Franck Ribery u largua nga Bayern Munich pas 12 vitesh, por francezi ka bërë me dije se do të luajë sërish në një klub tjetër, pavarësisht se është 36 vjeç.
Sulmuesi anësor francez tha në një intervistë për “L’Equipe” se do të kërkojë të luajë në një klub të madh për të paktën edhe dy sezone, duke qenë se ndihet mirë dhe konkurrues.
“Jam akoma i uritur dhe mendoj se kam akoma çfarë të tregoj. Derisa të mendoj se kam nivel të lartë në kokën dhe këmbët e mia, unë do të luaj. Kurrë nuk do të mashtroj. Unë mund të luaj sërish për një klub të madh. Dua të luaj edhe për dy sezone të tjera”, tha Ribery.
Me këto fjalë francezi e ka bërë të qartë se do të luajë në një klub të madh dhe jo për para. Kështu oferta që mendohej t’i bëhej nga Sheffield United në Angli do të hidhet poshtë, sepse 36-vjeçari aspiron për një klub të madh.
“Mund të fitoj para kudo, por unë dua një sfidë. Mendoj se ende mund t’i përballoj sfidat e mëdha. Kur erdha te Bayern Munich renditeshim në vend të 14-të në Bundesliga dhe nuk ishim në Champions League, pas 12 vitesh u largova me 23 tituj”, vijoi më tej francezi.