Donatorët dhe investitorët janë mbledhur në Kuvajt gjatë kësaj jave për të diskutuar përpjekjet për rindërtimin e ekonomisë dhe infrastrukturës së Irakut.
Iraku ka shpallur fitore kundër Shtetit Islamik në muajin dhjetor, duke arritur të kthejë sërish gjithë territorin e pushtuar nga militantët më 2014 dhe 2015.
Rreth 22 miliardë dollarë do të nevojiten në një periudhë afatshkurtë derisa 66 milionë të tjerë në periudhë afatmesme, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm në ministrinë e Planifikimit, Qusay Adulfattah.
“Rindërtimi i Irakut do të thotë rikthimi i shpresës dhe stabilitetit duke krijuar idenë se Iraku është në mesin e vendeve stabile në rajon dhe në botë”, ka thënë ministri i Planifikimit, Salman al-Jumaili, duke shtuar se rindërtimi është në një mënyrë edhe përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar.
Shtetet e Bashkuara që kanë qenë udhëheqëse të koalicionit, i cili ka ofruar ndihmë ajrore për forcat irakiane kundër militantëve të Shtetit Islamik, nuk planifikon të garantojë asnjë shumë të të hollave në konferencën e Kuvajtit, kanë thënë zyrtarët amerikanë.
Rreth 138,000 shtëpi janë dëmtuar, ndërsa gjysma e tyre janë shkatërruar plotësisht, ka thënë një anëtar i fondit për rindërtim.