Tashmë punimet kanë rifilluar dhe pritet që brenda tre muajve të përfundojnë. Këtë e ka konfirmuar për gazetën KOHA kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ndërsa ka infomuar se bëhet fjalë për një rrugë të gjatë rreth 16 kilometra, e cila brenda një harku 90 ditor, duhet të përfundojë
Urim HASIPI
Tetovë, 6 mars – Pas ndërprerjes disa mujore të punëve për rehabilitimin e rrugës së vjetër Shkup-Tetovë, në fund të muajit të kaluar kanë rifilluar sërish punët. Me përmirësimin e kushteve klimatike janë vërejtur makineri të cilët punojnë për të rregulluar këtë rrugë. Derisa ishin ndërprerë punët në pjesën në afërsi të fshatit Grupçin, vozitësit kanë patur shumë vështirësi, sepse punimet ishin lënë përgjysmë për shkak të kushteve klimatike. Kjo kishte bërë që vozitësit që frekuentojnë këtë rrugë – edhe të dëmtojnë veturat. Gjatë kësaj kohe kishin reaguar edhe partitë politike opozitare shqiptare të cilët kishin kërkuar që kjo rrugë sa më shpejtë të rregullohet, sepse siç kanë akuzuar ato, shkakton shumë telashe tek vozitësit sidomos për banorët e fshatrave të Komunës së Zhelinës.
Tashmë punimet kanë rifilluar dhe pritet që brenda tre muajve të përfundojnë. Këtë e ka konfirmuar për gazetën KOHA kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu. Sipas tij, bëhet fjalë për një rrugë të gjatë rreth 16 kilometra, e cila brenda një harku 90 ditor, duhet të përfundojë. “Punimet kanë rifilluar me përmirësimin e kushteve klimatike. Nuk është punuar gjatë periudhës së dimrit, por tashmë po punohet intenzivisht. Shpresojmë se brenda tre muajve rruga e vjetër Shkup-Tetovë do të përfundojë duke u rehabilituar sipas projektit të paraparë. Duhet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një rrugë 16 kilometra të gjatë, e cila duhet të asfaltohet”, deklaroi Sejdiu.
Gjatë vitit të kaluar kishin filluar punët në një pjesë të madhe të rrugës së vjetët Shkup -Tetovë. Kjo rrugë në shumë vende ishte e dëmtuar, por megjithatë kjo nuk u kishte penguar vozitësve të shumtë që të zgjedhin këtë aks rrugor për të shkuar në Shkup ose anasjelltas nga Saraji për në Tetovë. Sipas kreut të Zhelinës, Blerim Sejdiu, kjo rrugë ishte lënë në harresë totale, kurse intervenimet në disa raste nuk kishin dhënë rezultat, sepse asfalti sërish ishte dëmtuar. Kësaj radhe, financat për rehabilitimin e kësaj rruge janë siguruar nga Banka Botërore. Rruga e vjetër Tetovë-Shkup vazhdon të jetë mjaft e frekuentuar edhe përskaj faktit se ekziston autostrada Shkup-Tetovë-Gostivar. Zakonisht, autostradën vozitësit e shmangin për shkak të dy pikë pagesave rrugore dhe duhet të paguajnë nga 40 denarë në njërën prej tyre. Kjo ka kosto të lartë sidomos për ata qytetarë që janë të angazhuar me punë në Shkup, prandaj edhe e shfrytëzojnë rrugën e vjetër.
Përveç veturave që e frekuentojnë rrugën e vjetër Tetovë -Shkup, qarkullojnë edhe shumë automjete të rënda sidomos maune të mëdha dhe kjo ka bërë që shumë shpejt të dëmtohet e njëjta përkundër intervenimeve. Rehabilitimi i kësaj rruge ka qenë në programën e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)