Christian Eriksen e di mirë se i mërziti shumë nga ish-tifozët e tij kur pretendoi se do të kishte shanse më të mira për të fituar tituj tek Interi sesa Tottenham. Megjithatë, është e vështirë për tifozët neutralë që të mos ndiejnë pak keqardhje për danezin, i cili shënoi dy gola në miqësoren kundër Pisa të shtunën dhe më pas, 48 orë më vonë mësoi se Arturo Vidal kishte mbërritur në Pinetina për të zënë vendin e tij formacionin startues të Antonio Conte.
Eksperienca e Eriksen në “San Siro” ka qenë një katastrofë deri më sot, por jo e gjitha për faj të tij. Kur shpërtheu koronavirusi, bllokimi mbarëkombëtar e shoqëroi mbërritjen e tij në Itali. Eriksen ende nuk kishte gjetur një shtëpi në Milano. “Mendova të flas me Romelu Lukaku dhe Ashley Young, por ata tashmë kishin familjet për t’u kujdesur dhe 14 ditë fjetja në divanin e dikujt, që ishte shumë i gjatë”, – tha Eriksen për “Jyllands Posten”. Ai përfundoi duke qëndruar në qendrën stërvitore të klubit dhe, i ndaluar të dilte jashtë për ndonjë gjë tjetër, përveç udhëtimeve thelbësore, duhej të vraponte nëpër bodrumin e parkingut, në një përpjekje të dëshpëruar për ta mbajtur veten në formë. Padurimi i Eriksen për t’u kthyer në gjendjen kulmore fizike, pas pezullimit të futbollit, ishte i kuptueshëm. Pasi debutoi në Serie A si titullar, në fitoren 2-0 ndaj Udinese më 2 shkurt, u ul në stol për tri ndeshjet e ardhshme, para bllokimit prej Covid-19.
Eriksen ishte blerja më e rëndësishme e Interit në janar. Transferimi prej 20 milionë eurosh nga Tottenham u konsiderua goditje për zikaltrit, që kishin energji si ekip, por vuanin në krijimtari. Ishte e habitshme, pra, ta shihje danezin duke u përdorur me aq kursim. Ne mund ta themi me plot gojën se ardhja e Vidal nga Barcelona, e cila u konfirmua përfundimisht sot, nuk mund të shihet si asgjë tjetër, përveçse një lajm i keq për Eriksen. Ishte kiliani, sikurse kemi mësuar më pas, ai që kërkohej nga trajneri zikaltër që në janar, jo Eriksen. Kjo shpjegon pse ky i fundit ka pasur kaq pak aktivizim. Tani, me siguri edhe më pak. Dështimi për të marrë Vidal e shtyu Interin që të firmoste me Eriksen, por është tregues se Conte foli vetëm një herë me mesfushorin-sulmues para mbërritjes së tij në Milano.
Me sa duket, ishte klubi, në vend të trajnerit, ai që me të vërtetë e donte këtë marrëveshje. Kur Conte u takua me pronarin Steven Zhang për bisedime përballjeje mbi të ardhmen e tij, muajin e kaluar, trajneri bëri presion për ta pasur në kontroll strategjinë e transferimeve tek Interi. Ne tashmë po shohim efektet e kësaj marrëveshjeje, me zikaltrit që hoqën dorë nga Sandro Tonali, një nga perspektivat më emocionuese në futbollin italian, për të nënshkruar me Vidalin 33-vjeçar, një lojtar me të cilin Conte fitoi tre tituj radhazi te Juventusi. Trajneri zikaltër dëshiron garanci para pritshmërive; pëlqen më shumë artizanët sesa artistët. Dhe Vidal e kupton atë shumë mirë. Ai e di se sa kërkues mund të jetë Conte, por, ç’është më e rëndësishmja, e di saktësisht se çfarë dëshiron prej tij. Vidal e krijoi veten si mesfushori më i mirë në botë gjatë kohës që ishte në Torino.
Conte tani do t’i ngarkojë të njëjtin rol në “San Siro”, së bashku me Nicolo Barella dhe Marcelo Brozovic. Në të kundërt, Eriksen është më pak i sigurt në formacionin e preferuar 3-5-2 të Conte. E thënë qartë, ai është i vetëdijshëm se do të ngrohë stolin.