Riad, 16 qershor – Trashëgimtari saudit i fronit, princi Mohamed bin Salman i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ketë një “qëndrim të vendosur” lidhur me sulmet ndaj tankerëve të naftës në Gjirin e Omanit, për të cilat e akuzoi Iranin.
Ditëve të kaluara në dy tankerë në Gjirin e Omanit ndodhën shpërthime, me ç’rast shpërthyen zjarre. Shkaqet për shpërthimet nuk janë kumtuar zyrtarisht, por SHBA-ja, Arabia Saudite dhe Britania e Madhe akuzuan se tankerët kanë qenë cak i sulmeve iraniane, përcjellë KOHA.
Irani nga ana e tyre i hedh poshtë akuzat e tilla, duke vlerësuar se “dikush është duke tentuar ta hidhërojë me bashkësinë ndërkombëtare”.
Në një intervistë për gazetën shtetërore saudite “Ashark al-Avsat”, princi Mohamed u përqendrua në marrëdhëniet midis Riadit dhe Uashingtonit, për të cilat vlerëson se nuk do të prishen edhe krahas “fushatave mediatike apo qëndrimeve të cilat i plasojnë mediat amerikane”.
Mediat amerikane e përforcuan presionin ndaj Uashingtonit me ndryshimin e politikës ndaj Riadit pas vrasjes së gazetarit të vrarë saudit të punësuar në “Uashington Post”, Xhamal Kashogi në Konsullatën saudite në Stamboll në tetor të vitit të kaluar. Turqia dhe disa vende perëndimore për vrasjen e Kashogit i akuzuan autoritetet në Riad dhe para së gjithash princin Mohamed. (koha.mk)