Ribërja!

Nuk kam se si e mohoj faktin që në Kosovë po e vërej patriotizmin institucional të ribëhet standard i mirëndërtuar. Ata e kanë kuptuar shumë më mirë se ne këtej, që ende vuajmë banalisht sindromin e Stokholmit (të dy palët) se, përbuzja do shkallmonte secilin aksion evropeizues, pa përjashtim, prandaj cinizmit atje nuk po i bën vend ribërja!

Nga Adelina MARKU

Një dialog filmi mes dy bashkëshortëve të hidhëruar për shkak të tradhtisë që i bënte burri gruas, më la shumë përshtypje, sidomos kur ajo i tha : “Ti je shumë i preokupuar duke e shpikur ( ribërë) veten. Tregohesh që bën diçka por përveç lëndimeve, gënjeshtrave, tradhtisë nuk ke lënë gjë pas vetes. E parë, e dëgjuar, prandaj nuk kam si të të dua më. E keqja është se edhe ti nuk u mësove të kuptosh dashurinë. Më vjen keq për ty, nuk të urrej, të përbuz!”

Dhe ky dialog është pikërisht nga filmi “9’’ që pak a shumë është bazuar në filmin gjysmë autobiografik të Federiko Felinit të vitit 1963. Filmi ka të bëjë me tregimin mbi femrat në jetën e krijuesit italian të filmave Guido Kontini, femra këta shumë të vlerësuara nga vetë Kontini. Filmi në fakt ka të bëjë me krizën krijuese që e përjeton Kontini, diku në mezomoshën e tij, krizë kjo – pasojë tek ky, nga spikamat e mëdha në kinematografi dhe jetë. Kontini kishte pasionin për kryefjalë.

Për Felinin e Kontinin pata dëgjuar nga Arbën Xhaferi e të përmendur e kam që ky ishte adhurues i madh i kinemtografisë italiane. Kontini, në një moshë pjekurie mondane , kishte nevojën të ribëjë veten, e duke tentuar të mbledhë pendlat e së kaluarës, ai e gjen veten të pamjaftueshëm për të mbaruar edhe një skenar filmi të vetëm. Filmi padyshim është I mrekullueshëm, por më ndjeni për gjithë këtë uverturë që bëra ndërsa desha në fakt të vij përmes Arbnit e Kontinit tek Albini duke kujtuar fjalimin post-mortum të Albin Kurtit, Arbën Xhaferit ku ky (Albini) përmend politikanin në ecje ( Arbnin) dhe e citon të ketë thënë: ” Ndryshimi i situatës së shqiptarëve bëhet duke mos ndryshuar shqiptarët, duke mbetur shqiptarë, duke u bërë e ribërë përherë shqiptarë”.

Albini ishte mysafiri shumë i dashur i Arbën Xhaferit, kjo është e vërteta. Dhe me gjasë fitorja e ngushtë e Albinit në këto zgjedhje kishte të bënte me këtë primesë, me ribërjen shqiptare e që në garë elektorale, do të thoshte ndryshim në skenën politike me ç’gjë, diskurs I ri në politikë atje. Unë isha nga ata që nuk parashikova fitoren e Albinit, por shumë nga miqtë e mi u treguan të saktë në pritjet e tyre. Me gjasë, doza e cinizmit tek unë e ka bërë të veten, në oborrin tim intelektual ka zbritur cinizmi e dorën në zemër – ky, cinizimi nuk është ndonjë mysafir që e kam dëshiruar ndonjëherë. Cinikët janë idealistë të dëshpëruar, e pata shkruar diku, nuk e ribëjnë dot veten ( siç nuk e ribëri Kontini dot) prandaj dhe nuk arrijnë të perceptojnë dallgën e ndryshimit në skenën politike (ashtu siç edhe ri-Kontini në kinematogarfi). Janë mosbesues mondanë! Gjendja e cinikut bëhet tragjike në momentin kur nuk vetedijësoshet për dëmin që ia sjell vetes, prandaj, të jesh cinik në një fazë jete edhe të bën mirë.

Tek aq shumë dua të përmend Arbën Xhaferin në shkrimet e mia, e kjo nga një frikë imja irracionale se ne harrojmë shpejt, desha në të vërtetë të lidhem shkurtaz në fitoren e Albinit, ( duhet shënuar ajo, padyshim) që do e kisha lexuar si një ribërje shqiptare në esencë ! Asgjë më shumë, asgjë më pak. Një kontinuitet, jo trans! Kështu duhet parë e shijuar. Ashtu siç gara elektorale atje ishte kryekëput elegante ashtu edhe pritjet për koalicionin e ri po shënohen në frymë të kësaj elegance.

Tani, nga një distancë po aq elegante, lexoj se ky shtet, më i riu në botë, po ribën veten me mjeshtri, duke “lëpirë” vragët e qeverisjeve të kaluara e duke i epitelizu me një standard të ri për shtetformim, por me elegancë, pa rrëmujë! Nuk kam se si e mohoj faktin që në Kosovë po e vërej patriotizmin institucional të ribëhet standard i mirëndërtuar. Ata e kanë kuptuar shumë më mirë se ne këtej, që ende vuajmë banalisht sindromin e Stokholmit (të dy palët) se, përbuzja do shkallmonte secilin aksion evropeizues, pa përjashtim, prandaj cinizmit atje nuk po i bën vend ribërja!

(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)