Ngadalsimi i punimeve dukshëm e ka zvogëluar numrin e qytetarëve, të cilët frekuentojnë Bit Pazarin. Shitja brenda pazarit ka rënë edhe nga tregtarët ilegal jashtë pazarit, konkretisht atyre që shesin në rrugë dhe trotuare
Arbër KADRIU
Shkup, 1 dhjetor – Punimet për ndërtimin e Bit Pazarit në Shkup ishin paraparë të përfundojnë në qershor të vitit të kaluar, ndërkohë që ende gjysma nuk ka përfunduar. Ata që pësojnë më së shumti nga kjo stërzgjatje e punimeve sigurisht janë shitësit. Tregtarët thonë se ngecja në punime ka ndikuar shumë në punën e tyre, pasi siç thonë ata, vonesa e ngadalsimit të punimeve në këtë objekt ka sjell shumë pasoja. Ngadalësimi në punë e ndërlikon rutinën e përditshme të shitësve, por njëherësh edhe tek blerësit, pasi rrëmuja dhe destabilizimi nga vendi ku po punohet, sjellë mos rehati tek shitësit, të cilët nuk shprehin komoditet pune. Ata shpresojnë që me fillimin e vitit 2021 do të ketë finalizim të përfundimit të ndërtimit të tregut.
Abedin Imeri është shitës i cili çdo ditë udhëton nga fshati për në qytet – pra në Bitpazar, për të shitur mallin e tij. Megjithatë, ai shprehet i zhgënjyer për këtë që po ndodh me ndërtimin e tregut. “Jemi mësuar me gënjeshtra dhe mashtrime. U bënë dy vite që po presim finalizim të ndërtimit të pazarit, por ja që siç po e shihni – ka mbetur i papërfunduar. Andej përball nesh, jashtë pazarit, janë disa qytetarë që po shesin mallin e tyre duke mos pasur tezgë dhe duke mos paguar asnjë tatim. Unë e di që ata po bllokojnë rrugët dhe trotuaret, por më thoni kush do i mbajë me bukë edhe ata? Edhe ata jashtë tregut dalin për të fituar bukën, pasi shteti i ka lënë pas dore siç ndodh zakonisht në Maqedoni”, shprehet Imeri.
Ndërkaq shitësi tjetër, Azbi Sulejmani, përmend se me shumë gjasa – këtu në një farë mënyre po bëhet diskriminim. Ai kërkon të vetëdijesohen shitësit e tjerë dhe të bëjnë protesta siç kanë bërë viteve paraprake. “Punë nuk ka aq sa duhet, edhe pandemia globale na ka gjunjëzuar. Këtu dalim dhe presim gjithë ditën sa për të fituar bukën dhe të paguajmë shpenzimet tona. Besoj që në ndëtimin e pazarit dhe në ngadalësimin e punimeve të saj, ekziston diskriminim pasi ndodhemi në Çair dhe si komunë – çdoherë na shpërfillin. Ftoj të vetëdijesohen shitësit dhe njëzëri të bllokojmë rrugët dhe të protestojmë, si për ngadalësimin – po ashtu edhe për çështjet e tjera”, thekson Sulejmani.
Edhe pse nga “Skopski Pazar”, si kompani përgjegjëse, disa herë kanë pohuar se do të përgatitin aktivitetet përkatëse për përfundimin e Bit Pazarit, tashmë e përsëritin të njëjtin premtim. “Gjithësesi se kjo do të na shpie drejt përmirësimit të kushteve dhe mos-ndërprerjen e punës në tezgat e pazarxhinjëve dhe lokaleve tjera që janë. Udhëheqësia e re e jona besoj se do të ndërmarrë aktivitete përkatëse dhe efektive për përshpejtim dhe finalizim të ndërtimit të projektit Bit Pazar”, thonë nga “Skopski Pazar”. Rikonstrumi i Bit Pazarit u planifikua të ndërtohet në formë të pjesëshme me qëllim që të mos lejohet pengesa e shitësve në tezga dhe ndërprerja e punës. Ngadalsimi i punimeve dukshëm e ka zvogëluar numrin e qytetarëve, të cilët frekuentojnë Bit Pazarin. Shitja brenda pazarit ka rënë edhe nga tregtarët ilegal jashtë pazarit, konkretisht atyre që shesin në rrugë dhe trotuare. (koha.mk)