Përderisa një pjesë e rinisë tetovare është duke u kujdesur të mirëmbajë drunjtë që janë mbjellë përgjatë Bulevardit “Ilinden”, disa të tjerë kujdesen të dëmtojnë ulëset përgjatë trotuareve në pjesë të ndryshme të qytetit të Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 29 maj – Në Tetovë para disa vitesh ishin mbjellë drunjtë përmes Bulevardit kryesor të qytetit, respektivisht atij të Ilindenit. Mirëmbajtja e tyre ishte pothuajse shumë e vështirë në fillim, kur të njëjtat u mbjellën pasi që disa prej tyre ishin tharë, ndërsa disa ishin dëmtuar nga persona të panjohur. Ata drunjë të cilët kanë mbijetuar deri më tani, vazhdojnë të jenë cak i dëmtimeve. Shpesh herë ndodh që këto drunjë të dëmtohen gjatë aksidenteve që regjistrohen brenda në qytet. Por, për të mbijetua këto drunjë nevojitet që të ketë edhe një kujdes tjetër më të madh, respektivisht të mos dëmtohen nga insektet. Së këndejmi, të rinjtë tetovar të cilët janë pjesë e Këshillit rinor të Komunës së Tetovës, kanë marrë iniciativë që të mbrojnë këto drunjë duke i lyer me gëlqere dhe spërkatin me dezinsektues. “Kemi filluar me këtë aktivitet nga pjesa qendrore e qytetit deri tek Xhamia e Pashës. Do të vazhdojmë deri te Shkolla e mjekësisë. Ky aktivitet ka për qëllim që të ngrejë vetëdijen tek të rinjtë, por edhe tek qytetarët tjerë që të kenë më shumë kujdes për drunjtë që ndodhen në hapësirat publike. Po ashtu ky aktivitet është realizuar gjatë kohës kur ka qenë ora policore dhe kemi patur një mbështetje nga Komuna e Tetovës” thonë nga Këshilli rinor në Komunën e Tetovës.
Nga ky këshill shpresojnë se më shumë të rinj nga qyteti i Tetovës do t`ju bashkëngjiten në aktivitetet e tyre për të mbrojtur drunjtë që janë mbjellë në hapësirat publike të qytetit. Përderisa një pjesë e qytetarëve është duke u kujdesur që të ketë hapësira publike me drunjë dhe gjelbërim, nga ana tjetër në Tetovë ende ka persona që kohën e tyre e shfrytëzojnë për të dëmtuar karriget që janë vendosur në pjesë të ndryshme të qytetit. “Për fat të keq, ende ka persona që kohën e tyre e shfrytëzojnë duke kryer punë devijuese dhe me këtë ulin moralin për pjesën tjetër, e cila kujdeset që të ketë një qytet më të rregulluar. Ne do të kujdesemi që të luftojmë këto dukuri dhe jemi duke punuar që të organizojmë jetën rinore në qytet, e cila do të ketë si qëllim kujdesin ndaj pronës publike. Deri më tash ka patur mungesë të organizimit të jetës rinore, dhe rinia nuk ka treguar kujdes ndaj pronës publike, kurse tash e tutje jemi të fokusuar që të edhe rinia të kujdeset më shumë ndaj shumë fenomeneve që ndodhin”, thonë nga Këshilli rinor në Tetovë.
Aktivitet tjetër i të rinjve tetovarë do të jetë lyerja e mburojave që janë vendosur përgjatë trotuareve në rrugët e Tetovës. Në ndërkohë, dukuria e dëmtimit të ulëseve në Tetovë nuk është dukuri e cila shfaqet vetëm kësaj radhe. Të njëjtat ishin dëmtuar edhe vitin e kaluar menjëherë pasi që ishin vendosur nga pushteti lokal. Nga Komuna e Tetovës kanë reaguar duke kërkuar më shumë përgjegjësi ndaj pronës shoqërore, ngase karriget që janë vendosur përgjatë trotuareve dhe në vendet me gjelbërim shfrytëzohet nga të gjitha kategoritë. “Kërkojmë më shumë përgjegjësi nga ana e qytetarëve sepse karriget nuk janë pronë e komunës por u takojnë qytetarëve. Qytetarët duhet që këta ulëse t`i ruajnë më shumë dhe jo t’i dëmtojnë. Normalisht se ne kujdesemi që të njëjtat të rregullohen por apeli ynë që të mos dëmtohen dhe qytetarët vetë duhet që edhe më shumë pronën private ta ndjejnë si të tyren” pohojnë nga Komuna e Tetovës. (koha.mk)