Merret me tekste këngësh prej shumë vitesh, ndonëse nuk e ka profesion primar por më shumë si hobi, Rijadi në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA tregon se si ka nisur punën si tekstshkrues, me kë bashkëpunon dhe si mund të krijohet një hit me një tekst të bukur
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Kur keni filluat të shkruani tekste, mbani mend fillimet e para?
Nga mosha 16 vjeçare e kam kuptuar që mundem të krijoj diçka dhe vetvetiu kanë qenë fillimet e para.
KOHA: Si erdhi deri tek ideja që të merresh me tekste këngësh?
Është një dhunti nga Zoti, kur unë e kuptova që mundem të shkruaj atëherë thash pse mos merrem edhe me tekste të këngëve.
KOHA: Secili fillim ka vështirësitë e veta, po si ka qenë fillimi?
Normal që shumë i vështirë, por nuk ka qenë punë parësore për mua thjeshtë talent dhe hobi.
KOHA: Me kë fillove të punosh për herë të parë?
Po kam filluar me disa persona nga qyteti ku kam jetuar më herët, por realisht puna ime ka filluar me këngëtarin Nimet Fetai.
KOHA: Janë bërë shumë vite që kur ke nisur të shkruash, sikur ta ktheje kohën prapa a do merreshe përsëri me këtë punë?
Jo , siç e ceka dhe më herët për mua është punë dytësore ose hobi, dhe do të vazhdoj të shkruaj nuk mendoj të ndalem.
KOHA: Lista e bashkëpunëtorëve sigurisht që është e gjatë, mund të na përmendësh dikë që punoni me vite dhe keni gjetur gjuhën e përbashkët?
Patjetër, Nimet Fetai ku njëkohësisht jemi miq dhe menaxher i tij, kam filluar të bashkëpunoj dhe me Demir Bashkën e shumë emra të tjerë.
KOHA: Më parë tekstshkruesi e shkruante tekstin dhe ia jepte këngëtarit dhe bëhej aranzhimi muzikor dhe këndohej, kurse tani tekstshkruesi duhet ta shkruaj tekstin që t`i përshtatet doemos muzikore që ka bërë aranzhuesi i muzikës. Atëherë apo tani është më lehtë për ty si tekstshkrues?
Nëse vërtetë dëshiron dikush hit me fjalë dhe histori brenda saj atëherë teksti duhet të shkruhet njëherë dhe pastaj muzika e tjerat po edhe ashtu sot shumë pak e rrallë po shkruhen histori në tekste prandaj i bëjnë demot dhe i dërgojnë e përshtaten me tekste…
KOHA: Tekstet e cilit këngëtar ose grup të pëlqejnë dhe do kishe pasur dëshirë të ishe autori i tyre?
Nuk e di, realisht dëgjoj të gjitha zhanret por e veçoj Fatmir Mujën për tekste dhe fjalët që ju jep këngëve.
KOHA: Me cilët këngëtarë akoma nuk ke bashkëpunuar por do doje të bashkëpunoje?
Do doja të bashkëpunoj me Danin njëherë edhe pse nuk kemi pasur kontakte asnjëherë unë e konsideroj si ikonë të muzikës popullore.
KOHA: A të ka mbetur akoma ndonjë tekst që e ke bërë për ndonjë x këngëtar dhe nuk ke arritur t’ia japësh?
Po kam bërë shumë por nuk kemi arritur gjuhë të përbashkët prandaj dhe kanë mbetur në sirtarë.
KOHA: Po ndonjë tekst të është kthyer që nuk e kanë pëlqyer?
Ka ndodhur njëherë por jo që nuk është pëlqyer por që nuk ka qenë stili i këngëtares, ky ka qenë shkaku i refuzimit të këngës.
KOHA: Po ndonjë tekst që e ke bërë dhe je bërë pishman që i’a ke dhënë dikujt?
Po madje dhe shpesh sepse kur i jep në studio ata mundohen vetëm të shesin dhe kur dëgjoj ndonjëherë mendoj që dikush tjetër më mirë do i kishte kënduar.
KOHA: Gjithë tekstet që i shkruan dalin hite, a ka ndonjë magji këtu?
Magji? Nëse të jep Zoti talentin kjo është magjia e vërtetë, të jesh vetvetja dhe të punosh drejtë.
KOHA: Krahas temave të përditshme dhe atyre që të kërkojnë këngëtarët, ku inspirohesh më shumë?
Nëpër histori reale aty dalin fjalët e vërteta dhe shpesh vetëm tek ndonjë fjalë.