Kumanovë, 16 gusht – Pas një pauze të caktuar “Kuzhina e Popullit” në Kumanovë do të fillojë sërish të punojë dhe do të ofrojë ushqim të nxehtë një herë në ditë për qytetarët e pambrojtur, përdorues të shërbimeve të Institucionit publik- Qendra ndërkomunale për punë sociale .
Projekti është i dedikuar për kategoritë së ndihmës sociale.
Personat që nuk janë në gjendje të sigurojnë ushqim gjatë ditës, këtë mund ta bëjnë gratis në “Kuzhinën Popullore”.
Përveç qytetarëve të komunës së Kumanovës ushqim do të fitojnë edhe qytetarët e rrezikuar nga Komuna Staro Nagoriçan si dhe ajo e Likovës.
“Në Kumanovë janë të paraparë 192 përdorues te Kuzhinës popullore, ndërsa 30 për komunën Staro Nagoriçan dhe për herë të parë 30 janë paraparë për komunën e Likovës. Për ata të cilët kanë dërguar kërkesë dhe që kanë vërtetë nevojë, seleksionimi do të bëhet në Qendrën për Punë Sociale në bazë të kritereve vërtet serioze ndërsa përparësi do të kenë njerëzit e moshuar, njerëzit e sëmurë dhe të ngjashëm”, thonë nga IP- Qendra ndërkomunale për punë sociale.
Ky projekt ishte ndërprerë me datë 15.02.2017 ndërsa është paraparë të fillojë punën nga data 01.09.2018. Ndërprerja e këtij projekti u bë për arsye teknike, për arsye se Qendra për Punë Sociale nuk kishte asnjë person të licencuar për zbatimin e prokurimeve publike. Mirëpo ndërkohë është tejkaluar ky problem dhe se tani ka persona të cilat janë të trajnuar për të punuar në prokurimin publik.
Po ashtu, janë bërë konsultime më serioze dhe procedura e tenderit është përfunduar, kështu që tashmë mund të fillojë me punë “Kuzhina popullore”. “Kuzhina popullore” do të jetë në vendin e vjetër në afërsi të shkollës së muzikës “Pançe Peshev”, ndërsa komunat fqinje do të shërbehen nëpër tenda. (R.B)