Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të arrijë 3.5 për qind në vitin 2021, nën supozimin e rikthimit të besimit të konsumatorit dhe biznesit, vendosjes nën kontroll të Covid-19, si dhe uljen e paqëndrueshmërisë politike. Megjithatë, edhe këto gjasa akoma janë mjaft të pasigurta, ndërsa rritja ekonomike mund të jetë edhe më e dobët se parashikimet në rast se pandemia zgjat më shumë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 janar – Rikuperimi ekonomik do të zgjasë më tepër seç parashikohej në analizat e muajit qershor të vitit të kaluar. Raporti i fundit i Bankës Botërore parashikon që rikuperimi ekonomik në vitin 2021 do të jetë më i ngadalshëm, ndërsa pritet që në vitin 2022, efektet e pandemisë gradualisht të dobësohen, ndërsa ringjallja e tregtisë dhe investimeve do të përshpejtohen. Megjithatë, edhe këto gjasa akoma janë mjaft të pasigurta, ndërsa rritja ekonomike mund të jetë edhe më e dobët se parashikimet në rast se pandemia zgjat më shumë seç parashikohet, thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore, shkruan gazeta KOHA.
“Edhe pse parashikohet që aktiviteti global do të rimëkëmbet me vendosjen graduale të pandemisë nën kontroll, megjithatë nuk pritet që aktiviteti ekonomik të kthehet në trendin e saj para krizës. Vija fillestare e parashikimeve i nënshtrohet disa rreziqeve. Përhapja e pandemisë mund të përshpejtohet, veçanërisht nëse procesi i vaksinimit do të vonohet, ndërsa dobësitë ekonomike dhe sistemet e dobësuara bankare mund të sjellin kriza financiare. Në periudhën afatmesme, kriza mund të sjellë rezultat potencial global më të dobët si rrjedhojë e dëmit të përhershëm ndaj shëndetit, arsimit dhe bilanceve”, theksohet më tej në raport. Analiza më tej thekson se përkundër asaj se ekonomia globale po del nga kolapsi i shkaktuar nga pandemia, parashikohet që rimëkëmbja të zvogëlohet. Pritet që prodhimi në shtetet në zhvillim të mbetet shumë më poshtë në raport me projeksionet e tij para pandemisë.
Njëherësh, pandemia ka përkeqësuar rreziqet që lidhen me një dekadë të gjatë të akumulimit global të borxhit. Nivelet e borxhit kanë arritur kulmet historike, duke e bërë veçanërisht ekonominë globale të prekshme nga stresi i tregut financiar. Pandemia ka të ngjarë që të forcojë edhe ngadalësimin e pritur prej kohësh të rritjes potenciale gjatë dekadës së ardhshme, duke gërryer gjasat për uljen e varfërisë. Niveli në rritje i pasigurisë dhe paqartësisë lidhur me perspektivës globale, thekson edhe rolin e politikëbërësve në rritjen e gjasave për një rritje më të mirë , si dhe shmangien e rezultateve më të këqija. Kufizimi i përhapjes së virusit, sigurimi i lehtësimit për personat e prekshëm, si dhe tejkalimi i sfidave të lidhura me vaksinat janë prioritetet kryesore thuhet më tej në raport.
Me pozitat e dobëta fiskale (apo borxhet e mëdha dhe në rritje në tërë botën), në mënyrë serioze po kufizohen masat qeveritare të mbështetjes. Andaj edhe theksohet nevoja për reforma ambicioze të domosdoshme për të ri ndezur një rritje të fortë, të qëndrueshme dhe të barabartë. Gjithashtu, bashkëpunimi global është thelbësor në adresimin e shumë prej këtyre sfidave. Në veçanti, komuniteti global duhet të veprojë me shpejtësi dhe forcë për të siguruar që vala e vazhdueshme e borxhit të mos përfundojë me një varg krizash borxhi në shtetet në zhvillim, siç ishte rasti me valët e mëparshme të akumulimit të borxhit. Në rastin e vendit tonë, Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 3.6 për qind për këtë vit, dhe rritje prej 3.5 për qind në vitin 2022, pas rënie prej 5.1 për qind të ekonomisë në vitin 2020, raporton KOHA.
Rritja ekonomike në Ballkanin perëndimor pritet të arrijë 3.5 për qind në vitin 2021, nën supozimin e rikthimit të besimit të konsumatorit dhe biznesit, dhe vendosjes nën kontroll të Covid-19. Kjo do të mbështetet edhe me qetësimin e jo stabilitetit politik, apo uljes së paqëndrueshmërisë politike. Ekonomitë e varura nga turizmi veçanërisht, Shqipëria dhe Mali i zi, parashikohet të përjetojnë një kthim më të fortë të aktivitetit ekonomik sesa vendet e tjera të rajonit. Detyrimet fiskale apo borxhet në rritje në rajon kanë zvogëluar hapësirën për mbështetje fiskale, ndërsa në të njëjtën kohë, buxhetet qeveritare do të shtrihen më tej me shpenzime shtesë të nevojshme për t’iu kundërvënë efekteve të dëmshme ekonomike të Covid-19. Përkundër këtyre lëvizjeve në suaza afatmesme rritja ekonomike dhe produktiviteti në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri , duhet të mbështetet ndaj reformave të përshpejtuara në përgatitje të anëtarësimit në BE, duke supozuar se negociatat për anëtarësimin në BE nuk do vonohet më tej. Ballkani perëndimor, pritet gjithashtu të përfitojë edhe nga plani ekonomik dhe i investimeve që e miratoi BE, i cili do të mobilizojë fonde për të mbështetur kapitali njerëzor, konkurrencën , si dhe tranzicionin e gjelbër dhe digjital. Banka Botërore në raportin e fundit të saj parashikon që Bosnje dhe Hercegovina, dhe Serbia do të kenë rritjen më të dobët ekonomike sivjet dhe në vitin e ardhshëm nga gjashtë shtetet e Ballkanit perëndimor. Tek në rritja do të jetë 3.5 dhe 3.6 për qind këtë vit dhe në mot.
Njëherësh , raporti parashikon që rritja ekonomike në Shqipëri në vitin 2021 dhe 2022 do të jetë 5.1 dhe 4.4 për qind, në Kosovë do të jetë 3.7 dhe 4.9 për qind, në Mal të zi do të jetë 6.1 dhe 3.9, në Bosnje e Hercegovinë do të jetë 2.8 dhe 3.5 për qind, dhe në Serbi do të jetë 3.1 dhe 3.4 për qind.
REFORMAT E NEVOJSHME
Në vitet e kaluara nga ana e Bankës Botërore janë kërkuar ndër të tjerash, edhe përmirësimi i efikasitetit të harxhimeve publike si përforcimi i të ardhurave tatimore, përmirësimi i efikasitetit të harxhimeve në shëndetësi, racionalizimi i subvencioneve , përmirësimi i menaxhimit me financat publike si dhe rritja e llogarridhënies , me qëllim që të pengohet krijimi i borxheve të reja. Është sugjeruar edhe përmirësimi i menaxhimit me investimet publike që duhet të orientohen ndaj cilësisë dhe qëndrueshmërisë. Sfidat për rritjen ekonomike në shtet, të adresuara nga ky institucion janë edhe harmonizimi i kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, rritja e shkathtësive të fuqisë punëtore, përmirësimi i menaxhimit dhe efikasitetit të administratës publike për të siguruar shërbime më të mira për qytetarët dhe firmat, të sigurohet sundimi i së drejtës, përfshi edhe marrëveshjet komerciale, përforcimi i konkurrencës së firmave përmes teknologjive të reja. Problemet e tjera në vend kanë të bëjnë edhe me faktin se nga 26 të punësuar në shtet, bile 18 punojnë në sektorin publik, ndërsa vetëm 8 punojnë në sektorin privat .Kjo paraqet një vartësi të madhe , për shkak se pak njerëzit fitojnë të ardhura dhe paguajnë tatime , me të cilat paguhen shërbimet për të papunët, raste sociale etj. (koha.mk)