviteti i sektorit të tekstilit, po kërcënojnë punën e fabrikave të tekstilit, vlerëson Organizata e Punëdhënësve së Maqedonisë. Sipas kreut të saj Angel Dimitrov, çështje e të gjitha çështjeve për fabrikat vendore dhe ekonominë e vendit është eksodi i të rinjve jashtë që nevojitet që së paku të zbutet si problem në mos të ngadalësohet.
“Nëse flasim për fabrikat e tekstilit, veshmbathjes apo lëkurës atëherë investimi në pajisje të reja dhe moderne të punës, sundimi i së drejtës, luftimi i ryshfetit , korrupsionit dhe ekonomisë informale, reforma në arsim që nënkupton stimulimin e regjistrimit në shkollat e mesme profesionale apo regjistrimi në fakultetet teknike në vend të atyre shoqërore, si dhe krijimi i brendeve do të ndihmonte punën e saj”, thekson Dimitrov.
Sipas tij, reformat strukturore në ekonomi janë kryesore që të kemi produktivitet më të lartë në prodhimin industrial, si dhe vlerë më të lartë të shtuar që në fund do të sjell edhe paga më të larta. Dimitrov shton se rritja e pagës minimale që nuk mund ta përballojnë një pjesë e fabrikave të tekstilit ka ulur për 12.6 për qind në periudhën dhjetor 2018-dhjetor 2019. Në ndërkohë, profesori universitar Darko Llazarov, thotë se ekonomia vendore për të ecur para nevojitet të ketë finalizim më të madh të prodhimeve të saja, apo të posedojnë vlerë më të lartë të shtuar, për shkak se sipas tij struktura e keqe e eksportit të industrisë vendore po sjell edhe nivel të ulët të pagave dhe për rrjedhojë edhe standard të ulët jetësor. Ai është kundër rritjes së pagës minimale me masa administrative, por thekson se ajo mund të rritet vetëm përmes rritjes së produktivitetit.
Llazarov thekson më tej se në të ardhmen patjetër se nevojitet të rritet produktiviteti i një punëtori në këto sektore, për shkak vetëm një i punësuar në vit prodhon vetëm 6585 euro, ndërsa në këtë total 85 për qind e mjeteve shkojnë për paga. Ai është kundër rritjes së pagës minimale me masa administrative,por thekson se ajo mund të rritet vetëm përmes rritjes së produktivitetit.
“Kompanitë vendore të këtij sektori nevojitet të orientohen në atë lloj të prodhimtarisë ku do jenë konkurrues në tregjet e jashtme duke prodhuar , bie fjala, veshje për skiatorët”, shton më tej Llazarov. Sipas tij, për rëndësinë e këtij sektori për eksportin e shtetit flasin edhe shifrat ku prej 1500 kompani eksportuese bile 252 janë nga sektori i tekstilit, veshmbathjes dhe lëkurës. (koha.mk)