Një vend pune të sigurt e kanë 793.416 qytetarë, ndërkaq të papunë janë rreth 159.623 ose 16.7 për qind. Në mars, kur filloi korona kriza, në evidencën e Agjencisë janë regjistruar 107.732 persona të papunë, në prill ky numër u rrit në 114.762 persona, në maj në 121.187 persona, në qershor 133.455, në korrik në 141.777, në gusht arriti në 144.759 të papunë dhe në shtator 151.359 persona. Më të përfaqësuar në listën e të papunëve, sigurisht se janë të rinjtë
Arbër KADRIU
Shkup, 29 tetor – Të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave nga shtatori i këtij viti thonë se nga numri i përgjithshëm i qytetarëve – punësimi zë vend me 47.1 për qind, ndërsa 16.7 për qind janë të papunë të ri që kur filloi pandemia. Ose, një vend pune të sigurt e kanë 793.416 qytetarë, ndërkaq të papunë janë rreth 159.623 ose 16.7 për qind. Në mars, kur filloi korona kriza, në evidencën e Agjencisë janë regjistruar 107.732 persona të papunë, në prill ai numër u rrit në 114.762 persona, në maj në 121.187 persona, në qershor 133.455 persona, në korrik në 141.777 persona, në gusht arriti në 144.759 persona të papunë dhe në shtator 151.359 persona.
Ky numër i të papunëve, thonë njohësit e problemeve sociale, rrezikon qëndrueshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve, por njëherë edhe stabilitetin e shtetit. Papunësia dhe reformat sistemore janë ndër kushtet pioritare për vazhdimin e bisedimeve dhe negociatave me Bashkimin Evropian. Ndërkohë, numri i të papunëve kryesisht prek të rinjtë sidomos studentët e sapodiplomuar, të cilët nuk gjejnë hapësirë dhe mundësi për t’u punësuar. Arbnor Iseni nga qyteti i Kumanovës thotë se të gjitha shpresat i janë shuar, për arsye se akoma nuk mund të gjejë punë. Ai thekson shumica e të rinjve aplikojnë në shpalljet zyrtare të institucioneve, por rezultati është i paarritur. “Përsa i përket papunësisë, edhe pse kemi mjaft kuadro – një prej së cilës jam edhe unë vet, ku veçmas tanimë kam regjistruar edhe ciklin e dytë të studimeve master, bashkë me mua edhe shumë kolegë të tjerë, ende jemi të papunë edhe përkundër faktit se kemi aplikuar nëpër shpalljet zyrtare të punësimeve. Rezultati, megjithatë mbetet si çdo herë – negativ. Gati pothuajse na janë shuar të gjitha ëndrrat për ndonjë vend pune apo diçka të ngjashme me të”, thotë Iseni.
Mendim të njëjtë ndanë edhe Jasir Imeri. Sipas tij, papunësia po devalvon të ardhmen e vendit dhe shpresat e të rinjve, ndërsa shton se nuk duhet neglizhuar forma se si po kategorizohen punësimet mbi baza kombëtare apo siç ndodh zakonisht – mbi baza partiake apo politike. “Si çdoherë, papunësia si temë e cila asnjëherë nuk merr përfundim, vazhdimisht qëndron ndër temat më aktuale dhe të diskutueshme në sistemin e shoqërisë tonë. Me keqardhje e them pasi akoma edhe sot e kësaj dite rezultojë në numrin si i papunë. Askund nuk po mund të gjejë veten ku të kem të drejtën e punësimit si qytetar i këtij shteti, gjithmonë ndeshem me diskriminim, nepotizëm dhe vlerësim mbi bazë etnike apo partiake. Po devalvon gjithçka, rinia i ka humbur shpresat, ndërsa askush nuk interesohet për të e aq më shumë dhe më rëndë për një familjar, i cili nuk mund të sigurojë gojën e bukës për familjen e tij”, thotë Imeri.
Ndërkaq, profesoresha Donika Bakiu këtë rritje të papunësisë e sheh si mundësi më të lehtë për trazira sociale, e cila mund të shkaktojë prishje të rendit në përgjithësi. “Rritja e papunësisë, konkretisht për të rinjtë është një parashikues më i mirë i trazirave sociale sesa praktikisht çdo faktor tjetër. Para zgjedhjeve në vendin tonë bëhen punësime vetëm për të siguruar votat e partive në pushtet. Për fat të keq, papunësia sa vjen e rritet! Sikur në fund të tunelit nuk shohin dritë! Mbarojnë studimet dhe nuk arrijnë të punësohen dhe të gjithë ne e dimë se pse nuk arrijnë. Jo se nuk dinë, sepse ne kemi rini të mrekullueshme, por sepse nuk janë me partinë në pushtet. Me 20 tetor lexova se Komuna e Tetovës hap konkurs për administratorë – realisht për votues të vitit të ardhshëm, sepse dihen kush do të punësohen”, thotë Bakiu. Nga Agjencia për Punësim paraprakisht kanë deklaruar se nga shtatori i vitit 2020 janë evidentuar 14.819 persona të papunë të ri, gjegjësisht çregjistrimi nga sigurimi i obligueshëm shëndetësor dhe pensional është regjistruar në periudhën pas 11 marsit të vitit 2020, konkretisht në periudhën e krizës të shkaktuar nga Covid-19. (koha.mk)