Sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës, vitin e kaluar është evidentuar një bum i madh i transaksioneve të shitblerjes së banesave, shtëpive, dyqaneve, tokave bujqësore… nga 11.363 shitblerje në vitin 2017 në 21.006 shitblеrje të evidentuara në vitin 2018
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 korrik – Tregu i patundshmërive në shtet tregon lëvizje të madhe pozitive, apo ringjallje në vitin 2018 në raport me një vit më parë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës, vitin e kaluar është evidentuar një bum i madh i transaksioneve të shitblerjes së banesave, shtëpive, dyqaneve, tokave bujqësore e kështu me radhë dhe atë nga 11.363 shitblerje në vitin 2017 në 21.006 shitblerje të evidentuara në vitin 2018, shkruan gazeta KOHA. Njëherazi shënohet edhe rritje e madhe e kontratave për qiramarrje dhe atë nga 3139 marrëveshje në vitin 2017 në 9536 marrëveshje në vitin 2018. Pjesa më e madhe e qirave, apo 3989 kontrata kanë të bëjnë me hapësirat afariste, 3508 kontrata kanë të bëjnë me banesat, 1254 kontrata me tokën bujqësore etj.
Në vitin 2018, gati 17 mijë kanë qenë shitblerje që dominon vite me radhë në treg nga pronari i ri ndaj të vjetrit, ndërsa 3285 shitblerje kanë qenë të realizuara në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e investitorëve privat. Gjithashtu janë shënuar edhe 663 shitblerje e pronës nga shtetit dhe 67 shitblerje në ankand.
Në ndërkohë, kryetari i Odës së Ndërtimtarisë pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, Andreja Serafimovski, thotë se pas vitit 2018 – vit ky që kompanitë ndërtimore e kanë vlerësuar si një nga vitet më të rënda për ndërtimtarinë, pritet të kemi stabilizim të situatës dhe kthimin e rolit të ndërtimtarisë në mbështetës të rritjes së ekonomisë vendore. Sipas tij, një optimizëm i tillë mbështetet edhe tek përmirësimi i realizimit të objekteve kapitale të Ndërmarrjes Shtetërore të Rrugëve, ku në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë realizuar 4.43 miliardë denarë investime që paraqet një rritje prej 38 për qind në raport me vitin 2018.
“Në katër muajt e parë të këtij viti është rritur totali i lejeve për ndërtim, ku nga 977 leje, 466 leje janë për ndërtime të larta dhe 155 janë për ndërtime të ulëta. Njëherazi shënohet edhe ulje e butë e lejeve për ndërtime të larta në raport me të njëjtën periudhë për 7.5 për qind, ndërsa shënohet rritje e lejeve për ndërtime të ulëta për 28 për qind”, shton më tej Serafimovski. Sipas tij, ulja e lejeve për ndërtimet e larta ka të bëjë edhe me ndryshimet ligjore, moratoriumin e ndërtimit në një pjesë të komunave, si dhe investitorëve të dekurajuar pas rezultateve të dobëta në vitin e kaluar.
Serafimovski shpreson se pas përfundimit të moratoriumit, do të nxiten edhe investitorët dhe punëtorët komunal që të hyjnë në cikël të ri investimesh. Ndërtimtarët presin ditë më të mira për sektorin e tyre edhe me ndihmesë të legjislacionit më të mirë, vazhdimin e trendit të shpalljes së furnizimeve publike me kritere të zbatueshme për ndërtimtarët etj.
Nga ana tjetër, sivjet janë rritur për 34 për qind apo në gjithsej 49.996.055 miliardë denarë edhe totali i punëve të kontraktuara ndërtimore , ndërsa është rritur edhe numri i punëve të kryera ndërtimore për 7 për qind, vetëm në periudhën janar-prill 2019 në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndryshe, ndalesa për ndërtim në disa komuna si dhe ndryshimet ligjore e vështirësojnë parashikimin se si do të lëvizin çmimet e banesave në shtet ku mbi 5000 banesa me vite janë të zbrazëta apo nuk shiten, ndërsa në ndërtim e sipër janë mbi 10 mijë banesa. (koha.mk)