Në heshtje të plotë mes përgënjeshtrimeve dhe aludimeve të mediave që nuk reshtën së shkruari deri në momentin final, Zinedine Zidane firmosi për Klubin Mbretëror. Rikthimi i tij në fakt në stolin e kampionëve të Europës nuk vjen si ndonjë surprizë e paparashikuar, pasi në botën e futbollit jemi mësuar me skenarë të momentit të fundit, që janë pjesë e rregullave të lojës.
Por tashmë me stolin e konsoliduar të Los Blancos, mbetet një tjetër çështje për t’u diskutuar, gjuetia e trajnerëve të mbetur të lirë për sezonin e ardhshëm. Këtë vit në fakt pritet një merkato e amplifikuar me varitete dhe e pasur në alternativat që ofron. Janë të shumta klubet që mendojnë ndryshimin dhe të tjera akoma që kanë dështuar në këtë drejtim.
Pas 9 muajve, francezi Zidane u rikthye në klubin ku u largua me nder dhe ky është vetëm hapi i parë. Valsi do të vijojë me klubet e tjera që projektojnë dhe ndërtojnë projekte ambicioze ku gjithçka nis nga stoli, e më pas vijon me lojtarët e organikës. Juventusi ishte një prej kandidatëve për të veshur bardhezi Zidanen, me Andrea Agnellin që nuk e ka fshehur kurrë preferencën e tij për Zizou, sikundër dhe tifozëria torineze, që mendonte për një rikthim të francezit në klubin e tyre.
Gjithsesi, fillimisht mbetet për t’u kuptuar se cila është e ardhmja për Allegrin, nëse do të qëndrojë apo largohet. Me opsionin e dytë, atëherë do të niste operacioni për një rikthim të Contes në Torino, që përkon të jetë njëherazi një kandidat i fortë edhe për stolin e zikaltërve të Interit, ku qëndrimi i Spalletit shihet i vështirë.
Ky vit është shënjuar nga një zhurmë dhe kaos, dhe pavarësisht kontratës se vlefshme deri në 2021-shin, largimi tij shihet si më I mundshëm. Në këtë kontekst, konkurrenti i fortë i Contes për stolin e Interit, mund të ishte vet Allegri, pa lënë mënjanë edhe alternativën e luksit, për rikthimin e Mourinhos, që tashmë e humbi mundësinë për t’u rikthyer tek Reali.
E hapur paraqitet pista e francezëve të PSG-së, ku pas daljes nga Championsi, posti i Tuchel tashmë paraqitet i lëkundur. Një dramë psikologjike për francezët, ku vërtetohet shprehja se paratë jo gjithmonë të bëjnë të lumtur. Nga 2012 e këtej klubi parizien ka shpenzuar më shumë se një miliard euro që në Europë janë konvertuar vetëm në zhgënjime.
Tek Tuchel u projektuan ambiciet e një kapitulli të ri, por edhe gjermani nuk përmbushi pritshmëritë. Gjithsesi mediat franceze flasin se Al Khelaifi mund t’i japë sërish besim Tuchel, duke rinovuar kontratën e tij, por mbetet për t’u parë se si do të procedohet.
Ndërkohë edhe në Angli, situate e Maurizio Sarrit nuk është aspak komode, me teknikun që po punon sot, por duke mos pasur aspak garanci për të ardhmen. Nga ana tjetër situata e Pochettinos prezantohet ndryshe me ecurinë pozitive të Tottenham, por deklarata e argjentinasit ku citohet të ketë thënë se është i hapur ndaj projekteve të reja, trondit qetësinë e klubit anglez.
Për të mbetur në Britaninë e Madhe, vijojmë me dosjen e Guardiolës. Të gjithë ëndërrojnë shërbimet e tij, edhe pse të paktë janë ata që kanë mundësinë për ta kontraktuar, referuar financave. Spanjolli ka treguar se nuk qëndron më shumë se 3-4 sezone në një klub dhe tek City po përfundon të tretin. Me “the citizens” që janë në hetimin e UEFA-s për shkelje të rregullave të Fair Play-t Financiar, duke rriskuar Championsin e radhës, nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë Guardiola.
Tek United, Solskjaer po i dhuron vetes rinovimin falë rezultateve të njëpasnjëshme, duke bindur me punën e tij shtypin, klubin dhe tifozërinë. Por edhe pse panorama shfaqet e qetë, një “rrufe në qiell të hapur” janë lajmet që mbërrijnë nga Norvegjia, me mediat që janë të bindura për një rikthim në atdhe të Solskljaer në fund të sezonit. Ndaj sikundër thamë në fillim, merkatoja e verës pritet të ofrojë lëvizje mjaft të bujshme në pankina, që normalisht shoqërohen edhe me transferime të shumta futbollistësh.