Urim HASIPI
Tetovë, 14 shkurt – Rikthehet drita dhe buzëqeshja në familjen Jashari në Tetovë. Pas apelit të kryefamiljares Nurije Jashari për ndihmë, e cila është nënë e katër fëmijëve të mitur dhe jetonte në kushte shumë të vështira, pa drunj për ngrohje, pa ushqime të mjaftueshme, pa rrymë elektrike, me njërën prej vajzave të sëmura, ndihmat në shtëpinë e tyre kanë arritur nga të gjitha anët, shkruan gazeta KOHA.
Njerëz bamirës i kanë ardhur në ndihmë kësaj familje, kurse ata tanimë nuk jetojnë nëpër terr, kanë drunj për ngrohje, kanë edhe ushqime që do të ju mjaftojnë për një periudhë. Për shërimin e vajzës së zonjës Nurije është përkujdesur një qytetar që dëshiron të ngelet anonim dhe i cili ka paguar për 15 ditë qëndrimin e vajzës 4-vjeçare në banjat e Katllanovës, ndërsa 15 ditë të tjera janë paguar nga shoqata humanitare “Ndihmo edhe ti”, prandaj gjatë ditës së sotme zonja Nurije së bashku me vajzën e saj të sëmurë janë nisur për në banjat e Katllanovës ku do të qëndrojnë për 30 ditë, ashtu siç i kanë rekomanduar mjekët. Me këtë, asaj i është rikthyer shpresa se vajza do të mund të ngritet në këmbë, i është kthyer edhe gëzimi falë njerëzve bamirës, të cilët i kanë shtrirë dorën për të ndihmuar këtë familje, kurse sadopak kanë kontribuar në zbutjen e skamjes të familjes së saj, andaj ajo edhe njëherë publikisht ka falwnderuar nga zemra të gjithë ata që e kanë ndihmuar dhe i janë gjetur pranë në momente të vështira.
“Falënderoj të gjithë ata që na ndihmuar në moment të vështira, ofruan ushqime, para dhe veçmas na ndihmuan që të dërgojmë vajzën në Katllanovë dhe shpresojmë se do të bëhet më mirë vajza. Unë tash me këto ndihma që i kam nuk do të jem më në rrugë për të kërkuar lëmoshë”, tha shkurt Nurije Jashari. Përndryshe apeli për ndihmë që zonja Nurije ditë më parë bëri sensibilizoi njerëzit human, bamirësit, shoqatat humanitare të cilët menjëherë i erdhën në ndihmë me çka edhe një herë dëshmuan humanizmit e tyre. Nurije Jashari, nënë e katër fëmijëve tashmë ka braktisur edhe trotuarin ku kërkonte lëmoshë çdo ditë në qytetin e Tetovës për të siguruar një kafshatë buke për familjen.
Ditë më parë, nëna Nurija së bashku më fëmijët e saj të mitur të moshës prej 2 deri në 7 vjeçare kërkoi ndihmë për shkak se jetonin pa kushtet elementare për një jetë normale. Ata më shumë se një vit kanë jetuar pa rrymë elektrike, pa drunj për ngrohje dhe pa ushqim të mjaftueshëm. Ata kanë arritur që të mbijetojnë pa të ardhura, vetëm me ato pak para që ajo grumbullonte gjatë ditës së bashku me vajzën e saj 6-vjeçaren Samijen, duke bredhur rrugëve të Tetovës për të kërkuar lëmoshë nga njerëzit human. (koha.mk)