Delvina KËRLUKU
Qenan Hasani u lind më 20 maj të vitit 1940 në fshatin Desovë të Prilepit, në një familje me gjendje tejet të vështirë ekonomike. Në gjuhën shqipe kreu vetëm katër klasat e shkollës fillore në fshat, kurse katër klasat tjera të tetëvjeçares në gjuhën maqedonase në fshatin Dollnen. Bashkë me gjashtë shqiptarë të tjerë, ishte gjenerata e parë që kreu tetëvjeçaren. Ata gjashtë shokët e tij, siç tregon Qenani, u shpërngulën në Turqi, kurse baba i tij nuk dëshironte që të largohet nga Desova. Shkollën e mesme, po ashtu në gjuhën maqedonase e kreu në Prilep. Për tre vjet punoi si mësues në fshatin e lindjes. Në vitin 1963 pushteti i atëhershëm vendosi që shkolla shqipe të mbyllet me pretekst kinse gjuha shqipe s’paska perspektivë. Po atë vit, Qenani kaloi në Manastir ku kreu Akademinë Pedagogjike, grupin Gjuhë maqedonase-serbokroate dhe historinë e letërsisë së popujve jugosllav. Një vit zëvendësoi në shkollën e qytetit, pastaj një vit punoi në fshatin Ostrec të Manastirit. Pastaj derisa u pensionua punoi në shkollën e fshatit Këshavë. Ka bashkëpunuar me të gjitha mediumet në gjuhën shqipe në Maqedoni, kurse aktualisht është korrespondent i rregullt i gazetës KOHA.
KOHA: Të jesh shqiptar në Manastir është privilegj apo sakrificë?
HASANI: Edhe njëra, edhe tjetra. Privilegji dhe sakrifica vetëm për manastirasit janë integruar. Kur të mendosh për të kaluarën e bujshme historike, kur të mendosh për familjet patriotike të Qiriazëve, Gërmenjëve, mendon se Manastiri ka qenë qendër gjithëshqiptare. Kur t’ia shtosh kësaj aktivitetet e rilindësve: themelimin e Komitetit të Fshehtë për Çlirimin e Shqipërisë, Klubin “Bashkimi”, i cili organizoi Kongresin të Alfabetit, që është i rëndësishëm edhe për krijimin e shtetit të pavarur shqiptarë, atëherë është privilegj i rrallë të jesh manastiras. Edhe më shumë kur e sheh objektin ku është mbajtur Kongresi, të cilën me Reshat Nexhipin e quajtëm “Bukuroshja shqiptare”, atëherë jeta ka përmbajtje dhe kuptim. Ngjarjet pas luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, ikja masovike (në dy raste) e shqiptarëve para thikave të serbëve, politikat shfarosëse ndaj shqiptarëve, pastaj edhe diskriminimi i skajshëm pas çlirimit, rruga e kurbetit për në Australinë e largët, Manastiri përjetoi spastrimin etnik që edhe ka qenë politikë shekullore e sllavëve, atëherë kuptohet se kjo ishte sakrificë. Një shpresë e vogël u paraqit me pluralizmit politik, por as nga kjo asgjë nuk ndryshoi, ndaj sot të jesh shqiptarë në këtë qytet që dikur ishte me shumicë shqiptarë, me të vërtetë është sakrificë.
KOHA:A ju kujtohet fëmijëria dhe kur ju kuptuat se jetoni në një qytet historik dhe shumë të rëndësishëm për shqiptarët?
HASANI: Mjerisht, fëmijëria e kam kaluar në fshatin Desovë të Prilepit. Më kujtohet se nxënës i tetëvjeçares në gjuhën maqedonase ,gjatë pushimit veror i kullotja dy lopët për t’i lexuar dhe shkruar lekturat shkollore. Këto janë kujtimet më të mira nga fëmijëria. Në Manastir kam ardhur në moshën 23 vjeçare. Shumë shpjet u integrova në jetën e qytetit, u njoftova me shokë, pastaj edhe me vendet historike dhe kulturore, në radhë të pare me Shtëpinë e Kongresit dhe Lokalitetin arkeologjik Heraklea – Linkestis, aty përmes amfiteatrit të linkestëve e shihja gjakun tim. Aty kreva Akademinë Pedagogjike. Njohja me historianin Reshat Nexhipi dhe profesorin Irfan Pashoja, jetës sime i dhanë edhe përmbajtje edhe kuptim.
KOHA: Si dhe pse u shlyen gjurmët e Manastirit shqiptar?
HASANI: Sipas disa të dhënave, prej vitit 1955 e deri më 1968 prej Komunës së Manastirit për në Turqi janë shpërngulur jo më pak se 38 mijë shqiptarë. Fshatrat u përgjysmuan, disa, bile, siç janë Zllokuqani, Diova janë shuar fare, kanë mbetur vetëm gërmadhat, kurse në të tjerat, në vend të shqiptarëve kanë ardhur maqedonas nga Mariova dhe nga territoret greke, krejt kjo me qëllim që të mos mbetet asnjë element shqiptarësh.
KOHA: A të kujtohen shpërnguljet e shqiptarëve nga Manastiri dhe rrethi i saj në drejtim të Turqisë?
HASANI: Natyrisht, janë kujtime të trishta. Po i përmendi vetëm dy raste. I pari ndodhi në vitin 1968 kur nga Porodina u largua edhe familja e fundit dhe rasti tjetër kur nga Diova, po atë vit, një nxënësi i klasës së tretë të gjimnazit “Josip Broz Tito”, me gjithë librat në duar shkoi në stacionin hekurudhor për hipur në trenin e mallrave dhe kundër vullnetit të tij vendoset në Stamboll. Kurse ky nxënës i dikurshëm, fatmirësisht, tani si shqiptarë i vërtetë me fëmijët jeton në Tiranë. Thash: këto janë momente tronditëse, momente që s’harrohen kurrë.
KOHA: Ç’ndryshime sollën tek ju demonstratat e vitit 1981 që u zhvilluan në Kosovë?
HASANI: Manastirasit në shënjestër të komunistëve u kapën më 1966 kur një grup intelektualësh parashtruan kërkesën për hapjen e shkollës së mesme në gjuhën shqipe. Autoritet e pushtetit lokal dhe atij republikanë kërkesën e etiketuan si nacionalizëm dhe separatizëm. Kërkesa u gjet edhe te kabineti i Titos, i cili, siç u përfol atëherë, paska lejuar hapjen, por leja kishte mbetur diku në sirtarët e kabinetit të Kërste Cërvenkovskit. Pas ngjarjeve të Kosovës, në shënjestër ishin paralelet e ciklit lëndor të tetëvjeçareve me mësim në gjuhën shqipe. Në të dy shkollat, për të penguar “indoktrinimin” e nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë, punësoheshin arsimtarë maqedonas. Kështu në paralelet e dy tetëvjeçareve procesi edukativ – arsimor 64 për qind zhvillohej në gjuhën maqedonase, kurse në gjuhën shqipe vetëm 36 për qind. Situatën edhe më shumë e acaroi gjykimi grupit nacionalist të Strugës në Manastir më 1986, pastaj dy vite më pas, për t’i etiketuar si separatistë dhe nacionalistë edhe disa të rinj shqiptarë nga fshati Mexhitli, përfshi edhe një nga qyteti, i cili nga pasojat e torturave të ushtruara në burg, ndërroi jetë para pesë vitesh. Pushteti lokal aplikoi edhe një masë ndëshkimi të shqiptarëve, në një mbledhje të Kuvendit miratohet vendim që shqiptarët të kenë të drejtë të shesin mall të patundshëm, por jo edhe të blejnë. Kjo bëri që shqiptarët e Manastirit t’i drejtohen Australisë së largët.
KOHA: Ç’ndikoi që ju, pos rolit të mësuesit, të merrni edhe rolin e gazetarit dhe ta informoni gjithandej lexuesin shqiptarë me gjendjen e shqiptarëve të Manastirit dhe më gjerë?
HASANI: Ambicia për të dhënë diçka për kombin. Doja ta sensibilizojë botën me hallet e njerëzve të gjakut tim. Asaj kohe ishte krenari të të paraqitet emri në faqet e gazetave. Dëshiroja këtë pjesë të shqiptarizmës ta nxjerrë nga anonimiteti i thellë në të cilën kishte rënë. Kontributi im si gazetar u dëshmua më vonë, kur përmes reagimeve, shkrimeve në gazetat tona asfaltuam rrugën në gjatësi prej pesë kilometra e gjysmë, instaluam rrjetin telefonik, kështu fshatrat shqiptare u lidhën me botën, sidomos me vendet tej-oqeanike, ndërtuam shkolla të reja në Këshavë dhe Ostrec, ndërtuam ambulancën moderne në Graeshnicë, Por, ajo ç’është më e rëndësishme, u njoftova me shumë gazetarë të të gjitha redaksive për të cilat kamë punuar (15 redaksi ditore, të shkruara dhe elektronike). Vazhdimisht kamë qenë objektiv, me përjashtim të 2001-shit kur isha i detyruar në të njëjtin stil t’u përgjigjem kolegëve maqedonas, të cilët,pa kurrfarë faktesh shihnin terroristë edhe në mesin e manastirasve. Dikur vlente gazetaria objektive, sot pushtetarëve nuk u përgjigjet realiteti, e vërteta. Për një fjalë të suspendojnë ose edhe më keq! Do të kisha shtuar edhe këtë: ne shqiptarët patjetër të jemi krenar, sepse kemi gazetarë të jashtëzakonshëm, me përgatitje solide që mund të na e kenë lakmi, jo vetëm maqedonasit, por edhe më gjerë. Gazetaria është si bixhozi, po hyre një herë, s’del më deri sa të lëviz sikur edhe një gisht. Në këtë moshën time 76 vjeçare, kamë mbetur i përkëdheluri i gazetës KOHA. Çmimet që i kam fituar, s’janë asgjë në krahasim me respektin që e përjetoj nga kolegët e gazetës KOHA.
KOHA: Kur për herë të parë jeni përballur me “dhëmbët” e pushtetit?
HASANI: Në vitin 1986, kur duhej të raportoja për gazetën “Rilindja” nga një gjykim i grupit të “nacionalistëve dhe separatistëve” nga Struga. Dy vite më vonë, ndodhi mosmarrëveshja rreth Pllakës përkujtimore në ballinën e Shtëpisë së Alfabetit, e cila mori përmasa të ashpra politike, me ç’rast pati reaguar ashpër edhe Ibrahim Rugova në postin e kryetarit të shkrimtarëve të Kosovës. Një moment tjetër ishte rrahja e pamëshirshme nga publiku,policët dhe mjeku kujdestar i hendbollistëve të Prishtinës më 1987-tën. Pastaj gjatë konfliktit të vitit 2001kur si gazetar është dashur të raportoja për çdo ngjarje, duke i mbrojtur shqiptarët nga etiketimet e vazhdueshme si terroristë. Nuk ishte lehtë të raportohet për flakët që përfshinë shtëpitë e vëllezërve pa kurrfarë faji. Pastaj t’i kundërvihesh shkrimit në gazetën “Politika” për fshatin Dolencë që e krahasonin me Prekallën e Kosovës, e për shumë ngjarje të tjera të vështira. Nga çdo kurth, vetëm me guxim, kam dalë fitimtar.
KOHA: Mërgimin e keni ndjerë edhe në lëkurën tuaj (anëtarët e familjes). A mund ta përfshini me pak fjalë këtë dhembje të madhe të shqiptarëve?
HASANI: Dhembje më të madhe se të ndahesh nga më të dashurit s’ka! Këtë ndjejnë në vetvete e ka konsumuar çdo familje shqiptare e Manastirit. Të të linden mbesa e nipër e ti nuk ua dëgjon qarjen e parë, më keq se kjo nuk ka. Rriten atje e gjyshin apo gjyshen s’e njohin. Ky edhe ishte shkaku që pesë mbesat e lindura në Australi i ktheva për ta mësuar shkrim leximin e gjuhës shqipe, kurse pastaj le të zgjedhin vetë se ku duan ta vazhdojnë jetën.
KOHA: Për shumë vite (deri në pensionim) keni punuar në Këshavë. Si ishte ky fshat atëherë kur ia filluat punës dhe si e latë kur i dhatë fund mësuesisë?
HASANI: Kur për herë të parë shkova në këtë shkollë, gjeta 252 nxënës. Dasmat bëheshin gjatë vjeshtës, nga dy dasma në javë. Por, kurbeti i gëlltiti këshavasit, fillimisht shkuan vetë, pastaj filluan t’i marrin edhe familjet. E gjeta një rrugë të pakalueshme për automjete, bile edhe për kuaj, e lash me rrugë të asfaltuar. Mësimin e mbanim në hapësirat e një teqeje, e lash me shkollë të re. Nxënësit i drejtoja drejtë arsimit të mesëm dhe sipëror, por më kot, që të gjithë shkuan në Australi, kështu që sot numëron vetëm 30 familje me gjithsej 120 banorë, me gjasa reale që së shpejti të mbetet vetëm me rrënoja. Kjo është tragjedia e shqiptarëve të Manastirit!
KOHA: Keni qenë dëshmitar i tmerrit të vitit 2001, kur strukturat paramilitare maqedonase i dogjën pronat e shqiptarëve të Manastirit. Sa ishte vështirë të jesh shqiptarë atyre ditëve në këtë qytet?
HASANI: Brenda 37 ditëve, që nga 30 prilli e deri më 7 qershor, paramilitarët maqedonas, pa kurrfarë preteksti, pa kurrfarë provokimi, vetëm se ishim shqiptarë, dogjën gjithsej 82 lokale afariste dhe 24 shtëpi banimi. Atë verë pjesa dërmuese e shqiptarëve u larguan nga qytetit, atje ku i kishin strehuar fëmijët, në të shumtën e rasteve në Strugë, Kërçovë, Dibër, Tetova, atje ku kishin ndonjë të afërm apo mik. Kryefamiljarët ditët i kalonin pranë gërmadha të objekteve të djegura, në mbrëmje shkonin atje ku i kishin anëtarët tjerë të familjeve. Rreziku kërcënohej në çdo kënd dhe në çdo moment. Sulmoheshin gratë me shamia. Ata që kishin qëndruar në qytet, nuk ishin në gjendje as bukë të blejnë. Një pjesë shkuan në Turqi. Atëbotë të gjithë menduam se nuk do të kthehen më, por ndodhi e kundërta, u kthyen.
KOHA: Pse ata pak shqiptarë të Manastirit nuk janë unik. A mendoni se partitë shqiptare edhe më shumë ju fragmentarizuan ose, siç thuhet ndër popull, ju bënë pike e pesë?
HASANI: Jo vetëm shqiptarët e Manastirit, por kudo skajshmërisht janë të përçarë. Për një vend pune urren vëllai vëllanë. Shqiptarët e kanë humbur dinjitetin, i cili më nuk vlen as pesë lekë të vjetër. Do të ishte mirë sikur kjo pyetje t’ju parashtrohej partive tona politike. Ato shqiptarët i shohin vetëm si vote. Për mendim tim, një partie që i pengon e vërteta, ajo s’është parti, është vetëm grup njerëzish me interesa individuale dhe grupore.
KOHA: Pse shqiptarët e Manastirit vazhdojnë t’i shkollojnë fëmijët e tyre në gjuhën maqedonase dhe a është ky rrezik real që shumë shpejtë gjuha shqipe të mos përdoret as në përditshmëri?
HASANI: Është ky një fenomen i çuditshëm. Ata që vazhdimisht shkaktonin reagime me kërkesë për hapjen sikur edhe të një paraleleje me mësim në gjuhën shqipe, sot kur në konkurs shpallen tri paralele, nuk konkurron asnjë shqiptarë. Para do kohe kam shkruar se shumica e intelektualëve manastiras, me përjashtim të një numri të vogël që arsimin e kanë filluar dhe e kanë kryer në gjuhën shqipe, shqipen e njohin sa edhe nxënësit e klasës së nëntë, bile edhe arsimtarët. Tashmë ka filluar nëpër rrugët shqiptari me shqiptarin të komunikojnë në gjuhën maqedonase. Asimilimi me të madhe po troket në dyert e shqiptarëve të Manastirit. Kjo është edhe një tragjedi plotësuese për shqiptarët e vendlindjes së Alfabetit.
KOHA: Objekti ku është mbajtur Kongresi historik i Alfabetit (1908) akoma nuk është objekt shqiptar. Çfarë duhet të bëhet që ky objekt ta marrë fizionominë e vërtetë?
HASANI: Problemi është shumë i ngatërruar. Pronari i katit të përdhesë, Zllatko Milloshevski, është i rëndë për t’u marrë vesh. Pjesa tjetër është pronë shtetërore. Për këtë pjesë është dashur që partitë në pushtet ta zgjedhin problemin. Edhe pse ai funksionon si Muze, palës tjetër sikur nuk i konvenon që në mes të qytetit të lartësohet një institucion kulturor e historik shqiptar. Problemi do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dihet se objekti ka qenë prone e familjes Gërmenji. Është realitet i pamohueshëm se 36 margaritarët janë hartuar në shtëpinë e Qiriazëve, ku nikoqirja, e ëma e shtatë vëllezërve dhe tri motrave, Marie Qirazi i ka gostitu 11 anëtarët e Komisionit. Mjerisht, nga kjo shtëpi s’ka mbetur asnjë nishan.
KOHA: Aty-këtu sikur kanë filluar të çlirohen nga sistemi i kaluar edhe shqiptarët e besimit ortodoks, siç është rasti me pasardhësit e Qiriazëve, që për kulturën shqiptare kontribuuan jashtëzakonisht shumë?
HASANI: Këtë zgjim e filluam me pianisten Meri Kavkaleva, për të cilën kemi shkruar, për të vazhduar edhe me stërnipin e Qiriazëve, Kriston, i cili nga frika kohë të gjatë deklarohej si vllah. Kohë më pare, edhe me dajën e Kavkalevës, Uni Paligora kemi kontaktuar. Ai, Uni kur fillon të flasë shqip, s’e ndalon dot tri ditë e tri net. Krenohet. Familja e madhe e Sheremetkave, sa here që i takoj, flasim në gjuhën shqipe. Është edhe një ish hendbollist, ndër më të mirët në ish Jugosllavi, Atanas Nashoku, i njohur me nofkën Saku. Sa herë që takohemi, pa marrë parasysh prezencën e maqedonasve, ai më drejtohet në gjuhën shqipe. Kur bëj se befasohem, ai më përgjigjet: ”Unë të flas në gjuhën e nënës”. Ky fakt flet se bëhet fjalë për shqiptarë. Të këtillë i ka shumë, por vështirë po çlirohen nga e politika asimiluese e maqedonasve.
KOHA: Për ata që nuk e dinë, cilat figura tjera shqiptare kanë vepruar dhe jetuar në Manastir. Ku ndodhen sot pasardhësit e tyre?
HASANI: Një pjesë e pasardhësve të Qiriazëve ndodhet edhe në Amerikë, kurse pasardhësit e Sevastisë dhe Kristo Dakos ndodhen në Shqipëri. Për Gërmenjët, Gramenot, Topujt, nuk dihet me siguri, përveç se janë tërhequr në Shqipëri.
KOHA: Çfarë po ndodh me fshatrat e Prespës?
HASANI: Fshatrat e Prespës përjetojnë atë ç’përjetojnë edhe fshatrat e Manastirit. Ata janë të parët nga shqiptarët që e zbuluan rrugën drejtë Amerikës dhe Australisë. Kurbeti i shkatërroi trevat skajore të banuara me shqiptarë.
KOHA: Historia na ka mësuar se lidhjet (shqiptare) midis Manastirit dhe Korçës kanë qenë intensive dhe shumë të rëndësishme. Çfarë i ka karakterizuar këto lidhje?
HASANI: Edhe sot lidhjet mes shqiptarëve të Manastirit dhe atyre të Korçës janë në nivel. Shumica e këshavasve prejardhjen e kanë nga Korça. Një familje mjaftë e madhe mban mbiemrin Korçari. Pastaj vazhdojnë martesat me vajza nga Korça, që këtu vlerësohen si martesa më të preferuara. Komunikimet janë të shpeshtuar. Vajtja – ardhjet gjithashtu. Edhe e folmja i bashkon.
KOHA: A keni njohuri se shumë të reja shqiptare (nga Shqipëria) janë martuar dhe vazhdojnë të martohen me maqedonas të fshatrave të Manastirit? Si e shpjegoni Ju këtë dukuri?
HASANI: I pari kam reaguar në gazetën FAKTI, duke i quajtur fëmijët e tyre jeniçer dhe të rrezikshëm për shqiptarët. Lidhur me këtë kemi polemizuar edhe me Pandeli Majkon, i cili pati sqarim tjetër, duke thënë se vetëm në këtë mënyrë do ta “albanizojmë” Pellagoninë e Pellazgëve. Kam biseduar me disa prej tyre, që të gjitha janë shprehur se: ”Skamja i ka detyruar të shkelin në oborrin e armikut”. Nëse ato nëna ia dalin fëmijëve të tyre t’ua mësojnë gjuhën shqipe, që nuk është për të besuar, atëherë do ndodh ashtu siç parasheh Majko.
KOHA: Keni dy djem. Si është ndjenja të jesh gjysh?
HASANI: Burri vetëm kur bëhet gjysh ndjenë sa ka jetuar dhe se ka nxjerrë diç në këtë bota. Ajo është pasuria dhe lumturia më e madhe. I kam gjashtë mbesa dhe një nip, por i kamë edhe dy stërmbesa. Pra, jam stërgjysh. Oh, sa mirë.
KOHA: I nderuari zoti Qenan, a mund të ndodh që Ju, në një mënyrë, të jeni Rilindësi i fundit i Manastirit, sepse të gjithë ata që i kanë përcjellë mediumet shqipe këtu e 35 vjet më parë, e dinin se ishit pikërisht Ju një nga ata që e mbajtët gjallë frymën shqiptare, duke e përçuar atë gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Ndoshta gabojmë, por nuk shohim një tjetër që do ta kryente këtë mision?
HASANI: Të jemi të sinqertë, unë kam punuar aq sa e kam ndjerë veten shqiptar. Për t’u radhitur në radhët e Rilindësve, duhet edhe shumë punë. Ndoshta do të pajtohesha, nëse ia dal që t’i zbuloj dhe t’i bindi të gjithë shqiptarët ortodoksë publikisht të deklarohen se i takojnë kombit shqiptarë. Manastiri kohëve të fundit, për fat të mirë, e për kënaqësinë time, nxori edhe një gazetare. Është kjo Teuta Zekiri, të cilën për çdo mëngjes e shohim në ekranin e televizionit ALSAT-M. Edhe Teuta është krenaria e shqiptarëve të Manastirit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.