Rinovohet konvikti për nxënësit e shkollave të mesme

20

Nga ky konvikt njoftojnë se kur do të fillojë viti shkollor, po ashtu një nevojë tjetër do të jetë edhe angazhimi i punëtorëve të higjienës, pasi që do të ketë rregulla të rrepta në funksionimin e këtyre institucioneve ku do të qëndrojnë nxënësit

Urim HASIPI

Gostivar, 22 shtator – Në prag të fillimit të vitit shkollor 2020/2021, konvikti për nxënësit në Gostivar po bën përgatitje intensive për të pritur nxënësit që do të vijnë nga qytetet tjera të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga drejtoria e këtij konvikti njoftojnë se është duke u punuar në rregullimin e nyjave sanitare në pjesën për vajzat, kurse paraprakisht janë rregulluar dhomat, janë lyer korridoret dhe çdo ambient tjetër ku do të akomodohen nxënësit. Drejtoresha e këtij konvikti, Lindihana Sallai Sulejmani ka bërë të ditur se periudha e pandemisë u ka dhënë shumë mundësi që të bëjnë ndërhyrje, pasi që kanë patur mundësi që të kursejnë mjete. “Me mjetet tona vetanake kemi arritur që të bëjmë renovimet e nevojshme. Kemi kursyer mjete gjatë kohës së pandemisë dhe kemi rinovuar banjot të cilët deri më tani nuk i plotësonin kushtet minimale higjienike. Janë duke u rinovuar dy katet dhe vlera e investimit është diku rreth 2 milion denarë. Mendoj se do t`i presim vajzat kryelartë si drejtori, sepse u kemi premtuar se do t`i përmirësojmë kushtet higjienike. Janë bërë rregullime të dhomave të fjetjes, korridoret janë lyer, kemi krijuar një ambient të mirë për nxënësit. Pas përfundimit të pjesës së femrave, do të fillojmë që të punojmë edhe në përmirësimin e kushteve në pjesën e djemve”, tha drejtoresha Sulejmani.

Në këtë konvikt ka kapacitet për 250 nxënës, por me qëllim të respektimit të distancës dhe protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë, drejtoria e konviktit për nxënës të shkollave të mesme në Gostivar ka shtuar kapacitetet akomoduese, duke krijuar dhoma të reja nga kapacitetet që posedon objekti, dhe bëhet fjalë për hapësira të cilët deri më tani nuk janë shfrytëzuar. “Për momentin ende nuk e kemi përcaktuar se kur dhe si do të fillojmë. Jemi duke punuar për rritjen e kapaciteteve. Momentalisht mund të akomodohen 250 nxënës, por kemi hapësira të pashfrytëzuara, dhe të njëjtat jemi duke i kthyer në ambiente të cilët do të jenë në shërbim të nxënësve”, deklaroi ajo.

Varësisht nga buxheti që do të kenë në dispozicion për periudhën që vjen, janë paraparë rregullime edhe në pjesën e djemve të cilët nuk janë rinovuar plotësisht. Krahas kësaj, nga ky konvikt njoftojnë se kur do të fillojë viti shkollor, po ashtu një nevojë tjetër do të jetë edhe angazhimi i punëtorëve të higjienës, pasi që do të ketë rregulla të rrepta në funksionimin e këtyre institucioneve ku do të qëndrojnë nxënësit. Momentalisht për higjienën në këtë konvikt kujdesen dy punëtorë, kurse nevojat janë që të ketë edhe dy punësime. Përveç qëndrimit në këtë konvikt, nxënësit marrin edhe ushqimin, dhe për këtë qëllim para pak kohe është bërë rregullimi i tërësishëm i kuzhinës dhe adaptuar sipas protokolleve për mbrojtje të shëndetit nga virusi Covid 19. (koha.mk)

Comments are closed.