Rikthimi te multilateralizmi

Kriza e COVID-19 është rikujtim i errët i lidhjeve tona të zakonshme njerëzore dhe dobësive. Nëse dështojmë që të reagojmë si duhet ndaj pandemisë dhe kërcënimeve të tjera të shpërndara, me një ndjesi të ripërtërirë të solidaritetit dhe veprimit të përbashkët, do t’i çnderojmë viktimat e virusit dhe do t’i tradhtojmë shpresat që gjenerata, që e ka krijuar OKB-në, i ka pasur te ne

37

Nga Ban Ki-moon

COVID-19 ka hedhur dritë mbi dobësitë akute të një bote thellë të ndërlidhur. Asnjë shtet, pa marrë parasysh madhësinë, pasurinë, sofistikimin teknologjik të tij, nuk mund ta trajtojë këtë krizë vetë.

Për shkak të pandemisë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara këtë muaj do të mbahet në kushte të veçanta, udhëheqësit e shtetit do të marrin pjesë “virtualisht” në vend se të udhëtojnë për në qytetin e New Yorkut. Natyra unike e mbledhjes së këtij viti duhet të shërbejë si përkujtim se e vetmja mënyrë për ta kaluar kërcënimin nga COVID-19 është përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, transparencës dhe zbatimit të rregullave të publikuara dhe ligjeve.

Është ironi prekëse që pandemia ka goditur 75-vjetorin e Kombeve të Bashkuara. I lindur në rrënojat e Luftës së Dytë Botërore –fatkeqësi tërësisht e krijuar nga njerëzit – forumi i parë ndërkombëtar mishëroi vendosmërinë e liderëve të pasluftës që gjeneratat e ardhshme duhet të kursehen nga lloji i vuajtjes që kanë përjetuar ata.

Në Lindjen e Mesme dhe në rajonet e tjera në konflikt, Kombet e Bashkuara dhe parimet e saj për bashkëpunim multilateral vazhdojnë të jenë të domosdoshme për të gjetur zgjidhje afatgjata dhe të përshtatshme, që do të garantojnë paqe, qëndrueshmëri dhe mirëqenie.

Parimet e ligjeve ndërkombëtare janë themeli i rregullit tonë global, duke siguruar një kornizë pune thelbësore për t’i mbrojtur të drejtat dhe për të ushtruar forcë, pavarësisht ndryshimeve globale.

Mund ta shohim këtë qartë në konfliktin izraelito-palestinez, i cili ka zgjatur për gati sa tërë Kombet e Bashkuara. Zgjidhja më e mirë do të ishte ajo me dy shtete – Izraeli dhe Palestina – për njerëzit e të dyja palëve, bazuar në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht para 1967-s dhe në përputhje me Rezolutat e OKBsë 242 dhe 2334.

Vendosja e fundit e raporteve diplomatike mes Izraelit dhe ty shteteve të Gjirit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit, është zhvillim i veçantë politik që shpresoj se mund të ndihmojë t’i mposhtim dekada të ndarjes e mosbesimit. Por ende besoj se mënyra e vetme për të arritur “normalizim” të vërtetë mes botës izraelite dhe botës arabe është që të gjitha palët të punojnë në drejtim të një zgjidhjeje të qëndrueshme të dy shteteve, e cila sjell paqe, drejtësi, dinjitet dhe siguri ngjashëm si te palestinezët e te izraelitët. Të drejtat e patjetërsueshme të njerëzve nuk duhet kurrë të merren nga të tjerët.

Më 1945, shumëkush ka shpresuar se bota më në fund ka marrë mësim nga dy luftëra botërore shkatërrimtare. Sipas Statutit të Kombeve të Bashkuara, trupi ishte krijuar “për t’i shpëtuar gjeneratat e ardhshme nga rreziku i luftës” dhe për të ndjekur rrugë paqësore dhe gjithëpërfshirëse për te mirëqenia dhe demokracia globale. Rrjeti i konventave dhe institucioneve ndërkombëtare me qendër në OKB që është vendosur që nga atëherë është larg për të qenë i përkryer. Por, për më shumë se shtatë dekada, me vendosmëri ka mbështetur kërkimin e paqes, sigurisë, të drejtave sociale dhe përparimeve ekonomike e sociale përreth gjithë botës.

Për ta theksuar këtë trashëgimi, “The Elders” – një grup i liderëve të pavarur globalë i themeluar nga Nelson Mandela, që kam pasur nder t’i shërbej si zëvendëskryetar – rishtas ka publikuar një raport për ta përkrahur multilateralizmin. Në të kemi paraqitur pesë thirrje për veprim për liderët e sotëm:

Ribesojuni vlerave të Statusit të UN-it;

Fuqizojeni OKB-në për ta përmbushur mandatin e saj për veprim përmbledhës për paqe dhe siguri;

Forcojini sistemet shëndetësore për ta trajtuar COVID-19 dhe përgatituni për pandemitë e radhës;

Shprehni ambicie më të mëdha për ndryshimet klimatike për t’i arritur caqet e Marrëveshjes së Parisit;

Siguroni mbështetje për të gjitha nga qëllimet zhvillimore të qëndrueshme

Të gjitha vendet duhet ta dinë se e vetmja mënyrë për t’i arritur këta objektiva është nëpërmjet multilateralizmit të efektshëm, që është përfundimisht në interes të secilit. Zakonisht, dështimi i OKB-së për t’i arritur qëllimet e caktuara të saj ka qenë rezultat i shteteve anëtare – posaçërisht, por jo ekskluzivisht i pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia, Kina) – nuk i kanë mbajtur përgjegjësitë e tyre. Kur shtetet vendosin interesat e kufizuara kombëtare mbi prioritetet e përbashkëta, të gjithë humbin.

Që të jemi të sigurt, këtë korrik kam mirëpritur adoptimin unanim të Rezolutës 2532 të Këshillit të Sigurimeve të OKB-së, që ka bërë thirrje për një armëpushim global për t’i parandaluar katastrofat njerëzore në kushte të pandemisë. Unë gjithashtu kam përkrahur fuqishëm këtë nismë kur sekretari i përgjithshëm i OKB-së, General António Guterres, e ka propozuar së pari në mars. Prapëseprapë kam qenë i dëshpëruar kur kam parë se sa shumë muaj të vlefshëm janë humbur duke argumentuar rreth detajeve të tekstit.

Zënkat rreth semantikës, pavarësisht konflikteve përgjakëse dhe pandemisë të papritur kanë dërguar mesazhe të tmerrshme te publiku global. Përtej efekteve të drejtpërdrejta të shëndetit, rënia e ekonomisë nga kriza do të jetë afatgjatë dhe e rëndë, duke krijuar efekte valë-valë që mund të ndihen në shumë pjesë të botës të ndjeshme dhe të prekura nga konflikti, për shumë kohë në vijim. Nuk ka qenë koha për të luajtur lojë të vështirë diplomatike.

Qysh prej atëherë, Programi Botëror i Ushqimit ka paralajmëruar se mund të jemi drejtuar për në krizën më të keqe që nga Lufta e Dytë Botërore, me jo më pak se 600,000 fëmijë që kanë gjasa të vdesin nga uria dhe ushqimi jo i duhur në vendet e goditura shumë si Jemeni, Somalia, Nigeria dhe Sudani Jugor.

Kriza e COVID-19 është rikujtim i errët i lidhjeve tona të zakonshme njerëzore dhe dobësive. Nëse dështojmë që të reagojmë si duhet ndaj pandemisë dhe kërcënimeve të tjera të shpërndara, me një ndjesi të ripërtërirë të solidaritetit dhe veprimit të përbashkët, do t’i çnderojmë viktimat e virusit dhe do t’i tradhtojmë shpresat që gjenerata, që e ka krijuar OKB-ja, i ka pasur te ne.

(Ban Ki-moon, zëvendëskryetar i “The Elders”, është ish-sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe ish-ministër i Jashtëm i Koresë.

*Opinioni është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate

Comments are closed.