Omer XHAFERI
Shkup, 13 nëntor – Ndryshimet në sistemin gjyqësor të Maqedonisë, përfshirë edhe lëvizjet e fundit në Gjykatën Penale të Shkupit, nuk mund të ndodhin përderisa korniza juridike e ligjeve sistemore mbetet e njëjtë. Faktin se për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor, fillimisht duhet të bëhen ndryshime në Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjin për gjykatës, në një prononcim për gazetën KOHA e ka përsëritur edhe profesori universitar Mitasim Beqiri. Duke e komentuar zgjedhjen e gjykatësit Ivan Xholev për kryetar të ri të GJPSH-së, profesor Beqiri është shprehur skeptik se mund të ndodhin ndryshime thelbësore, për shkak se ai mendon se kaosi në gjyqësor nuk mund të zgjidhet me deklarata politike.
“Kur jemi te çështja shqiptare, e cila lidhet me sistemin gjyqësor në vend, unë nuk e di pse gjykatësit edhe prokurorët shqiptarë nuk prononcohen, pse ato nuk i ndajnë mendimet e tyre, pse heshtin, ose sepse janë pjesë e korrupsionit gjyqësor? Zgjedhja e Xholevit për kryetar të GJPSH-së është vetëm një fasadë. Realisht, korniza ligjore atij nuk i jep shumë hapësirë për veprim. Mendoj se të vetmen punë që mundet ta bëjë Xholevi është që GJPSH-në ta rregulloj përbrenda, në drejtim të mbikëqyrjes se ndarjes së lëndëve gjyqësore. Një kryetar i gjykatës nuk mund të ndikojë te asnjë gjykatës se si duhet ta procedoi një rast, kur ky i fundit kryekëput është i korruptuar”, tha profesori Beqiri. Caktimi i gjykatësit Xholev, në krye të GJPSH-së, vjen në një kohë kur pritet të zgjidhet edhe kryeprokurori i ri, i cili sipas të gjitha gjasave, do të jetë prokurori Lubomir Jovevski. Ndërkohë, kryetari aktual i GJPSH-së, Ivan Xholev, për opinionin është i njohur edhe për përplasjet e vazhdueshme me kolegët e tij brenda Gjykatës, ndryshe të njohur si “ekipi i svarovski gjykatësve”. Pjesë e përditshmërisë së GJPSH-së, si palë në më shumë procese gjyqësorë, vite me radhë është edhe avokati Naser Raufi, i cili zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykatë e vlerëson si një vendim të duhur të Këshillit Gjyqësor. Me rëndësi të veçantë në këtë rast, siç thotë avokati Raufi, është se gjykatësi Xholev posedon aftësi të mira organizative dhe çka është më e rëndësishme – Raufi thotë se ndryshe nga të tjerët, ai është guximtar. Fillimisht, avokati Raufi, ngjashëm si profesori Mitasim Beqiri, vlerëson se puna e Xholevit do të reflektojë në organizimin e brendshëm të gjykatës, e cila për momentin është në një shkallë të lartë të marrëdhënieve të prishura mes gjykatësve.
“Gjykatësit e aftë mendoj se përsëri do të kthehen për shqyrtim të lëndëve në Sektorin për krim të organizuar, kurse gjykatësit e caktuar nga Pançevski, pritet t’i procedojnë lëndët për kundërvajtje. Kur jemi të çështja shqiptare në gjyqësor, jam i mendimit se minimumi që mund të bëhet në GJPSH-ë, është që zëvendësi i kryetarit aktual të jetë shqiptar, në këtë rast gjykatësi Osman Shabani, i cili po ashtu konkurroi për postin e kryetarit. Për momentin, në këtë gjykatë sipas informacioneve që i posedoj, janë të angazhuar vetëm dy gjykatës, respektivisht përveç gjykatësit Shabani, gjykatës tjetër shqiptar është Pajazit Pajaziti”, tha për KOHA, avokati Raufi.
Ndryshe, në Sektorin për krim të organizuar në GJPSH-së, nuk figuron asnjë gjykatës shqiptar i cili mund të procedoi lëndë të kësaj natyre. Për t’u përmirësuar kjo situatë, avokati Naser Raufi thotë se minimum duhet të punësohen shtatë apo tetë gjykatës shqiptarë. (koha.mk)