5 vite nga nisja e Revolucionit Laraman, sukseset e Maqedonisë së Veriut në rrafshin ndërkombëtar nuk kanë munguar, megjithatë shteti është ende shumë larg idealeve që nxitën dhjetëra mijëra qytetarë në rrugë. Shumë nga mentaliteti i qeverisë kundër të cilës u ngritën është bartur dhe jeton në qeverinë aktuale. Drejtësia është ende thellë e ngulfatur në korrupsion, vazhdon të jetë selektive dhe ushqen kulturën e pandëshkueshrisë. Korrupsioni në nivelet më të larta nuk është çrrënjosur, por vetëm ka ndryshuar xhepin në të cilin hyn. Ka edhe shumë-shumë punë për t’u bërë që të jetësohet fryma dhe kërkesat e asaj lëvizjeje
Nga Sefer SELIMI Jr.
Në vitin 2016 Komisioni Evropian në raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut, atëkohë IRJM, gjendjen politike në vend e cilësoi si ‘’shtet i kapur’’. Në fakt, ishin bërë më shumë se 1 vjet që lideri i opozitës së atëhershme, kryeministri aktual Zoran Zaev publikonte të ashtuquajturat bomba nga përgjimet e paligjshme të cilat ishin kryer nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim që udhëhiqej nga Sasho Mijallkov. Mbi 20.000 qytetarë, gazetarë, politikanë të pozitës e opozitës, madje edhe diplomatë ishin përgjuar pa urdhëresat përkatëse nga Prokuroria.
Tensionet politike ishin gjithnjë e në rritje dhe me Marrëveshjen e Përzhinos veç tjerash mes liderëve politik u dakordua edhe themelimi i Prokurorisë Speciale Publike, e cila do të kishte në kompetencë hetimin e lëndëve kriminale që buronin nga përgjimet e paligjshme.
Më 12 Prill të vitit 2016, ish-presidenti Ivanon shtangu opinioni vendor dhe atë ndërkombëtarë kur shpalli që do të amnistojë nga çdo përgjegjësi 56 persona që ishin pjesë e hetimeve të PSP-së. Ky vendim ishte pika shpërthyese që në rrugë nxori qytetarët. Gjithçka filloi me 4.000 protestuesit e asaj nate që ditë pas dite filluan të shtohen dhe të vërshojnë rrugët e kryeqytetit. Më 15 Prill, u hodh edhe ngjyra e parë drejt institucioneve publike që simbolizoi dhe i vendosi emrin ‘’Revolucioni Laraman’’, lëvizje e cila solli rënien e pushtetit të Nikolla Gruevskit dhe riktheu shpresën tek një masë e gjerë e popullatës se përfundimisht Maqedonia e Veriut do të kthehet drejt normalitetit.
Në zgjedhjet e 11 Dhjetorit 2016, diferenca e ngushtë mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së krijoi mundësinë që të formohet qeveria e re me LSDM-në. Më 27 Prill 2017, u zgjodh kryetari i parë shqiptar i Parlamentit dhe Maqedonia shtangu edhe një herë Botën me skenat e dhunshme nga përkrahësit e VMRO-së dhe nacionalistët maqedonas që hynë dhe dhunuan deputetët. Pas saj vijoi themelimi i qeverisë dhe ‘’çmontimi’’ i regjimit të Gruevskit.
Qeveria e re fitoi simpatinë e gjithë komunitetit ndërkombëtar të shteteve demokratike, të cilat u vunë në shërbim të mbështetjes për kryerjen e reformave të nevojshme dhe mbylljen e çështjeve të hapura me shtetet fqinje, Bullgarinë dhe Greqinë, që ishin kthyer në pengesa të pakapërcyeshme në hapërimin e vendit drejt integrimit në NATO dhe BE. Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë u nënshkrua më 1 gusht të vitit 2017. Kjo marrëveshje hapi rrugën për kompromis me Republikën e Greqisë, marrëveshja me të cilën u nënshkrua më 17 Qershor të viti 2018 pas një sage të gjatë të negociatave mes dy qeverive. Në thelb të kësaj marrëveshje, mes tjerash ishte edhe ndryshimi i emrit kushtetues nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndryshim i cili u vendos para qytetarëve në referendumin e 30 Shtatorit. Me bojkotimin e opozitës maqedonase dhe me kampanja të fuqishme dezinformimi nga aktorë që u shërbenin shteteve që ishin kundër integrimit të vendit në NATO, 37% e qytetarëve iu përgjigjën thirrjes dhe nga to 95% ishin në favor të ndryshimit. Kjo Marrëveshje u jetësua më 11 Janar të vitit 2019 me votimin e ndryshimeve kushtetuese në Parlament. 81 votat e nevojshme u arritën me vështirësi dhe përmes shumë kompromiseve të dhimbshme kundrejt drejtësisë, përfshirë edhe faljen e një pjese të organizatorëve të hyrjes së dhunshme në parlament më 27 Prill 2017.
Më 27 Prill të vitit 2020, në fillet e krizës së pandemisë së COVID-19, Maqedonia e Veriut u bë anëtare e plotfuqishme e NATO, aleancës më të fuqishme politiko-ushtare të të gjitha kohërave. Kriza e pandemisë globale zbehu efektet pozitive nga ky anëtarësim por gjithsesi në historinë e shtetësisë së Maqedonisë së Veriut, ky ndoshta do të jetë momenti më historik i saj.
Në anën tjetër, integrimi në Bashkimin Evropian nuk ec me tempon e dëshiruar. Pas një sërë rekomandimesh pozitive të kushtëzuara për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, dëshpërimi më i madh ishte në Samitin e Tetorit kur Këshilli Evropian me bllokimin e Francës që kërkonte reformimin e procesit të negociatave, nuk aprovoi datë për fillimin e negociatave. Kjo nxiti pakënaqësi tek qeveria aktuale e cila shtyu vendin në zgjedhje të reja të parakohshme në 12 Prill 2020, të iniciuara nga kryeministri Zaev. Në Mars të 2020, përfundimisht Këshilli Evropian përfundimisht dha dritë jeshile për fillim pa kushtëzime të negociatave aderuese, ndërkohë që për shkak të pandemisë zgjedhjet u shtynë për 15 Korrik të po atij viti. Zgjedhjet prodhuan sërish rezultat të ngushtë mes partive maqedonase, ndërsa qeveria u themelua sërish mes partnerëve nga qeveria e kaluar LSDM dhe BDI.
5 vite nga nisja e Revolucionit Laraman, sukseset e Maqedonisë së Veriut në rrafshin ndërkombëtar nuk kanë munguar,megjithatë shteti është ende shumë larg idealeve që nxitën dhjetëra mijëra qytetarë në rrugë. Shumë nga mentaliteti i qeverisë kundër të cilës u ngritën është bartur dhe jeton në qeverinë aktuale. Drejtësia është ende thellë e ngulfatur në korrupsion, vazhdon të jetë selektive dhe ushqen kulturën e pandëshkueshrisë. Korrupsioni në nivelet më të larta nuk është çrrënjosur, por vetëm ka ndryshuar xhepin në të cilin hyn. Ka edhe shumë-shumë punë për t’u bërë që të jetësohet fryma dhe kërkesat e asaj lëvizjeje.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)