Rikthimi i Mlladiqit

Një shoqatë e viktimave të luftës kërkon që monumenti që nderon ish-komandantin e ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i cili është ngritur në hyrje të qytetit të tij të lindjes, Kalinovik, të hiqet. Muri prej guri, tre metra i lartë, me imazhin e Mlladiqit dhe mbishkrimin “Qyteti i Heroit”, qëndron atje për më shumë se tre muaj

Samir Vranoviq, kryetar i Shoqatës së familjarëve të të zhdukurve “E vërteta – Kalinovik ’92”, thotë se gjatë luftës, në këtë qytet janë vrarë 122 boshnjakë. Eshtrat e 79 prej tyre janë gjetur, ndërsa kërkohen edhe 43 të tjerë. Vranoviq thotë po ashtu se në kampet e kësaj komune kanë kaluar mbi 1,000 boshnjakë. “Presim që autoritetet e Kalinovikut ta heqin monumentin e kriminelit të luftës nga komunikacioni rrugor dhe të merren masa në përputhje me ligjet, në mënyrë që një vepër e tillë ose e ngjashme të mos përsëritet”, thotë Vranoviq. Nëse monumenti nuk hiqet, ai paralajmëron ngritjen e kallëzimeve penale kundër kryetares së komunës dhe zëvendësit të saj.

“Nëse nuk e heqin këtë monument brenda një periudhe të caktuar, ne do të ndërmarrim masa ligjore, për t’i mbrojtur anëtarët tanë, familjet dhe boshnjakët që jetojnë në Komunën Kalinovik. Ne nuk pranojmë asnjë konflikt verbal që fyen dhe poshtëron pjesëtarët e kombeve të tjera”, thotë Vranoviq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë. Kryetarja e Komunës Kalinovik, Millena Komllenoviq, nuk ka qenë në dispozicion për deklarata. Ajo ka thënë më herët për media se askush nuk ka kërkuar leje për ngritjen e monumentit, por nuk e ka përmendur heqjen e tij.
Ngritjen e monumentit e ka dënuar edhe Zyra e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar në Bosnje (OHR). “Përfaqësuesi i Lartë u bën thirrje të gjithë qytetarëve, figurave publike dhe autoriteteve që të ndalojnë përdorimin e aluzioneve të tilla të papërgjegjshme dhe të neveritshme për të kaluarën e fundit tragjike të këtij vendi dhe, në vend të kësaj, të punojnë për arritjen e një të ardhmeje paqësore dhe të begattë për të gjithë qytetarët e Bosnje dhe Herzegovinës”, tha përmes një deklarate OHR-ja.

Megjithatë, monumenti nuk është dënuar nga partitë politike të Republikës Sërpska dhe të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës. Shmangia e dënimit të veprimeve të tilla tregon se shoqëria në Bosnje nuk është ende e gatshme të përballet me të kaluarën në të gjitha anët, thotë Branko Todoroviq, drejtor ekzekutiv i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. “Në vend që t’i dënojmë krimet e luftës dhe t’i mbështesim viktimat, ne tani lartësojmë kriminelët e luftës”, thotë ai. Në nëntor të vitit 2017, Tribunali i Hagës e ka dënuar Mlladiqin me burgim të përjetshëm për gjenocid ndaj boshnjakëve të Srebrenicës, për terrorizimin e popullatës civile të Sarajevës dhe për marrjen peng të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.

Ai është gjetur fajtor edhe për përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në disa komuna të tjera të Bosnjës, përfshirë Kalinovikun. Edhe mbrojtja, edhe prokurorët e kanë apeluar vendimin. Gjykimi përfundimtar pritet vitin e ardhshëm.