Eros Grezda, pas pushimeve të dimrit, iu bashkua ekipit të Rangers në Spanjë, aty ku të besuarit e Gerrard zhvilluan minifazën përgatitore të dimrit. Sulmuesi kuqezi e nisi mirë këtë fazë përgatitore, duke rimarrë veten nga një shqetësim që pati në pulpën e këmbës së djathtë, dy ndeshje para pushimeve të dimrit.
Për këtë arsye, Grezda humbi dhe derbin ndaj Celtic, ndërsa në mungesë të informacionit pati spekulime rreth paraqitjes së lojtarit në një tjetër takim, para derbit. Gjithsesi gjithçka u la pas, dhe 23-vjeçari nisi fazën me skuadrën në Spanjë, mirëpo pak ditë pas përgatitjeve, Grezda pati një lëndim.
Për këtë arsye ai u pa të dilte me këmbën e fashuar, ndërsa mjekët e skuadrës zbuluan se në kaviljen e këmbës së majtë diçka nuk shkon. Për këtë arsye, futbollisti do ti nënshtrohet një rezonance gjatë ditës së sotme në Gllasgou, pasi sot ka lënë Spanjën së bashku me ekipin dhe është rikthyer në Skoci.
Rezonanca pritet të tregojë më tepër rreth dëmtimit të sulmuesit të krahut të Rangers. Kujtojmë që Grezda kaloi një dëmtim të gjatë sezonin e kaluar, që e mbajti për katër muaj larg fushës. Transferimi në Skoci te Rangers u shoqërua edhe me rikthimin në formën të mirë, teksa gjeti formacionin dhe shënoi dy gola në një prej takimeve.