Gjeneratat e viteve 90-të mund të kujtojnë se ka pasur zëra që thonin se Korridori 8 duhet të ndërrojë trasenë e saj, pak më poshtë, më në jug, për çka ka hasur në mospajtim te subjekti shqiptar në qeveri…S’dihet nëse kjo ka qenë arsyeja që ai mbeti në gjysmë rruge, por rikthimi i Korridorit 8 në marshutën e natyrshme, duke u plotësuar me Korridorin 10D, tash vërtet paraqet një projekt si në pikëpamje rajonale, si në atë etnike, nëse duam t’i japim ngjyrime të tilla
Nga Daut DAUTI
Më pëlqeu metafora e një portali që Korridorin 8(në kontekst të kësaj, edhe të atij “10D”, që kanë lidhje me njëri-tjetrin në shumë kontekste, për çka do të flas më poshtë), e kishte quajtur “treni i quajtur dëshirë”. Tamam, sepse ne të gjeneratave më të vjetra që kujtojmë vitet 90-të, do të themi se ai deri tash vërtet kishte qenë një projekt i nisur dhe i pabitisur, i mbetur tamam një dëshirë. Metafora ka elemente të realitetit gjysmak të këtij korridori. Ai është nisur diku në vitin 1994 me ndërtimin e një pjese të hekurudhës nga kufiri me Bullgarinë(pra, “treni”), që do të vinte në Shkup e do të vazhdonte përtej Kërçovës për t’u lidhur me pjesën e hekurudhës që vinte nga Pogradeci. Dukej shumë bukur kur e mendonim se tash, me këtë tren, do të mbërrinim në Durrës për pushime, pa lakesat malore me autobus ose veturë, që ishte një mundim i madh. Kuptohet, ky ishte vetëm një këndvështrim ndaj Korridorit 8, ai i njerëzve që kanë një motiv për të shkuar në një destinacion të caktuar, por ai ishte i menduar shumë më ndryshe, për të mundësuar lehtësim të qarkullimit të lirë jo vetëm të njerëzve, por dhe mallrave, me çka do të ndihmonte ekonomitë e vendeve si faktor zhvillimi.
Por, diçka nuk shkoi si duhet, dhe nëse na pyet dikush çka ndodhi, pse ngeci, mund të mos na kujtohen të gjitha arsyet që projekti i paraparë të realizohet për 15 vjet, nuk u realizua as për tri dekada. Ka disa gjëra që ndoshta kanë qenë shkaktarë të “rirreshtimeve” ose madje, ridefinimit të priroriteteve! Një nga debatet që mund t’i kujtojmë si kronistë të ngjarjeve të bujshme të viteve 90-të, është edhe ai se nga duhet të shkojë korridori! Sepse, pas ndonjë viti, kur bisedohej për të, kishte dhe ngapak egoizëm të pakuptueshëm që do të jetë shfaqur te elitat politike, që linjën e paraparë si korridor më të shkurtër në qytetet kryesore të Maqedonisë Perëndimore, për ta zbritur më poshtë, më në jug! Ndoshta dikush kishte menduar se mos po përfitojnë më shumë shqiptarët meqë janë shumicë në këtë pjesë, ndaj më mirë po e “marrim” nga viset “tona”! E di përfaqësuesit shqiptarë në qeveritë e atëhershme do të kenë shprehur mospajtimet e tyre! Dikush prej tyre mund të dëshmojë nëse ka qenë kështu ose jo.
Ndaj, kur të kemi parasysh gjithë dështimin e deritashëm, riaktualizimi i Korridorit 8 dhe rifillimi ambicioz i projekti, është një lajm i mrekullueshëm për vendin. Sepse, nëse ka pasur këso ndasish apo qasjesh selektive në të kaluarën, tash kjo u tejkalua në mënyrën më të mirë, sepse, siç përmenda më sipër, këtij korridori i është bashkëngjitur edhe Korridori 10D, me çka më nuk është me rëndësi që 8-shi kalon nëpër viset e banuara me shumicë shqiptare, përderisa ky tjetri kalon në pjesën tjetër, që lidh Manastirin dhe Prilepin. Edhe në pikëpamje rajonale, edhe në pikëpamje etnike, nëse e shikojmë nga ky kënd, nuk mbetet çka të kontestohet.
Sa u përket konstetimeve, ato edhe mund të vijnë nga pozicione opozitare për ta personalizuar për shkak se në krye të këtij projekti të ringjalljes së Korridorit 8 u gjet zëvendëskryeministri i parë, pra, shqiptar, por ato janë gjëra që populli i ka përmbledhur në fjalën e urtë “qentë lehin, karvani ecë”, sepse nuk meritojnë për t’u marrë me gjëra që janë më pak të rëndësishme se vetë projekti i madh instrastrukturor, i cili thellon bashkëpunimin rajonal, lidh me hekurudhë, autostadë moderne e deri me lundrim detar e liqenor (në Strugë do të kemi Portin e Thatë!), për qarkullim mallërash e të njerëzve, për zhvillim biznesesh e ekonomish. Kjo është më e rëndësishmja se vetë personalizimi dhe hedhja dyshime vetëm pse nuk je në pozitë për ta realizuar vetë atë.
Ndoshta dikujt mund t’i duken patetike thirrjet për ta përkrahur gjithë këtë projekt, por ai është vërtet i tillë, është në interes edhe të tyre, sepse Korridori lidh tri vende dhe do të jetë faktor i rëndësishëm zhvillimi për ta, sikundër që është tepër i rëndësishëm për shqiptarët, por dhe për bullgarët, maqedonasit dhe gjithë qytetarët e këtyre vendeve, pa dallim. Vetëm t’i urojmë “udhëtim” të mbarë këtij “treni-dëshirë” të mbetur në stacion që s’e lëvizte kush. Dhe t’i mbajmë për fjale qeveritarët tanë që edhe nëse s’e ndërtojnë për pesë vite sa po na premtojnë, do t’ua falim një-dy vite vonesë, vetëm ta realizojnë ashtu si duhet. Sepse, do të jenë më pak se 15 vitet e kaluara që “trenin” e kishte zënë “ndryshku”.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)