Dr.Fatmir Asani, i njohur edhe si mjeku i luftës, i tha gazetës KOHA se janë disa kushte që gjendja të mos eskalojë dhe të rikthehemi në fazën e parë të pandemisë. Sipas tij, duhet të respektohen të gjitha masat parandaluese, siç janë mbajtja e maskave, distanca sociale, shmangia e dorështrëngimit, grumbullimet e panevojshme…
Hekuran JASHARI
Shkup, 28 maj – Lajmi për lehtësimin e masave shtrënguese si pasojë e pandemisë globale, padyshim se paraqet një lajmë të gëzueshëm për qytetarët, të cilët më në fund do të fillojnë të bëjnë planet dhe organizojnë jetën në mënyrë si ata duan. Por a ka arsye të gëzohemi para kohe dhe a mund të themi se virusi korona është çrrënjosur plotësisht nga jetët tona. Shumë indikatorë flasin se ky virus nuk është plotësisht i vdekur, ashtu siç u shpall ditë më parë, dhe ai qëndron mbi kokët tona si shpata e Demokleut.
Gabimet e tona që përcillen me mos respektimi të masave dhe me një eufori të paarsyeshme, mund të na kthehen bumerang për shëndetin tonë.
Për këtë gjë ka apeluar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë për një valë të dytë të infeksioneve, nëse popullata e neglizhon çështjen e virusit korona. Kjo eufori është shfaqur edhe në disa mjedise tona, sidomos në disa vendbanime rurale të komunës së Likovës, ku raportohet për raste të shtuara të të infektuarve, si pasojë e moskujdesit të mjaftueshëm të njerëzve. Dr.Fatmir Asani, i njohur edhe si mjeku i luftës, i tha Gazetës KOHA se janë disa kushte që gjendja të mos eskalojë dhe të rikthehemi në fazën e parë të pandemisë.
Sipas tij, duhet të respektohen të gjitha masat parandaluese, siç janë: mbajtja e maskave, distanca sociale, shmangia e dorështrëngimit, grumbullimet e panevojshme etj. Kjo vlen sidomos tash me hapjen e kafeneve, ku njerëzit duhet të shmangin qëndrimin e gjatë në to, për shkak se do të ketë një eufori të frekuentimit të tyre. Mjeku Asani është i mendimit se njerëzit duhet të mësohen me këtë virus, dhe se nevojitet angazhim i secilit prej nesh që i njëjti të tejkalohet. “Nëse pritet që ky virus të jetë shqetësim vetëm i institucioneve, atëherë e kemi gabim që në fillim. Kjo është një luftë e jona e përbashkët” është shprehur mjeku Fatmir Asani.
Gazeta Koha ka arritur që të kontaktoj me Komunën e Likovës, për të qartësuar situatën pas disa zërave se në disa fshatra si pasojë e mos respekimit të masave është rritur numri i të infektuarve. Nga komuna kanë mohuar një gjë të tillë, dhe na kanë bërë të ditur se situata është nën kontroll të plotë dhe se kryetari i Komunës, Erkan Arifi, ka pasur një takim me Shtabin e Krizave me çka është diskutuar lidhur me hapat e mëtutjeshëm. Për më tepër nga komuna na kanë informuar se sot Kryetari i Komunës ka realizuar takim edhe me komandantin e policisë ku i ka bërë të ditur se hapat e ndërmarra të komunës janë në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e qeverisë. Në të njëjtën kohë nga komuna kanë bërë apel të gjithë banorëve të asaj komune që të jenë të kujdesshëm, për shkak se ka mundësi të përhapjes së virusit sidomos pas kontaktit që kanë pasur njerëzit gjatë kremtimit të festës së Bajramit. (koha.mk)