Si risi për këtë vit, mes të tjerave është vendosja e sistemit të vlerësimit të projekteve sipas pikëve, formë kjo e përdorur vetëm një herë edhe disa vite më parë. Që do të thotë se financimi nga ana e Ministrisë së Kulturës do të bëhet sipas pikëve të grumbulluara
Evis HALILI
Shkup, 1 tetor – Ministria e Kulturës ka shpallur të hapur konkurrimin për Programin vjetor 2019 me interes nacional të kulturës. Me përjashtim të disa rregullave të reja, që janë përfshirë në një dokument të posaçëm, kriteret dhe kushtet që do të duhet të plotësojnë të gjithë aplikantët për të shtatë kategoritë e konkursit nuk kanë ndryshime nga ato të vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA.
Si risi për këtë vit, mes të tjerave është vendosja e sistemit të vlerësimit të projekteve sipas pikëve, formë kjo e përdorur vetëm një herë edhe disa vite më parë. Që do të thotë se financimi nga ana e Ministrisë së Kulturës do të bëhet sipas pikëve të grumbulluara. Me më shumë pikë (40) do të marrë përshkrimi i projektit, mënyra e paraqitjes së buxhetit, por edhe referencat nga projektet e kaluara…. Nga sasia e pikëve të grumbulluara do të varet edhe shuma që do të akordohet.
Për shembull, Ministria mund të mbështesë projektin plotësisht nëse sasia e pikëve të fituara është maksimale, 100 pikë. Nëse pikët e mbledhura janë nën kufirin minimal, prej 0 deri në 65 pikë, atëherë projekti diskualifikohet nga gara. Risi është që çdo person fizik të dorëzojë së bashku me projektin edhe dëshminë e shtetësisë, ose që aplikimi me shkrim të vendoset në dy zarfe, si edhe plotësimi i formularëve duhet të bëhet edhe në formë elektronike.
Për fillestarët, po ashtu është vendosur një kuotë financimi, e cila nuk mund të kalojë 100 mijë denarët. Konkursi për projektet me interes nacional në kulturë u hap zyrtarisht më 29 nëntor, ndërsa do të zgjasë deri në mesin e muajit tetor. Si prioritet për mbështetjen financiare, edhe këtë vit do të jenë ato projekte që janë në funksion të zhvillimit, afirmimit dhe promovimit të kulturës në Maqedoni në kategoritë e Arteve vizuale, arkitekturës dhe dizajnit – Folklorit, muzikës dhe aktivitetit muziko skenik -Dramës, Literaturës dhe botimit – Projekteve interdisiplinore – Mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si edhe Bashkëpunimi ndërkombëtar. Rezultatet e konkurseve do të publikohen në ueb faqen e Ministrisë së Kulturës dhe në to ashtu si edhe vitin e kaluar do të përmbajnë informacione jo vetën për periudhën dhe vendin e aplikimit e mbështetjen e kërkuar dhe atë të akorduar nga ana e Ministrisë së kulturës, por edhe një përshkrim të shkurtër për realizuesin e projektit.
Për momentin nuk dihet se cila do të jetë përbërja e komisioneve që do të merren me shqyrtimin e projekteve. Gjasat që anëtarët apo edhe kryetarët e komisioneve të zëvendësohen me emra të rinj janë të mundshme, sidomos në ato sektorë ku janë vërejtur parregullsi gjatë selektimit të projekteve fituese për Programin e vitit 2018. (koha.mk)