“Eksporto ose vdis”, ishte parulla e ringjalljes ekonomike pas Luftës së Dytë Botërore, apo edhe e shteteve aziatike në vitet 50 dhe 60 të shekullit të kaluar, që në kushtet tona do të thotë eksporto ose të mbetesh prapa
Nga Fisnik PASHOLLI
Ballkani Perëndimor vazhdon të ketë një zhvillim kundërthënës ekonomik. Nga njëra anë të gjithë së paku deklarativisht janë pro Europës dhe vlerave europiane , por nga ana tjetër nuk mund t’i ikim sjelljes “ballkançe” të vonesës së zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara , zvarritjes së marrëveshjeve multilaterale, e kështu me radhë në sferën jo vetëm të ekonomisë.
Bile edhe marrëdhëniet tregtare midis të gjitha shtetet e rajonit , e bile edhe ato të dy shteteve vëllazërore si Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka vit që të mos prodhojnë konteste të ndryshme. Së fundmi edhe Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, reagoi se barrierat tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës ende nuk janë zgjidhur dhe vijojnë të jenë shqetësim për biznese, ndërsa shtoi se deri më tani çështja ka mbetur vetëm në kuadër të takimeve, ndërsa shprehet se do të vendoset një afat për qeveritë. Disa nga problematikat më të theksuara me të cilat përballen bizneset që nga certifikatat fitosanitare dhe deri tek tarifa në rrugën e Kombit. Në ndërkohë, asortiment eksportues i varfër, eksport i lëndëve të para në vend të përpunimeve finale dominon eksportin e të gjithë shteteve të Ballkanit perëndimor që shquhet me eksport që përbëhet kryesisht nga sektorët me punë intensive dhe të lira , me prodhime me nivelin e ulët teknologjik.. Veçori të tjera të tij janë mungesa e shumëllojshmërisë dhe prodhimeve të gatshme për eksport, shpërndarjes më të madhe të eksportit dhe me vlerë të ulët të shtuar , mungesa e kompanive të sofistikuara vendore të orientuara në eksport , dhe niveli i ulët i shkathtësive dhe njohurive apo diturisë.
Bile edhe analizat e Bankës Botërore tregojnë se nga Shqipëria eksportet kryesore janë nafta dhe këpucët, eksportet kryesore nga Maqedonia e Veriut janë auto pjesët dhe prodhimet kimike, eksportet kryesore nga Bosnje e Hercegovina janë energjia elektrike dhe këpucët , eksportet kryesore nga Mali i Zi janë alumini dhe energjia elektrike ndërsa nga Serbia janë automjetet dhe cigaret. Sfidë në të ardhmen për rajonin mbetet rritja e konkurrencës dhe eksportit të ekonomive vendore ku shënohet një rritje prej vetëm dhjetë për qind e eksportit si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto apo nga 30 për qind në 2010 në 40 për qind në vitin 2017, për dallim prej për shembull Estonisë që ka arritur 80 për qind të eksportit si pjesë e PPB-së.
Njëherësh çështja e eksportit nevojitet të jetë prioriteti i prioriteteve të zhvillimit ekonomik në rajon, përmes hapjes s vendeve të reja të punës në prodhimin e prodhimeve finale dhe shërbimeve si rrugë e vetme dhe më e shpejtë për dalje nga ngecja e madhe në zhvillimin ekonomik, rritjen e pagave dhe përmirësimin e standardit jetësor të popullatës. “Eksporto ose vdis”, ishte parulla e ringjalljes ekonomike pas luftës së dytë botërore, apo edhe e shteteve aziatike në vitet 50 dhe 60 të shekullit të kaluar , që në kushtet tona do të thotë eksporto ose të mbetesh prapa .
Ndoshta është vështirë të bëhet një krahasim me Ballkanin perëndimor dhe Japoninë e pasluftës për shkak të më shumë faktorëve , mirëpo duhet theksuar se kryeministri japonez i pasluftës Hajto Ikeda theksoi realizimin e një “qëllimi të shenjtë”, të eksportit si kushtin e vetëm për rimëkëmbjen ekonomike pas luftës së dytë botërore. Pas humbjeve të shumta njerëzore dhe materiale, japonezët i përveshën mëngët dhe me ndihmën e kapitali amerikan të investuar më së shumti në kantieret e ndërtimit të anijeve dhe industri që si prodhime do të shkojnë tek ushtria amerikane në Kore dhe pjesët e tjera të Lindjes së largët, si dhe me përvetësimin e teknologjisë së lartë që më shumë është kopjuar dhe përshtatur në vend se të blihet , kanë arritur ndër ekonomitë e para në botë , ndër të parat në zhvillimin teknologjik si dhe ndër të parat në përdorimin e robotëve në prodhimtari, të parat për kah trenat më të shpejtë dhe më të sigurt në botë, gjithnjë në kushtet e mungesës apo varfërisë me lëndë të para apo repromateriale të ndryshme.
Tani mbetet që edhe Maqedonia e Veriut si dhe fqinjët e saj të gjejnë modelin e tyre individual , unik dhe të suksesshëm të ringjalljes ekonomike. (koha.mk)