Shkup, 19 dhjetor – Komisionet në Ministrinë e Kulturës kanë mbyllur procesin e shqyrtimit të projekteve me interes nacional, që do të financohen në kuadër të Programit të vitit të ardhshëm. Por, rezultatet ka gjasa të shpallen jo më shpejt se muaji janar, duke bërë kështu që pritja për të gjithë aplikantët të zgjasë më shumë sesa ishte parashikuar, shkruan gazeta KOHA. Konkursi që u hap në fillim të shtatorit, u mbyll një muaj më pas dhe deri tani duhej të kishte përfunduar të gjitha fazat e shqyrtimit. Në Ministrinë e Kulturës pohojnë se propozimet që kanë marrë miratimin nga të shtatë komisionet presin të kalojnë filtrin final në kabinetin e ministres Elizabeta Kançeska Milevska, ku zakonisht ndodh që të ketë ndryshime të fundit, sa i takon reduktimit të numrit të projekteve apo të kostos së tyre. Projektet që lidhen me kulturën shqiptare këtë vit, kanë pësuar një lloj rënie në numrin e përgjithshëm, krahasuar me një vit më parë, ndërsa sa i takon sektorëve të konkurrimit zgjedhjet janë të ngjashme me ato në konkurset e kaluara, botimet, muzika, folklori, arti figurativ dhe skenik.., kanë numrin më të madh të aplikimeve të bëra, ndërsa sektorët deficitarë janë si më parë, Trashëgimia, Eurointegrimet, apo Bashkëpunimi ndërkombëtar. Nuk dihet nëse këtë vit nëpër komisione, sidomos në atë të botimeve do të tregohet kujdes sa i takon mbështetjes financiare që do t’i japë projekteve të propozuara, sipas rëndësisë dhe vlerës së tyre. Ankesat kryesisht i janë adresuar këtij institucioni lidhur me shumat gati të ngjashme që i ndahen veprave të ndryshme, duke trajtuar pa ndonjë dallim autorët. Ndryshimet e vazhdueshme të kritereve të konkurrimit, kryesish në atë të botimeve, ka gjasa që edhe këtë vit të jenë pjesë e kritikave pakënaqësive, nëse rregullat nuk janë lexuar si duhet nga aplikuesit. Ndryshimi ka të bëjë me autorët, që nëse kanë konkurruar individualisht një vit më parë, automatikisht i hiqet e drejta për t’iu miratuar projekti vitin e ardhshëm, vetëm në rast se nuk konkurrojnë përmes një shtëpie botuese. Ndryshime të tjera, që mund të ndikojnë në rezultatet kanë të bëjnë me anëtarët shqiptarë të komisioneve, një pjesë e të cilëve janë zëvendësuar me emra të rinj. Ndryshimet janë bërë në komisionin e muzikës, ku vitin e kaluar ishte anëtare Besiana Memeti, në atë të Dramës dhe Veprimtarinë ndërkombëtare. Në Ministrinë e Kulturës pohojnë për KOHA se për kulturën shqiptare pritet që këtë vit të rritet mbështetja financiare dhe përqindja në raport me pjesën tjetër. Mënyra dhe shkalla e financimit çdo vit ka qenë në fokus të kritikave pas shpalljes së rezultateve të konkursit, ku më të zëshmit janë botuesit, artistët dhe shoqatat folklorike. Në konkursin vjetor për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë që organizohet çdo vit në fillim aplikojnë institucionet e kulturës, ndërsa më pas shoqatat, individët, e të tjerë. Aplikimet bëhen në shtatë sektorë, Botimet, Veprimtaria ndërkombëtare, Mbrojtja e trashëgimisë, Eurointegrimet, Veprimtaria Dramatike, Veprimtaria muziko-skenike dhe Folklori, Artet Vizuale, Arkitektura dhe Dizajni. (E.H)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.