(Përkitazi me vëllimin poetik “Blegërimë resh” i poetit Mirko Gashi, botuar në 25 vjetorin e shkuarjes në amshim të tij nga ARS Klub” Beqir Musliu”, Gjilan, 2020)
Nga Emin AZEMI
Një poet rikthehet në tri raste: kur përfundon anatema ndaj tij (rasti i M. Camajt, A.Pipës, E.Koliqit), kur skadon harresa dhe kur ngrihet vetëdija kritike për rivlerësim (rasti i Mirko Gashit, Ramadan Rexhepit, Kasëm Trebeshina, Havzi Nela etj.)
Tani kur jemi takuar sërish me poezinë e Mirko Gashit, pikërisht në 25 vjetorin e shkuarjes së tij në amshim, e cila vjen në vëllimin poetik BLEGËRIMË RESH, nën kujdesin e botuesit Sabit Rrustemit, dhe vlerësimin kritik të studiuesit Anton Nikë Berisha, na imponohet ta vështrojmë këtë botë poetike në prizmin e një ridimensionimi të ri teoriko-letrar, kur harresës i skadon afati dhe kur vetëdija kritike për rivlerësim bëhet pjesë e një preokupimi të kombinuar në mes të një shkrimtari, si Sabit Rrustemi që me këtë rast ka luajtur rolin e një arkeologu të suksesshëm i cili nxjerr në sipërfaqe margaritarë të çmuar të verbit poetik dhe të një studiuesi i cili e ka ndjekur në vijimësi rrugën e formimit dhe zhvillimit të poezisë së M.Gashit, duke bërë tani një bilanc të ri vlerësimi për pjesën mbetur në dorëshkrim të këtij poeti.
Gati si në të gjitha rastet kur një emër qëndron i stampuar në plikot gjysmë të mbyllura, edhe Mirko Gashi gjatë një harku kohor ishte dikund afër nesh, gati sa nuk e shtypnim me këmbët e rënda të neglizhencës shoqërore e institucionale. Ai jo vetëm që nuk e kishte zënë vendin e merituar në procesin e komunikimit letrar, por për një kohë të gjatë një numër i konsiderueshëm i krijimeve të tij letrare kishin mbetur të shpërndarë në letra dhe notesa që ai i kishte lënë si relikte të një kohe prozaike, e aspak poetike, atëherë kur M.Gashi poezinë e shkruante dhe e mbante si një armë pa leje, sepse vetëm në atë mënyrë ai arriti ta vret murin e heshtjes dhe indiferencës.
Dëshmi për këtë është vet kjo përmbledhje poetike, e cila përpos që bart te ne informacionin për krijimtarinë e fundit të M. Gashit që kishte lënë në dorëshkrim, ajo na udhëzon edhe për një proces të ri receptiviteti, duke ruajtur gjithmonë pashkëputshmërinë e gjurmëve autoriale të një shqetësimi poetik.
‘Mbi të gjitha e çmoj lirinë…jetoj ashtu siç dëshiroj…shumë gjëra i humba në jetë për shkak të poezisë… poezia shumëçka më mori e pak gjë më dha… vjen koha që fjalët ta kërkojnë kokën tënde…’, thoshte në një intervistë para plot 36 viteve poeti M.Gashi dhe këto pikëpamje të tij për poezinë mjaftojnë t’i kemi si udhërrëfyes për çfarëdo depërtimi që mund t’i bëjmë botës poetike të tij.
Gjuha e poezisë së M.Gashit është specifike në transponimin e mendimit i cili arrin të gdhendet në figuracion poetik.
Lënda poetike e këtij libri është e ndërtuar nga një material me forma jo të rregullta të figuracionit poetik dhe si e tillë poezia e M. Gashit përpos që është një autopsi shumë precize e shpirtit të trazuar, ajo zbulon edhe të gjitha dimensionet padukshme të groteskës njerëzore.
Nata e qirinjve, Varret, En General të mendosh ndryshe, Kalvari, Baritorçe, Përhënie, Indet, Sorrëshkina – akrep i kohës, Reinkarnimi im, janë disa nga titujt që shënjojnë në vetvete gjithë dramacitetin e një semantike fjalësh të ndërtuara me dorën e njeriut që poezinë e shkruante si përgjigje ndaj pezmit që e kaplonte dhe si nevojë intelektuale për të lënë dëshmi, jo thjesht vuajtjen njerëzore, por mbi të gjitha raportin e shoqërisë ndaj vetmisë së njeriut të vuajtur.
M. Gashi, si çdo poet i këtij formati, është i vetëdijshëm se poezia nuk e ndryshon botën, por ai thellë në subkoshiencën krijuese e mbart farën e kujtimit të patretur për të kaluarën , por edhe krenarinë e njeriut të panënshtruar nga hallet. DURO BIRI IM, është dëshmia më e mirë e kësaj krenarie , teksa poeti e thotë shkoqur ‘Më mirë koria se uria…’
Mirko Gashi sërish ndodhet në mesin tonë, kurse përgatitja e një botimi si ky i sotmi, është puna më fisnike që mund të bëhet për një shkrimtar, i cili me pafuqinë e tij për të ndikuar në rrjedhat e kohës, na bën më të kujdesshëm dhe më të ndërgjegshëm në qasjen ndaj krijimtarisë së tij, duke e vendosur atë brenda rrjedhave normale të valorizimit teoriko-letrar.
shtator, 2020