Për të gjitha ato që ka bërë Serbia, si dhe për këto që ajo tani ende vazhdon t’i bëjë, do të ishte njerëzore dhe morale që Serbia të kërkojë falje dhe të heqë dorë nga veprimet tradicionale Serbo-madhe, të dëmshme dhe të rrezikshme për paqen dhe sigurinë në Ballkan e më gjerë
Nga Kasam HASANI
(vijon nga numri i kaluar)
Duke iu falënderuar udhëheqësisë së re të Malit të Zi, në krye me Milo Gjukanoviçin, Mali i Zi u shkëput nga Serbia dhe shpalli pavarësinë, në vitin 2006. Kështu Serbia u llogarit si vazhdimësi e Jugosllavisë dhe prandaj Serbia nuk pati nevojë te shpallë pavarësinë. Republika e Malit të Zi,tani është anëtare e NATO-së dhe ka perspektivë reale evropiane. Kjo aspak nuk i ka konvenuar Serbisë dhe Rusisë, prandaj në çdo hap janë munduar që ta pengojnë Malin e Zi. Disa herë kanë ndërmarrë veprime antishtetërore kundër shtetit të Malit të Zi. Partitë politike serbe në Mal të Zi veprojnë jashtëzakonisht në mënyrë destruktive dhe pengojnë në marrjen e vendimeve të rëndësishme shtetërore. Ka patur edhe sjellje brutale në formë të organizimit të grushtetit në Mal të Zi. Në shumicën e rasteve këto veprime destruktive të Serbisë kanë qenë të përkrahura ose të nxitura nga Rusia.
Edhe në Mal të Zi, Serbia paraqet problemin e Kishës Ortodokse Malazeze dhe kërkon që e njëjta të veprojë nën patronatin e Kishës Ortodokse Serbe. Në kohët e fundit, Kisha Ortodokse Serbe ka marrë hov të madh në lidhje me përcaktimin e pronës shtetërore dhe pronës së Kishës Ortodokse Malazeze në Mal të Zi, duke pretenduar që edhe Kisha Ortodokse Serbe ka hise në këtë pronë. Udhëheqësia shtetërore dhe politike e Malit të Zi, veprimet e Kishës Ortodokse Serbe i vlerëson si përzierje të Serbisë në punët e brendshme të shtetit të Republikës së Malit të Zi, dhe këtë nuk e konsideron si çështje të karakterit fetarë – kishtarë. Sipas qëndrimeve politike të udhëheqësisë së Malit të Zi, këto veprime të Serbisë kanë për qellim rrënimin e sistemit kushtetues e politikë të përcaktuar me Kushtetutën e Malit të Zi. Pas demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë, pushteti Jugosllav (serb) filloi diferencimin politik të shqiptarëve në përgjithësi e jo vetëm në Kosovë, me ndjekjen dhe dëbimin e tyre nga Kosova dhe viset tjera. U larguan nga puna dhe u diferencuan me mijëra shqiptarë, kurse një numër i madh i tyre migruan në vende të ndryshme në Evropë, SHBA, Kanada dhe shtete të tjera.
Derisa Serbia vazhdonte luftërat në republikat tjera, gjendja në Kosovë acarohej çdo ditë e më shumë, sidomos pas rrënimit të autonomisë politike të Kosovës, me aprovimin e Amendamenteve në Kushtetutën e vitit 1974. Rezistenca gjithëpopullore në Kosovë mori formën e luftës gjithë popullore, kurse Serbia për çdo ditë merrte masa represive. Serbia ndërmori edhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Me ngjarjet dhe ndodhitë në Kosovë filluan të merren edhe organizatat ndërkombëtare, përgjegjëse për paqen dhe sigurinë, si për shembull: Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Fuqitë Botërore, etj. Në qytetin Rambuje të Francës u mbajt konferencë e posaçme, me qellim të shqyrtimit të gjendjes në Kosovë dhe zgjidhjen e problemit të Kosovës. Në Kosovë filloi luftë e armatosur. Kështu u desh që Këshilli i Sigurimit të bjen Rezolutën 1244, si dhe u desh që të intervenojë ushtarakisht NATO. Pas luftimeve dhe bombardimeve të NATO-së në Serbi, në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës së vitit 1999, u ndërpre lufta në Kosovë, Serbia u largua nga Kosova, kurse Kosovën në administrim e mori UNMIK-u, si mision i OKB-së. Pas kësaj, nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara u caktua edhe Presidenti Ahtisaari, i cili do të duhej të përcaktonte ardhmërinë e statusit të Kosovës, në bashkëpunim me përfaqësues të caktuar nga fuqitë e mëdha – Amerika, BE dhe Rusia. Pas gjithë kësaj, me datë 17.02.2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj. Tani Kosovën si shtet të pavarur e kanë pranuar rreth 115 shtete. Serbia jo vetëm që nuk e njeh këtë realitet, por me të madhe mundohet që te disa shtete të ndikojë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës ose tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kosova sot i ka të gjitha atributet e shtetit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në përputhje me normat ndërkombëtare. Edhe përpos kësaj, Serbia ende ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ajo pengon shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës në pjesën veriore të Kosovës dhe pengon në funksionimin e organeve të Kosovës. Në mënyra të ndryshme mundohet të ndikojë te serbët e Kosovës që ata të mos integrohen në organet dhe institucionet e Kosovës.
Me veprimet destruktive të Serbisë nuk dëmtohet vetëm Kosova, por me këto veprime Serbia i shkakton dëme edhe popullatës serbe në Kosovë në shumë aspekte. Kështu për shembull, partitë politike serbe në Kosovë për shkak të ndikimit të madh të Serbisë, çdoherë në zgjedhjet parlamentare fitojnë militantët nga “Lista Srpska”, të dërguar dhe dirigjuar nga Beogradi për deputet në parlamentin e Kosovës, të cilët nuk përfaqësojnë dhe nuk paraqesin kërkesat dhe nevojat e popullatës serbe në Kosovë, por politikën propaganduese të Serbisë. Nga aspekti juridik, Kosova de jure është shtet dhe kjo çështje në procedurat gjyqësore konsiderohet si “res judicata”, që do të thotë “çështje e zgjidhur”, ose “çështje e vendosur”, ose “çështje e gjykuar”. Këtu vjen në shprehje edhe principi tjetër procedural juridik – nebisinidem, që do të thotë “jo një punë dy herë”. Serbia e di ngase kështu ka vendosur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, me datë 22.07.2010, dhe atë në bazë të kërkesës – padisë së Serbisë, me ç’rast kjo Gjykatë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës – shtet, është bërë në përputhje me normat e të drejtës ndërkombëtare.
Në periudhën 1998-1999, Serbia dëboi në mënyrë masive afër 840,000 shqiptarë, duke u larguar dhe strehuar ata në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi dhe në vende tjera të Evropës dhe Amerikës, të cilët pas përfundimit të bombardimeve të NATO-së në Serbi, u kthyen në vendbanimet e tyre të mëparshme. Në luftën e vitit 1999, Serbia vrau, masakroi dhe zhduku rreth 11,500 njerëz – shqiptarë, ndër të cilët shumë fëmijë, gra dhe pleq, e gjithashtu ushtria serbe dhunoi 20,000 vajza dhe gra shqiptare. Gjatë viteve 1990-1999, pushteti serb ka pushuar nga puna 75.000 punëtorë shqiptarë ne Kosovë, me çrast që përveç tyre edhe anëtaret e familjeve te tyre kane mbetur pa mjetet e nevojshme financiare për ekzistence.
Çka është më e rëndësishme, të gjithë këto projekte, programe, elaborate dhe memorandume të ndryshme, janë aprovuar dhe financuar nga institucionet shtetërore të Serbisë. Pas kësaj çdo herë ka qëndruar Kisha Ortodokse Serbe, kurse e gjithë kjo ka qenë e përkrahur, ose shpeshherë edhe e nxitur nga Rusia, për shkaqe të pretendimeve të Rusisë në Ballkan. Edhe pse Kosova tani është shtet sovran dhe i pavarur, Serbia Kosovën ende e mban në Kushtetutën e saj si pjesë të Serbisë, edhe pse e di që Kosova më nuk është pjesë e saj dhe se Serbia nuk ka kurrfarë qasje në territorin e Kosovës dhe se organet e Serbisë në Kosovë nuk kanë kurrfarë kompetence qysh nga viti 1999, e të mos flasim pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Përpos gjithë kësaj që thamë më lartë, Serbia deri tani nuk është përgjigjur për vrasjet, masakrimet, dhunimet dhe zhdukjet e mijëra qytetarëve, fëmijëve, grave, pleqve, shkaktimin e dëmeve të mëdha, përvetësimin e fondeve të ndryshme financiare dhe pasurisë së përbashkët të Federatës Jugosllave, etj. Ajo për të gjitha këto deri tani nuk është ndëshkuar.
Serbia nuk duhet ta harrojë edhe faktin se në kuadër të saj, një regjion i tërë është i banuar me popullatë shqiptare. Komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me një numër të madh fshatrash (rreth 125) janë të banuara kryesisht me popullatë shqiptare. Këto tri komuna janë komunat më pak të zhvilluara në Serbi, mu nga shkaku se ato janë të banuara me popullatë shqiptare. Historikisht ky regjion i ka përjetuar dhe ka kaluar nëpër të gjitha elaboratet dhe projektet e Serbisë lidhur me dëbimin dhe shfarosjen e shqiptarëve, të cilat i cekëm më parë. Kështu për shembull, nga këto vendbanime, pas luftës së parë botërore ka filluar dëbimi i popullatës shqiptare për në Turqi, kurse në kohën e Jugosllavisë Federative Socialiste shpërngulja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka vazhduar për në Turqi, nëpërmes Maqedonisë, në vitet e 50-ta të shekullit XX. Një numër i madh i kësaj popullate, pas ndërprerjes së shpërnguljes nga Maqedonia kanë mbetur përgjithmonë në Maqedoni, sidomos në Shkup dhe Kumanovë. Gjatë viteve 70 dhe 80 të shekullit të kaluar, me të madhe shqiptarët e kësaj lugine janë shpërngulur për në Kosovë, kryesisht për shkollim dhe arsimim në gjuhën shqipe, pasi në Serbi nuk e kishin këtë mundësi. Meqenëse komunat e cekura kanë qenë dhe kanë mbetur komuna më të pazhvilluara në Serbi në çdo aspekt, një pjesë e madhe e popullatës shqiptare kanë marrë rrugën e migrimit në Evropë ose Amerikë.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, pjesa më e madhe e të rinjve shqiptarë nga këto komuna, edhe më tutje vazhdojnë shkollimin në universitetet e Kosovës në gjuhën shqipe. Mirëpo, Serbia, diplomat e lëshuara në universitetet e Kosovës nuk i pranon, kurse të rinjtë, të cilët kryen fakultete të ndryshme nuk mundën të punësohen në komunat e Luginës së Preshevës. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, respektivisht gjatë viteve 2011-2014, por edhe më vonë, zhvillohej dialogu për çështje praktike midis Serbisë dhe Kosovës, nën ombrellën e BE-së, me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton, kurse më vonë edhe të Federika Moderini. Gjatë këtyre bisedimeve u pruan disa marrëveshje ndër të cilat edhe ajo për njohjen reciproke të diplomave, me ç’rast Serbia do të duhej ti pranojë edhe diplomat e studentëve shqiptarë që kanë diplomuar në Kosovë, ngase diplomat e studentëve serb të lëshuara nga universitetet e Kosovës, Serbia gjithnjë ua ka pranuar. Pra, Serbia jo vetëm këtë marrëveshje, por edhe shumë të tjera (gati të gjitha) nuk i zbaton, edhe pse rregull e të drejtës ndërkombëtare është – Pacta sunt servanta (marrëveshjet duhet të zbatohen). Pra, edhe njëherë mund të konstatojmë se Serbia vazhdon me avazin e vjetër.
Për të gjitha ato që ka bërë Serbia, si dhe për këto që ajo tani ende vazhdon t’i bëjë, do të ishte njerëzore dhe morale që Serbia të kërkojë falje dhe të heqë dorë nga veprimet tradicionale Serbo-madhe, të dëmshme dhe të rrezikshme për paqen dhe sigurinë në Ballkan e më gjerë. (fund)
(Autori është ish-Kryeprokuror i Prokurorisë së Lartë në Shkup)