Tiranë, 18 korrik – Përfaqësuesi i lartë zyrtar amerikan, Filip Riker, i cili është edhe ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit i angazhuar për Evropën dhe Euroazinë, apelon deri te partitë politike në Shqipëri ta zgjidhin situatën në kuadër të Kushtetutës.
Ai në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington tha se SHBA-ja nuk do të bëhet arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë.
“Shqipëria vazhdon të jetë një ndër aleatet më të forta të Shteteve të Bashkuara në Evropën juglindore.Por ne nuk jemi krenarë me gjendjen aktuale politike në Shqipëri”, tha Riker.
Riker shtoi se rruga institucionale është mënyra e vetme për tejkalimin e krizës së tanishme.
“Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë. Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e gjykatës kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike”, tha Riker.
Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet mjeteve kushtetuese që keni”.