Riadi dhe Abu Dabi, 500 milionë dollarë për të uriturit në Jemen

Riad, 20 nëntor – Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë fuqitë kryesore në koalicionin kundër Hutëve në konfliktin jemenas, sot kumtuan se do të ndajnë 500 milionë dollarë për të ndihmuar të uriturit në Jemen.

“Secili nga vendet do të ndajë ndihmë prej 250 milionë dollarëve për mbi 10 milionë banorët e Jemenit të cilët kanë nevojë për ushqim”, deklaroi para gazetarëve në Riad drejtori i prgrjithshëm i Qendrës për ndihmë humanitare “Mbreti Salman”, Abdullah Rabia. Ai saktësoi se mjetet do t’u dërgohen shërbimeve të Kombeve të Bashkuara, si dhe organizatave joqeveritare lokale dhe të huaja në Jemen.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti këtë vit tashmë ndanë 1,25 miliardë dollarë, në pajtim me planin e KB-së për ndihmë humanitare për Jemenin.

Lufta në Jemen, i cili edhe para konfliktit ishte ndër vendet më të varfëra në botë, e la vendin në skaj të urisë, dhe, sipas KB-së, shkaktoi një nga krizat më të rënda humanitare në histori.