Zgjedhjet në Bullgari kanë sjellë një pamje të paqartë në skenën politike atje, që nuk premton formimin e shpejtë të Qeverisë. Fitorja e ngushtë e kryeministrit aktual, Bojko Borisov, dhe pothuajse pamundësia për të formuar një kabinet të ri, asgjësuan edhe parashikimet e qeverisë maqedonase se menjëherë pas zgjedhjeve në Bullgari – do të kyçen në zgjidhjen e kontestit
Xhenur ISENI
Shkup, 8 prill – Zgjedhjet në Bullgari kanë sjellë një pamje të paqartë në skenën politike atje, që nuk premton formimin e shpejtë të Qeverisë. Fitorja e ngushtë e Kryeministrit aktual Bojko Borisov dhe pothuajse pamundësia për të formuar një kabinet të ri, asgjësuan edhe parashikimet e qeverisë maqedonase. Edhe kryeministri Zoran Zaev edhe Ministri për punë të Jashtme, Bujar Osmani kanë pritur që pas zgjedhjeve në Bullgari menjëherë të shkohet në zgjidhje të problemit mes dy vendeve për shkak se Sofja zyrtare bllokoi rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Me komunikimet intensive me kolegët e tij, pritshmëritë në Shkup ishin se do të fiton mundësi që në Samitet e BE-së në qershor e korrik të sillet konsensus për kornizën negocuese dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
HUMBJA E NACIONALISTËVE NUK I KRYEN PUNË MAQEDONISË
Nacionalistët në Bullgari, të përfaqësuar nga lideri i VMRO-BND, Krasimir Karakaçanov, i cili nga pozicioni Ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër, ishte më i zëshëm për bllokimin e Maqedonisë së Veriut deri atëherë që nuk pranon se historia e saj është bullgare, humbën në këto zgjedhje, ndërsa ai nuk arriti ta kalon pragun zgjedhorë prej 4%. Por pa dallim të asaj që Karakaçanov humbi në zgjedhje, ndërsa GERB, qeveria a e së cilës e bllokoi Maqedoninë e Veriut, nuk dihet nëse përsëri do ta udhëheqë Qeverinë në Sofje, andaj ndryshime në raport me çështjen maqedonase megjithatë është vështirë të pritet. “Nuk duhet të jemi as optimist e as pesimist. Humbën ato forca të cilat devijojnë nga vlerat e sistemeve evropiane, gjithë ato që kishte dyshime se kanë aktivitete korruptive, se janë të afërta me Rusinë dhe ata që programin të vetëm partiak e kanë pasur Maqedoninë, dmth këto humbën. Në shekullin 21 u tregua se votuesit bullgar megjithatë kanë identitetin e tyre. Në këtë kontekst duke e shikuar konstelacionin e qeverisë së ardhshme mund të konkludohet se vështirë është të presim shpejtë një zgjidhje të kontekstit, sidomos kur mendoj se edhe negociatat për formimin e qeverisë së re do të zgjasin”, deklaroi për KOHA, Nano Ruzhin, ish Ambasador.
NDRYSHIME TË MËDHA NË PARLAMENTIN BULLGAR
Ndryshe, deri më tani gjithë partitë në Bullgari janë thirrur në deklaratën që e solli Parlamenti bullgar në vitin 2019 për përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në të cilën në thelb u vendosën edhe kushtet bullgare. Përbërja parlamentare pas këtyre zgjedhjeve është pothuajse gjysma e ndryshuar, në Parlament në të cilën ka 240 ulëse, hynë tri forca të reja politike – Ka njerëz të tillë, Bullgaria Demokratike dhe Drejtohu, ndërsa pritshmëritë janë se gjithë këto së bashku të kenë rreth 90 deputetë. Ata nëse vendosin të bëjnë shumicë parlamentare, është e mundur që të marrin mbështetje edhe nga Partia Socialiste e Bullgarisë e cila ka rreth 40 deputetë. Siç deklaroi Hristo Prodanov nga kjo parti për televizionin bullgar Nova, ata do të mund të mbështesin qeveri të udhëhequr nga Sllavi Trifinov. Ai nuk e shfrytëzoi çështjen maqedonase si temë kryesore gjatë fushatës zgjedhore, siç bëri Karakaçanov, por qëndrimi i tij është se Maqedonia e Veriut duhet ti pranon rrënjat historike bullgare, ndërsa në këmbim ata do ta pranojnë gjuhën dhe kombin maqedonas. “Ky është propozimi më i mirë që mund ta marrin”, tha Trifonov para fillimit të fushatës zgjedhore duke shtuar se nëse vendi nuk ballafaqohet me rrënjët historike bullgare atëherë do të mbetet jashtë Bashkimit Evropian.
Edhe nga Partia Socialiste e Bullgarisë vlerësojnë se Maqedonia e Veriut nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian në llogari të interesave nacionale bullgare. Nga partitë e reja që hynë në Parlament, Bullgaria Demokratike ka qëndrim më të moderuar. Nga atje vlerësojnë se nuk duhet të nënvlerësohet çështja e të kaluarës, nuk duhet të nënvlerësohet, por se ka probleme në bllokadën e vendit sepse ekziston një rrezik i madh për shkak të pozicionit bullgar për të mbyllur dritaren për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit në planin afatgjatë, dhe në këtë mënyrë do të jepet një bonus i madh historik atyre forcave që parashikojnë të ardhmen nën ombrellën e Beogradit, Moskës dhe Pekinit. Partitë tjera që fituan ulës në Parlament janë: Lëvizja për Drejtësi dhe Liri e cila fitoi 30 deputetë, ndërsa Drejtohu 14. LDL vlerëson se Bullgaria nuk duhej ta bllokon fillimin e negociatave të vendit me BE-në, ndërsa Drejtohu janë në pozicionin se qëndrimi i qeverisë deritashme bullgare është i arsyeshëm dhe principiel. (koha.mk)