Shkup, 7 qershor – Pas disa dekadave hapësirat e Klinikës universitare për kirurgji plastike dhe rikosntruktive në Shkup, tërësisht janë rinovuar, ndërsa në mënyrë të plotë është ripërtërirë instrumentariumi kirurgjik dhe një pjesë e pajisjes. Klinikën sot e vizituan kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Pacientëve u mundësojmë shërbim kulminant mjekësor, duke i ndjekur standardet më të reja botërore në kirurgjinë bashkëkohore plastike dhe rikosntruktive. Njëkohësisht janë përmbushur kushtet për parandalim të infeksioneve interspitalore në pajtim me standardet e Organizatës botërore të shëndetësisë”, deklaroi Zaev pas vizitës.
Kryeministri informoi se krahas kësaj, ekipi i kirurgëve plastikë i Klinikës nën kryesimin e profesorit Oskar Azman nga Universiteti mjekësor në Vjenë, i cili është profesor vizitues në Fakultetin e mjekësisë në Shkup për herë të parë kryen një ndërhyrje të komplikuar operative. Theksoi se edhe më tej mbetet t’i përsosin personat mjekësorë, ta rrisin kapacitetin e tyre përmes bashkëpunimit me ekspertë të shquar.
“I realizuam angazhimet kryesore të Qeverisë, përkatësisht përpiqemi të sigurojmë shërbime më bashkëkohore shëndetësore të cilat janë të kapshme për të gjithë qytetarët. Së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, me përkushtim krijojmë modele të cilat do të sigurojnë sistem të qëndrueshëm shëndetësor. Ruajtja dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarëve tanë për ne është prioritet kryesor”, tha Zaev.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe theksoi se edhe krahas asaj që janë të përkushtuar në ndërtimin e Qendrës së re klinike, vëmendje serioze u kushtojnë edhe klinikave në suaza të kampusit. Kjo Klinikë, siç tha, është tërësisht e rinovuar dhe mund të japë ekspertizë kulminante për të gjithë pacientët në kushte bashkëkohore.
Ai informoi se është nga fundi procedura e tenderit për përpunimin e garazheve montuese në kate. Në dy javët në vijim sërish do t’i prezantohet Qeverisë, pas çka do të mund të publikohet.
Drejtoresha e Klinikës për kirurgji plastike dhe rikonstruktive në Shkup, Sofia Pejkova deklaroi se gjatë dy viteve të shkuara me kolektivin kanë punuar me përkushtim në krijimin e kushteve të cilat do të sigurojnë vendosje të metodave bashkëkohore.
Në Klinikë sot u krye një intervenim mikrokirurgjik. Është marrë muskul nga këmba e pacientit, i cili ka enë të vet të gjakut, nerva dhe është zhvendosur në dorën e pacientit. Pacienti është një i ri 25-vjeçar nga Ohri, i operuar deri më tani në disa qendra në Evropë. Ai rastësisht e ka gjetur profesorin Azman në Austri, i cili i ka propozuar që operacioni të kryhet këtu.