Riaftësimi në kohë rekord i të dëmtuarve si Mateo Muzakio apo kapiten Romanjoli shtojnë optimizmin te Milani për sa u përket rezultateve në fushë.
Një tjetër lajm pozitiv është edhe gatishmëria e Andrea Kontit që prej një muaji është rregullisht pjesë e grupit. Nëse prapavija mund të ndryshojë me aktivizimin e ishanësorit të Atalantës (ofron më shumë shtytje se Kalabria) dhe rikthimin e titullarëve të qendrës (Muzakio-Romanjoli), risi mund të ketë edhe në mesfushë apo sulm. Stefano Sensi është një emër që përflitet për afrimin te Milani.
Talenti i Sasuolos mund të zëvendësojë këdo në mesfushë me tre lojtarë dhe me ardhjen e tij, Gatuzo do t’i jepte frymëmarrje Kesit dhe Bakajokos, ndërkohë që do të kishte edhe një regjisor në pritje të riaftësimit të Lukas Biljas. Afrimi tjetër, por sidomos shuma e investuar për Lukas Paketën, bëjnë që mbi brazilianin të ketë shumë pritshmëri. Impakti i tij në lojën e kuqezinjve duhet të ndihet sa më shpejt, edhe pse nga brendësia e “Milanello”-s sigurojnë që do të ketë kohën e nevojshme për t’u ambientuar.
Cilësitë teknike të 21-vjeçarit i mundësojnë aktivizimin në disa pozicione, pavarësisht se ai preferon të jetë pjesë e repartit të mesit të fushës. Ai mund të luajë si mesfushor në një modul 4-3-3, por edhe në krahë nëse Gatuzo zgjedh të përdorë 4-4-2-shin e kohëve të fundit.
Një tjetër opsion është ai i pozicionit të Paketës si fantazist pas dy sulmuesve (4-3-1-2), ose në krahët e sulmit nëse Rino i rikthehet skemës 4-3-3, me të cilën nisi sezonin. Largimi i mundshëm i Çalhanoglusë (pritet një ofertë nga Lajpcigu) mund t’i sigurojë djaloshit 35-milionësh më shumë hapësirë, por, garanci, titullari te sulmi i Milanit ka vetëm për Suson.