Mesfushori anglez Declan Rice pritet që pas përfundimit të këtij edicioni t’i bashkohet skuadrës së Manchester Unitedit.
Mediumet angleze kanë raportuar të enjten se Rice po dëshiron transferimin në “Old Trafford” dhe tashmë ka kërkuar nga krerët e West Hamin që ta nxjerrin në shitje. Rice është kërkuar edhe më herët nga Unitedi por që oferta prej 60 milionë eurosh për lirimin e tij nuk e kishte bindur West Hamin.
22-vjeçari është njëri prej mesfushorëve më të vlerësuar defensiv në Premier League dhe këtë sezon ka shënuar një gol dhe ka bërë një asistim në 29 paraqitje kampionale.
Rice është produkt i akademisë së West Hamit dhe është pjesë e ekipit të parë prej vitit 2017. Ai ka kontratë me West Hamin deri në vitin 2024 me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.