Në tetor të vitit 1987, Kuvendi i RS të Maqedonisë, me propozim të Këshillit Ekzekutiv, solli “Rezolutën për politikën e popullimit në RS të Maqedonisë”, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë diskriminonte familjet shqiptare, për shkak se ajo nuk mund të numëronte më shumë se katër anëtarë (dy bashkëshortët me dy fëmijë). Ky përkufizim jo që nuk parashikohej për familjet maqedonase, përkundrazi, në të thuhej se “organizatat dhe institucionet shoqëror-politike në Republikë”, duhet të angazhoheshin që përmes formave të ndryshme të aktiviteteve, të ndikojnë te “popullsia, veçmas te rinia e kësaj pjese për stimulimin e natalitetit”
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Ndërkohë, mbyllja e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në arsimin e mesëm, shkaktoi pakënaqësi të madhe te popullsia shqiptare, e cila u manifestua në demonstrata masive nga ana e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve shqiptarë, fillimisht në Kumanovë (29 gusht 1988) dhe, më pas, edhe në Gostivar (4 tetor 1988). Organet policore maqedonase njoftonin për zbulimin e organizatës ilegale “Shoqata e Lirisë” në Gostivar, me ç’rast u arrestuan 19 anëtarë të saj, dhe dy grupe ilegale tjera, njërën në Kërçovë në të cilën u arrestuan 12 vetë dhe një tjetër në Kumanovë me 7 të arrestuar. Rrjedhimisht, nga ana e gjykatave komuniste maqedonase, u zhvilluan disa procese gjyqësore, me ç’rast, ndaj 35 veprimtarëve shqiptarë u shqiptuan dënime të rënda, nga 3 deri më 15 vjet heqje lirie. Ata akuzoheshin se kishin kryer vepra penale: “Bashkim për shkak veprimtarisë armiqësore”, “Nxitjes së urrejtjes ose përçarjes mbi baza nacionale, racore e fetare”, “Propagandë armiqësore”, “Pjesëmarrjes në turmë për ta penguar personin zyrtar në kryerjen zyrtare” etj. Po në këtë periudhë kohore, padi penale qenë ngritur edhe ndaj 45 shqiptarëve tjerë (26 prej tyre ishin nga Tetova), për shkak se të njëjtit gjoja se kishin “përvetësuar tokë në mënyrë antiligjore” dhe se në të paskan ngritur ndërtime pa leje, apo siç thuhej asaj kohe “ndërtime të egra”. Përveç kësaj, gjatë vitit 1988 organet policore dhe ato të hetuesisë maqedonase, ngritën procedure për kundërvajtje edhe ndaj 350 shqiptarëve tjerë, prej të cilëve, 178 për shkak pjesëmarrjes në demonstratat për mbrojtjen e shkollës shqipe në Kumanovë dhe Gostivar, 93 të tjerë akuzoheshin se kishin kryer veprimtari “armiqësore” etj.
Për sa u tha më sipër shohim se brenda harkut kohor 1970-1989, në RS të Maqedonisë qenë arrestuar së paku 1.167 veprimtarë shqiptarë, prej tyre 210 u dënuan për vepra penale, ndërsa 957 për kundërvajtje me ngjyrë politike.
REZOLUTA QË PËRKUFIZONTE FAMILJEN SHQIPTARE DERI MË KATËR ANËTARË
Në tetor të vitit 1987, Kuvendi i RS të Maqedonisë, me propozim të Këshillit Ekzekutiv, solli “Rezolutën për politikën e popullimit në RS të Maqedonisë”, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë diskriminonte familjet shqiptare, për shkak se ajo nuk mund të numëronte më shumë se katër anëtarë (dy bashkëshortët me dy fëmijë). Ky përkufizim jo që nuk parashikohej për familjet maqedonase, përkundrazi, në të thuhej se “organizatat dhe institucionet shoqëror-politike në Republikë”, duhet të angazhoheshin që përmes formave të ndryshme të aktiviteteve, të ndikojnë te “popullsia, veçmas te rinia e kësaj pjese për stimulimin e natalitetit”.
Është mase e qartë se qëllimi i sjelljes së një rezolute të tillë, nuk ishte, siç thuhet në të, i karakterit “ekonomik, social e humanitar”, por për ta penguar shtimin e popullsisë shqiptare, që sipas të dhënave të dalë nga Enti Statistikor, popullsia shqiptare vetëm midis periudhës kohore 1981-1986, ishte shtuar për 47.966 banorë, përkatësisht nga 377.208 sa numëronte në regjistrimin e vitit 1981 në 425.174 banorë, që kjo nënkuptonte se shtimi natyror i shqiptarëve në nivel republike kishte arritur shifrën prej 33,3%. Nëse shtimi natyror i popullsisë në RS të Maqedonisë do të zhvillohej në mënyrë të lirë dhe pa masa sanksionuese nga ana e pushtetit, atëherë Rezoluta parashikonte që deri në vitin 2001 RS e Maqedonisë të numëronte 2.413.800 banorë, apo 498.000 banorë më shumë, krahasuar me vitin 1981. Ky shtim i popullsisë do të vinte në shprehje veçanërisht në komunat me shumicë shqiptare, përkatësisht në Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë e Tetovë, ku sipas Rezolutës në ato komuna banonin 1/5 e popullsisë së RS të Maqedonisë, ndërsa shtimi natyror realizohej për 1/3 e popullsisë së përgjithshme të asaj republike jugosllave.
Sipas një studimi të kryer nga ana e Këshillit Ekzekutiv të RS të Maqedonisë, përkatësisht Komiteti Republikan për Punë dhe Politikë Sociale, vihej në dukje se lëvizja demografike “në dy anët e RS të Maqedonisë, lindje dhe perëndim”, po përjetonte ndryshime radikale ku në pjesën Perëndimore, të banuar kryesisht nga popullsia shqiptare, vërehej një natalitetet dukshëm i lartë. Pjesa tjetër, Lindja, e banuar kryesisht, me maqedonas, shënonte rënie, ngecje apo rritje të vogël me përjashtim të viseve ku pjesëmarrja e turqve dhe romëve ishte më e rëndësishme, që si pasoj ishte rritja më e madhe e popullsisë (Shtip dhe Strumicë). Sipas shkallës së natalitetit, territorin e Maqedonisë, studimi e ndante në katër pjesë: e para, perëndim, me shkallë të lartë të natalitetit (Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë dhe Strugë); e dyta, me natalitet mbi mesataren e Republikës (Çair, Gazi Babë, Qendër në Qytetin e Shkupit, Kumanovë, Tito Veles dhe Shtip), e treta, me natalitet nën mesataren republikane (Vinicë, Gjevgjeli, Dellçevë, Kavadar, Krushevë, Negotinë, Ohër, Radovish dhe Karposh e Kisella Vodë) dhe e katërta, me natalitet të ulët (Berovë, Manastir, Brod, Demir Hisar, Koçan, Kratovë, Kriva Pallankë, Prilep, Probishtip, Resën dhe Sveti Nikollë)”.
Të shqetësuar nga këto të dhëna statistikore, Kuvendi i RS të Maqedonisë përmes kësaj Rezolute urdhëronte Këshillin Ekzekutiv si dhe të gjitha institucionet tjera kompetente, që në ato vise, ku nataliti ishte i lartë, të ndërmerrnin asi masash dhe aktivitete të politikës ekonomike e sociale, të cilat “do të ndikojnë mbi zvogëlimin e natalitetit”, ndërsa në viset me natalitet të ulët “për stimulimin e natalitetit”.
Nataliteti i lartë i popullsisë shqiptare, për anëtarën e Kryesisë së KQ të LKM-së, Lençe Sofronievska, vinte si pasoj e “botëkuptimeve patriarkale e të prapambetura fetare e nacionaliste” dhe të “nivelit të ulët arsimor e kulturor, veçanërisht të gjinisë femërore”, e që, shteti, përkatësisht udhëheqja komuniste maqedonase “në të ardhmen do të angazhohet më shumë në emancipimin arsimor, kulturor e shëndetësor të gruas shqiptare”. Thëniet e këtilla nuk mund të komentohen ndryshe, përveç se si shprehje e hapur e shovinizmit dhe racizmit nga ana e udhëheqjes së atëhershme më të lartë të RS të Maqedonisë ndaj kombit shqiptar në përgjithësi, veçmas ndaj pjesës së saj kompakte që i takonte asaj republike jugosllave. Kjo aq më tepër, kur dihet se faji për mos-zhvillimin arsimor e kulturor të shqiptarëve buronte pikërisht brenda asaj udhëheqje, e cila gjatë tërë kohës së ekzistimit të vet, veçmas pas demonstratave shqiptare të vitit 1981 në Kosovë, ndërmori një sërë masash preventive e represive, për të cilat u bë fjalë më lartë.
Ndërkohë, një akt të tillë, që e mori bekimin edhe nga “të zgjedhurit e popullit”, opinioni i atëhershëm demokratik shqiptar, kroat, slloven etj, e konsideroi si një diskriminim të hapur institucional të Shkupit zyrtar kundër popullsisë shqiptare. Ata, para opinionit të gjerë jugosllav e botëror “shprehën shqetësimin e tyre të madh, që në RS të Maqedonisë udhëhiqet politikë e kufizimit e së drejtës elementare njerëzore, përkatësisht të lindjes, madje edhe shfarosjes së kombësisë shqiptare nga këto hapësira.”.
ç) Toponimet sllave
Nën preteksin e realizimit të Konkluzioneve të mbledhjes së nëntë të KQ të LKJ-së për “realizimin e qëndrimeve të LKJ-së” ndaj problemit të Kosovës, udhëheqja komuniste maqedonase më 23 shtator të vitit 1987 solli Programin operativ për “detyrat e drejtpërdrejta të anëtarëve, organizatave e organeve të LKM-së” në realizimin e konkluzioneve të mësipërme. Në pikën 27 të atij programi thuhej shprehimisht:
“Anëtarët e LK-së në LSPPM-ë dhe në organet përkatëse shtetërore duhet të iniciojnë të shqyrtohet në tërësi gjendja në kuptimin e përdorimit të drejtë të gjuhës dhe shkrimit maqedonas si dhe gjuhët dhe shkrimet e kombësive; përdorimi i drejtë i emrave të vendbanimeve dhe termeve tjera gjeografike, dhe mbi këtë bazë të iniciojnë masa e aktivitete përkatëse në pajtueshmëri me normat kushtetuese e ligjore për tejkalimin efikas e të shpejtë të dobësive e mangësive ekzistuese”.
Menjëherë pas kësaj Drejtoria e RTV – Shkupit solli vendim me të cilin urdhëroheshin dy redaksitë në gjuhën shqipe, redaksia e Radios dhe ajo e Televizionit, që në të ardhmen emrat e vendbanimeve, përkatësisht të qyteteve t’i përdorin me toponime sllave, si p.sh. Shkupit – Skopje, Tetovës – Tetovo, Kërçovës – Kiçevo, Dibrës – Debar, Manastirit – Bitolla etj. Ngjashëm si RTV – Shkupi, veproi edhe udhëheqja e ShB “Prosvetno Dello”, por edhe institucionet dhe organizatat tjera informative, arsimore e kulturore, në përjashtim të udhëheqjes së Redaksisë së “Flakës së Vëllazërimit”, e cila përkundër presionit të madh që pati nga pushtetarët e atëhershëm komunist maqedonas, vazhdoi edhe më tej t’i përdorte toponimet shqipe.
Kundër këtij vendimi arbitrar të Shkupit zyrtar, dolën tre akademikët e njohur shqiptarë të Kosovës: Akad. Gazmend Zajmi, Akad. Idriz Ajeti dhe Akad. Rexhen Qosja, të cilët më 4 qershor 1988 ngritën një iniciativë deri te Gjykata Kushtetuese e RSFJ-së, për ngritjen e procedurës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së aktit të Radio-Televizionit të Shkupit – redaksitë në gjuhën shqipe për “shqiptimin e toponimeve në RS të Maqedonisë vetëm në bazë të theksimit leksikor të gjuhës maqedonase” në emisionet në gjuhën shqipe. Në këtë iniciativë, ata ndër të tjerave, theksojnë se ishte e njohur botërisht se në bashkësitë dhe mjediset e përziera nacionale-gjuhësore, në indin gjuhësor të kombeve të ndryshme “ekzistojnë toponime të ndryshme gjuhësore”, që ndër të tjera konsiderohet si rezultat i ligjshmërive zhvillimore të pavarura të strukturës morfologjike dhe fonetike të gjuhëve të caktuara edhe kur emrat e vendeve kanë prejardhje të përbashkët leksikore (p.sh: Skopje, Skoplje, Shkupi, Yskyp; Debar, Dibër etj), “Prandaj – shprehen ata – i takon lirisë nacionale të pranuar përgjithësisht, që çdo bashkësi nacionale, çdo entitet nacional në formën e folur dhe të shkruar të gjuhës amtare të përdorë toponime të materialit të vet gjuhësor, në pajtim me natyrën e asaj gjuhe. Një e drejtë e këtillë është edhe më e natyrshme dhe organike në aspektin e emërimit të vendeve ku zhvillohet një jetë e përbashkët”. (vijon nesër)