Evis HALILI
Shkup, 25 dhjetor – Me një homazh për gruan Teatri Shqiptar e mbyll këtë vit. Është shfaqja “Gratë”, sipas veprës së shkruar nga dramaturgu Robert Thomas (Tetë gratë) premiera e së cilës do të shfaqet të martën në Teatrin e Komedisë, shkruan gazeta KOHA. Regjisori i shfaqjes, Qëndrim Rijani, ka vendosur që të ngjisë në skenën shqiptare një vepër që është dramatizuar dhe ekranizuar me sukses në botë, përmes një kaste të zgjedhur aktoresh si Teuta Ajdini-Jegeni, Drita Kaba Karaga, Amernis Nokshiqi, Vjollca Bekteshi Hamiti, Alida Alidemi, Zarije Jonuzi Çeliku, Mirlinda Saiti dhe Aida Elezi. Skenografia e shfaqjes është realizuar nga Petrit Bakalli, muzika nga Fatos Lumani dhe komstumografia nga Marja Papuçevska. Kështu ai premton të realizojë një tjetër shfaqje të suksesshme, përmes elementeve dhe gjetjeve të reja në realizimin e “Grave”, një komedi që fshikullon botën ku janë të detyruara të jetojnë gratë dhe problemet e vetë shoqërisë maskiliste . Fabula e kësaj komedie të zezë, shkruar gati 60 vjet më parë, vazhdon të jetë sa intriguese po aq edhe aktuale. Tetë gra që janë mbledhur së bashku për të festuar festat e fundvitit gjenden papritur të kapura të grackë, sa nga bora që nuk i lë të dalin jashtë, po aq sa edhe misteri i një vrasje, kur zbulojnë mashkulli i vetëm në atë shtëpi është vrarë me një thikë mbas shpine. Të gjitha janë të detyruara të rrinë bashkë dhe të dyshuara për vrasjen. Secila prej tyre ka një sekret, por edhe motiv për ta kryer vrasjen. “Gratë”, kombinojnë së bashkë farsën, melodramën, muzikën dhe misterin e një vrasje, por aq sa edhe adresojnë aktin, lakminë, shkeljen e kurorës dhe homoseksualitetin. “Tetë gratë” është një vepër e shkruar nga Thomas në vitin 1958, në periudhën kur ai përpiqej që të shpikte një zhanër të ri, komedinë policore, apo komedinë triler. Premiera e parë është dhënë me sukses në Paris (1961) ku mori edhe çmimin “Quai des Orfevres”. Po ashtu kjo vEpër është ekranizuar dy herë, në vitin 1960 me titullin “Nata e të dyshuarve”, si edhe dhe në vitin 2002 (Tetë Gra). Kjo vepër në vite është nominuar me shumë çmime, si ato “Çezar”, çmimet evropiane të filmit, e të tjera. (koha.mk)